TIRANE- Kryeprokurori Adriatik Llalla zhvilloi ditën e djeshme një takim më prokurorët e Prokurorisë së Fierit, i cili bëri thirrje që të luftohet korrupsioni. Kryeprokurori Llalla është shprehur se të gjithë ata zyrtarë që bien pre e korrupsionit do të dalin të gjithë para drejtësisë.

“Qëllimi këtij takimi ishte për të treguar faktin se Prokuroria Shqiptare është e aftë për të pastruar nga radhët e veta elementët korruptivë”, është shprehur kryeprokurori. Po ashtu Llalla ka kërkuar gadishmërinë e tyre në zbatimin e ligjit, pasi siç theksoi ai ka denoncime nga qytetarët për shkelje të ndryshme, të cilat sipas kreut të organit të akuzës nuk duhet të përsëriten. Ky takim i Prokurorit të Përgjithshëm në Fier, vjen pas arrestimeve të bujshme në këtë qytet të 7 doganierëve për skandalin me naftën “Virxhin” dhe prangosjes së prokurorit Petrit Vukaj.

Arrestimi i prokurorit Vukaj
Vizita e kryeprokurorit Llalla në Prokurorinë e Fierit u zhvillua dy javë pasi u vu në pranga prokurori Petrit Vukaj, nën akuzën e “Korrupsionit pasiv”. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se prokurori i Prokurorisë së Fierit Vukaj nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënim të shtetasit Elton Xhemali. Ky i fundit është i paraburgosur për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur në datë 31.03.2015, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e qytetarit Përparim Bizhga, Shef i Rendit në Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.

Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën që i atribuohet. Për të arritur qëllimin e tyre, shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktojnë me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, i cili, në bazë të veprimeve të tij proceduriale, dukshëm ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas të personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.

Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 07.10.2015 në gjykatën e Fierit, kërkoi dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)