Në mes të marsit, partitë do të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dy lista me kandidatë për deputetë. Lista e mbyllur që e rendit partia dhe fitojnë të parët mandate, dhe lista e hapur, ku fituesit i përcakton vota preferenciale e zgjedhësit.
Ky kombinim që aplikohet për herë të parë, edhe pse formalisht plotëson kushtet që kandidatet gratë të jenë të paktën në masën 30%, në praktikë rrezikon të ulë përfaqësimin real, sidomos në qarqet e vegjël, ku lista e mbyllur është me 2 mandate.
“Në disa qarqe që kanë shumë pak mandate, pjesa e ndarjes mes listës së hapur dhe listës së mbyllur, mund të sjellë më pak përfaqësim.”, thotë Edlira Çepani, Qendra “Barazi në vendimmarrje”.
![]()
“Ka një lloj konfuzioni dhe nuk ka asnjë lloj sigurie, se si do të jetë renditja finale e grave”, shprehet Gerta Meta, Shoqata për Kulturë Demokratike.
Aktivistet Çepani dhe Meta ju bëjnë thirrje partive që t’i mbrojnë gratë, duke kandiduar shumë prej tyre në listën e mbyllur.
“Ligji në këtë drejtim nuk bën dot më shumë se kaq, por është shumë i rëndësishëm vullneti i partive politike, për të pasur një listë sa më gjithëpërfshirëse”, vijon Çepani.
“Sërish kjo situatë do të jetë në dorën e partive politike, për të parandaluar një garë të padrejtë dhe të pandershme mes kandidateve gra dhe burra”, thotë Gerta Meta.
Në vlerësimin e eksperteve, gratë kanë më pak shanse në terren, për të fituar betejën kokë më kokë me burrat në listat e hapura.
“Në listat që ata po përpilojnë të kenë njerëzit e duhur për komunitetet. Të zbatohet meritokracia dhe të jenë realisht ata njerëz që i duan shqiptarët dhe duan një Shqipëri më të mirë”, deklaron për Report Tv Edlira Çepani e Qendrës “Barazi në vendimmarrje”.
“Natyrisht dhe politika që bëjnë palët është që gratë i lënë në fund të listës, dhe kjo e vështirëson mundësinë e grave për të fituar garën. Dhe patjetër që kur janë kokë më kokë një burrë dhe një grua, ne e dimë që mbështetja është më e madhe për burrat, sepse edhe loja politike është shumë më e fortë, gratë janë më të tërhequra dhe më të kujdesshme”, vijon Gerta Meta e Shoqatës për Kulturë Demokratike.
Gjithsesi, në listën e hapur, ka një mekanizëm korrigjues. Të parët do të marrin mandat 2 më të votuarit, e nëse të dy janë burra, atëherë fituesi i tretë do të jetë gruaja më e votuar e listës, edhe nëse ajo ka marrë më pak vota se burrat. Sipas përllogaritjeve bazuar në rezultatet e parlamentareve të 2021-shit, pjesa dërrmuese e deputetëve, rreth 100 pritet të përcaktohen nga renditja e partive në listat e mbyllura, ndërsa vetëm 40 ligjvënësve pritet të dalin prej votës parapëlqyese të shqiptarëve.
K.T./r.k./Shqiptarja.comKomente


Grate ti marrin vet votat nese ske vota nuk shkohet ne parlament me 100 -1000 vota , pse grate jashte a nuk votojne? Perderisa as grate sju votojne tregon qe skeni puls
Përgjigju