/ATSH-AFP/ - Të shtëna topash u dëgjuan sot në Londër me rastin e 89-vjetorit të mbretëreshës Elizabeth II, ndërsa familja mbretërore është gati për t'u shtuar me lindjen e ardhshme të fëmijës së dytë të princit William dhe gruas së tij, Catherine.
Përvjetori i Madhërisë së Saj u përshëndet nga 41 të shtëna topi në Hyde Park dhe 62 të tjera në Kullën e Londrës si edhe fishekzjarre për lindjen e foshnjës së ardhshme mbretërore.
Fëmija i dytë i William dhe Kate, i cili pritet të lindë nga fundi i këtij muaji, do të marrë pozitën e katërt në rendin e vazhdimësisë për fronin britanik, një hap pas vëllait të tij të madh, princi George i Cambridge, i lindur në vitin 2013.
Sot, për ditëlindjen e saj, mbretëresha ishte në kështjellën e saj Windsor, ku ajo shkon atje çdo vit dhe qëndron një muaj për Pashkët.
Në Hyde Park qindra kureshtarë morën pjesë në ceremonialin e drejtuar nga kalorësit e trupave ushtarake mbretërore të artilerisë në më pak se një kilometër nga 17 Bruton Street, në vendin e lindjes së madhërisë, në vitin 1926.
Në fron për më shumë se 63 vjet, Elizabeth II do të thyejë më 9 shtator rekordin për jetëgjatësi në monarkinë britanike, i mbajtur nga mbretëresha Viktoria.
Kjo e fundit mbretëroi për 63 vjet e shtatë muaj deri në vdekjen e saj në vitin 1901.
Lindur më 21 prill 1926, Elizabeth II e ka zakon ta festojë ditëlindjen e saj në dy ditë, një ditë privatisht me familjen e saj dhe një ditë me një ceremoni zyrtare./