LONDËR - Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Philip Hammond akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për "minim" të sigurisë të kombeve të Evropës Lindore, në një fjalim që do ta mbajë sot dhe pjesë të të cilit u publikuan më herët.
"Ne jemi tashmë të përballur me një drejtues rus jo të gatshëm për t'iu bashkuar sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, që ruan paqen mes kombeve, por për t'i minuar ato", do të deklarojë kreu i diplomacisë britanike në fjalimin e tij para "Royal United Services Institute", një qendër britanike reflektimi për mbrojtjen dhe sigurinë.
"Veprimet e presidentit Putin, aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe përdorimi aktual i trupave ruse për destabilizimin e lindjes së Urainës minojnë në mënyrë thelbësore sigurinë e kombeve sovrane të Evropës lindore", konfirmon Hammond në këtë fjalim.
Gadishulli i Krimesë u aneksua zyrtarisht nga Rusia më 18 mars pas një referendumi, gjatë  të cilit popullsia u shpreh masivisht pro për këtë aneksim.
Referendumi, organizuar pas rrëzimit të presidentit pro-rus ukrainas, Viktor Janukovitç, nuk u njoh nga Kievi dhe as nga perëndimorët, që mendojnë se Krimeja është aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska me ndihmën e trupave të ardhura nga Rusia.
Kievi dhe perëndimorët akuzojnë përveç të tjerave Rusinë për mbështetje të kryengritësve në lindje të Ukrainës duke dërguar në vend armatime dhe trupa.
/ATSH/