Kapiteni Berat Gjimshiti, me votat e futbollistëve të Kombëtares, u shpall lojtari i vitit tek kuqezinjtë në mbrëmjen gala të ‘Topit të Artë’, çmim që modestisht e vlerëson të tillë:

“Është krenari, por futbolli është një lojë kolektive dhe e ndaj me të gjithë bashkëlojtarët e mi. Sigurisht që është edhe fitore e atyre,”-u shpreh fillimisht Gjimshiti.

Vetë kapiteni zgjodhi më të mirin e vitit mesfushorin Julian Shehun, ndërsa lojtarëve të kombëtares, Gjimshiti i thotë të ëndërrojnë për botërorin, duke nisur me ndeshjet ‘play-off’ të Botërorit ku Shqipëria më 26 mars do të përballet me Poloninë dhe në rast se kalon me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

“Rivalët sigurisht që kanë më shumë eksperiencë, kanë shkuar shumë shpesh në botëror, por prapë besoj se shanset tona janë 50 me 50. Të ëndërrojmë. Të jenë të gjithë çunat gati në mars dhe të shkruajmë historinë e futbollit shqiptar,”-u shpreh Gjimshiti.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe një nga figurat e shquara botërore të futbollit si Estebian Cambiaso, ish-futbollist i Interit dhe Real Madrid, i cili më herët është folur edhe si kandidat për trajner të kombëtares shqiptare para se të vinte Sylvinho.

“Nuk e di, por mund të jap vetëm urimet më të mira për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Njoh disa prej lojtarëve, trajnerët dhe presidentin e FSHF-së. Iu uroj shumë fat dhe na mbetet të shohim në mars,”-deklaroi Estebian Cambiaso, ish-futbollist i Argjentinës.

Efekte Fat Shqipërisë për të shkuar në Botëror, me anë të një video-mesazhi, i uroi edhe presidenti i FIFA-s Giani Infantino, ndërsa për kreun e FSHF-së shanset e Kombëtares janë të barabarta me rivalët.

“Nëse marrim vetëm ndeshjen e parë sipas meje shanset janë 50 me 50. Diferencat mes 4 skuadrave nuk janë të mëdha, të vogla. Nëse flasim për të gjithë fazën ‘play-off’ do t’u jepja të 4 skuadrave nga 25%. Shanse të barabarta për të shkuar në botëror,”-u shpreh Armand Duka

Çmimin ‘Zemra Kuqezi’ për vitin 2025 e fitoi mbrojtësi Mario Mitaj, ndërsa të pranishëm në ceremoni ishin shumë futbollistë të kombëtares.