Kombëtarja zhvillon stërvitjen gjenerale në Londër, Sylvinho: Anglinë s’e përballojmë dot ‘kokë më kokë’, jemi përgatitur! Gjimshiti: Ëndërr kemi Botërorin

LONDËR - Kombëtarja shqiptare e futbollit ndodhet në Londër prej së mërkurës, aty ku të premten e 21 marsit në orën 20:45 do përballet me Anglinë në ndeshjen e parë për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Fushata e këtij eventi nis nga "Wembley" për tanët, ndërsa kuqezinjtë kanë kujtime të hidhura në këtë stadium, pasi "Tre Luanët" na mposhtnin 5-0 në nëntorin e 2021. Ekipi kombëtar preku fushën e stadiumit për stërvitjen gjenerale, teksa trajneri Sylvinhon dhe kapiteni Berat Gjimshiti folën për mediat në konferencën zyrtare.

Trajneri Sylvinho tha se Shqipëria duhet të ‘luftojë’ në fushë për çdo top, pasi vetëm kështu mund ta përballojë Anglinë, pasi nuk mund të përballen me ta ‘kokë më kokë’ për shkak të cilësive. Shqetësime në prapavijë për tanët, me Ismajlin dhe Kumbullën që duket se nuk do jenë gati.

‘’Problemet në mbrojtje dhe gjendja e Ismajlit dhe Kumbullës - Është e vërtetë që këtë javë kemi pasur probleme me ta, por do shohim deri nesër në mëngjes gjendjen e tyre. Kemi Ajetin dhe Mihajn në qendër të mbrojtjes.

Koha e përgatitjeve, mjafton për të përballuar Anglinë? Duhet të jetë e mjaftueshme. Ne kemi folur me FIFA-n për këtë kohë, është e vështirë për ne. Kemi ndeshje të rëndësishme dhe do jetë e vështirë, nuk kemi më kohë. Shohim të dhënat, videot, stërvitjet, koha me lojtarët, disa vijnë të dëmtuar. Nesër kemi një ndeshje të vështirë, por ne do zgjedhim ata lojtarë që do e bëjnë këtë ndeshje shumë të mirë.

Përballë një debutues si Thomas Tuchel - Futbolli është i pabesueshëm dhe mund të ndodhin shumë gjëra në 90 minuta. Unë e di si luan Tuchel, mos harrojmë se çfarë lojtarësh ka në ekip, është një nga ekipet më të mira në botë.

Presioni dhe 20 mijë shqiptarë në stadium, do ndryshoni skemën?

Tuchel është trajner i ri, por një fitues. Nuk ka rëndësi si luajmë, me tre apo katër në mbrojtje. Anglia ka cilësi, ne do tentojmë të bëjmë diçka të veçantë. Kemi punuar në dy aspektet e lojës. Ndeshja e parë është sfiduese dhe e vështirë, po luajmë në një nga stadiumet më të mira në botë dhe duhet ta shijojmë.

Ju keni luajtur në Angli, sa e kuptoni futbollin që luhet këtu?

Unë kam qenë këtu, ashtu edhe Zabaleta. Është një nga kampionatet më të forta në botë dhe të duhet të punosh çdo ditë për të qenë në majë. Gjatë ndeshjes do duhet të zbulojmë edhe strategjitë, nëse do ndryshojmë. Ne jemi përgatitur dhe nesër duam të bëjmë diçka të mirë. Me Anglinë nuk mund të luajmë 'kokë më kokë'.

Mund të jetë Sylvinho si Colombi që të zbulojë Amerikën - Na duhet ‘luftë’ çdo minutë, në çdo cep të fushës. Është shumë e rëndësishme për njerëzit tanë që të lëmë shpirtin dhe zemrën në fushë’’, tha Sylvinho.

Kapiteni Berat Gjimshiti kërkoi që ekipi të ketë fokusin në fushë dhe të harrojë ecurinë në Ligën e Kombeve.

‘’Në fushë duhet të japim gjithçka, disa ëndrra edhe nuk dalin. Por ne duhet të futemi në fushë me shpresë dhe besim për të përmbushur një ëndërr të gjithë shqiptarëve që është pjesëmarrja në një Botëror.

Përgatitja dhe përballja me Anglinë? Forca e tyre dihet, çdo fundjavë i shohim në ekran. Ne kemi marrë udhëzimet nga trajneri dhe në fushë do bëjmë atë që dimë të bëjmë. Kemi pasur pak ditë për përgatitje, por i kemi përgatitur mirë.

Si ekip kemi punë të vështirë, jo vetëm emrat individual. Ata kanë sulm botëror dhe ne si ekip duhet ta përballojmë sa më mirë’’, tha Gjimshiti.

Gjendja - Kuqezinjtë nuk do kenë të gatshëm Ismajlin,me mbrojtësin që paçka se është me grupin nuk ka mundur të lërë pas dëmtimin.

Statistikat - Dueli i së premtes do jetë i shtati mes dy skuadrave në histori, ndërsa të gjitha ndeshjet janë luajtur për fushatat kualifikuese të Kupës së Botës. Gjashtë fitore ka Anglia, ndërsa tanët nuk kanë mundur t'i shkëpusin "Tre Luanëve" qoftë edhe një barazim. Anglia na ka shënuar 19 gola, teksa ne kemi mundur të shënojmë vetëm një herë në datën 28 mars 2001 në "Qemal Stafa" me Altin Rrakllin.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Balliu, Ajeti (Kumbulla), Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani; Asani, Laçi, Bajrami; Manaj (Uzuni) Trajner: Sylvinho

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fshati Kakarriq: 20/03/2025 18:28

    Sa te kena ne port Strakoshen asht e sigurte humja.Nuk del asnjeher nga porta me ja u heq nga koka topat sulmusave Anglez!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë