TIRANË - Pasi publikoi listën me 27 futbollistët e ftuar për dy miqësoret e qershorit kundër Izraelit (data 3) dhe Luksemburgut (data 6) në 'Air Albania', trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Rolando Maran, foli përpara medieve për të sqaruar zgjedhjet e tij të para në aventurën e re me kuqezinjtë. Ai tha se u bazua te lista e pritjes që kishte lënë ish-trajneri, Sylvinho.

Për herë të parë me Kombëtaren grumbullohen portieri i Partizanit, Pano Qirko dhe mesfushori i Carrareses (në pronësi të Napolit), Luis Hasa. Nga grumbullimi i fundit i marsit (me trajner Sylvinhon), kanë mbetur jashtë emra si: Jasir Asani, Ivan Balliu, Elhan Kastrati dhe Mario Dajsinani.

Trajneri sqaroi se ka folur me Ivan Balliun dhe se mbrojtësi po mendon tërheqjen nga Kombëtarja, duke iu dashur kohë për të vendosur. Sa i takon mungesës së Jasir Asanit, trajneri ceku se kjo bëhet për shkak se ai ka muaj pa një ekip (lufta në Iran), por ai nuk foli personalisht me mëngjarashin. Ndërkohë italiani sqaroi se ka folur me Strakoshën dhe ai po rikuperohet.

Një tjetër temë e cekur ishte edhe ekipi U-21, aty ku është fidanishtja e ekipit. Maran do t'i ndjekë nga pranë djemtë e Bushit në miqësoren kundër Italisë, si një motivim për emrat e rinj që mund të kenë cilësi për në ekipin A. Maran foli edhe për skemën, teksa ai po mendon të luajë me katër në mbrojtje.

-Lista me 27 futbollistë, çfarë presim nga ky ekip?

Do kisha dashur që kjo listë të ishte më e gjatë, kemi dy ndeshje përgatitore. Ka qenë e vështirë, por unë kam parë edhe listën e pritjes që ishte e madhe, aty jam bazuar. Strakosha, me të cilin kam folur, është i dëmtuar. Jam takuar me Dajsinanin, Muçin dhe Gripshin që kanë bërë vlerësime te klinika jonë dhe kanë dëmtime.

-Edgar Cani (ish-futbollisti juaj) tha se sulmuesit do bëjnë mirë me Maran. A është ky momenti i Brojës?

Jam i kënaqur për këtë që ka thënë, gjej rastin ta përshëndes. Gjatë punës me mua shumë futbollistë kanë shënuar shumë gola. Sa më shumë të punohet në grup, me punën në fushë do të ndihmojmë sulmuesit për të shënuar. Pas golave vijnë edhe rezultatet.

-Ivan Balliu në finalen e Conference League edhe pse nuk luajti, pse nuk është në këtë listë, e kemi luksin?

Fola 3-4 ditë më parë me Balliun. Ai ka qenë shumë i sinqertë, më tha se nuk e di nëse do të vijojë me Kombëtaren. Donte pak kohë për ta vendosur. Po bën gjënë e duhur për ta menduar.

-Keni presion për rezultate apo do luani lojën tuaj?

Jemi të uritur për rezultate. Kam pasur pak kohë për emrat që kam thirrur. I jam referuar listës së pritjes dhe emrave që kanë bërë mirë në javët e fundit. Nuk do bëjmë eksperimente, të paktën jo të dëmshme. Është një moment delikat, është fundi i sezonit dhe mund të kemi lojtarë të lodhur. Ata janë shumë të gatshëm për të qenë me ekipin. Duhet të kuptojmë gjendjen në të cilën jemi. Unë kam parë shumë lojtarë nga U-21, i njoh. Do të kem fatin t'i shoh kundër Italisë.

-Ka pasur polemika për futbollistët që afroheshin në ekip dhe nuk kishin shumë minuta, si do të jetë rregulli juaj?

Nuk ka një rregull. Nëse e bëj këtë do të ishte gabimi i parë. Forma dhe vlerat e lojtarit janë ato që llogariten. Rastet janë individuale dhe shihet sa i shërben ekipit. Ka një diferencë me atë që luan në ligën e parë se ai që luan në ligën e tretë, por këtu varen edhe minutat e lojës. Na duhen emra që kanë minuta në këmbë.

-Me skemën 4-3-3 te Catania keni bërë mirë, cili do të jetë moduli i Shqipërisë?

Unë mendoj se mbrojtja do të jetë me katër, ky është qëllimi. Më pas do të kuptojmë gjatë stërvitjes për pjesën ofensive. Dua të jem i sinqertë, të shoh lojtarët dhe më pas të vendosim.

-Cilët janë emrat nga ekipi U-21 që mund të afrohen në ekipin A?

Nuk do të ishte e drejtë që të thojë emra. Të gjithë kanë qasje në Kombëtaren A, ky duhet të jetë një motiv për ta.

-Pse mungon Jasir Asani dhe a do kenë minuta lojtarët e ftuar rishtaz?

Asani nuk është ftuar sepse ka shumë kohë që nuk luan. Me të nuk kam folur direkt, kam folur me bashkëpunëtorët dhe pa minuta do të ishte e vështirë. Do të provoj që të ketë hapësirë për të gjithë, do të shoh pas stërvitjes.

-Në këto ndeshje, ti do të shohësh futbollistët, apo ne do të shohim idenë tuaj në fushë?

Do të kemi hapësirë për të dyja, mezi po pres që t'i stërvis lojtarët. Kam parë që kanë shumë cilësi, më pas do të jap edhe idenë time. Cilësitë dhe idetë do të sjellin rezultatet e mira. Rëndësi ka që të punojmë të gjithë së bashku, kam shumë dëshirë për punë dhe që të arrijmë objektivat e vegjël, për të arritur te gjërat madhore.

-Do mundeni të rinovoni grupin dhe a është kjo baza e ekipit?

Është një bazë futbollistësh shumë e mirë, thelbësore. Ndryshimet duhet të bëhen në mënyrë të ngadaltë, graduale. Është shpejt për ndryshime që mund të jenë të rrezikshme. Ndryshimet do të jenë në funksion të ekipit", tha Maran.

Në Kombëtare janë rikthyer Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi. Ndërkohë, mungojnë për arsye dëmtimi Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj. Kombëtarja nis zyrtarisht grumbullimin ditën e hënë, më 1 qershor, ku do të stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit”.

Lista e futbollistëve të ftuar nga Maran:

Portierë: Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko.

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Andi Hadroj.

Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti.

Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:13
Lufta në Iran e la jashtë Kombëtares, Maran për Jasir Asanin: Nuk kam folur me të (VIDEO)

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, foli përpara medieve ku sqaroi edhe mungesën e ftesës për Jasir Asanin, sulmuesin anësor të Esteghlal në Iran.

"Asani nuk është ftuar sepse ka shumë kohë që nuk luan. Me të nuk kam folur direkt, kam folur me bashkëpunëtorët dhe pa minuta do të ishte e vështirë. Do të provoj që të ketë hapësirë për të gjithë, do të shoh pas stërvitjes", tha Maran.

Asani nuk luan prej muajsh me ekipin e tij iranian të Esteghlal, kjo për shkak të luftës në këtë vend. Ai po vijon përgatitjet individuale në Shqipëri dhe është shprehur se ka interes nga Getafe në La Ligan e Spanjës. 31-vjeçari debutoi me Shqipërinë në vitin 2023, pikërisht si afrim i ish-trajnerit Sylvinho.