Lorenc Bejko, do të donte ta injoronte sulmin e këshilltarit të kryeministrit Z. Neritan Ceka, por thotë se e vërteta duhet përsëritur edhe në rast kur është e njohur. Për këtë arsye Bejko rrëfen historinë e plotë të Tumës së Kameciës, që nga koha kur ishte objekt i grabitjeve dhe gërmimeve klandestine, e derisa u kthye një model të zhvillimit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore. "Tuma e Kamenicës është pronë e komunës Mollaj, në territorin e së cilës gjendet monumenti arkeologjik", thotë Bejko duke hedhur poshtë akuzat e Cekës për privatizim të këtij objekti. Në këtë intervistë për Shqiptarja.com, Lorenc Bejko i rikthehet argumentit kryesor të debatit cenimit të monumenteve nga nisma e rijetëzimit që po ndërmerr IMK-ja dhe mbështet nga qeveria. "Me "rijetëzimet" e tyre, shkelen me të dyja këmbët parimet themelore të restaurimit", thotë Bejko.
Z.Bejko a keni një përgjigje për gjithë ato akuza që hedh Ceka, ëpr përfaqësuesit e forumit në seancën dëgjimore të komisionit parlamentar?
Më ka bërë realisht shumë përshtypje nervozizmi i zotit Ceka, arroganca dhe zbrazëtia e mendimit, si dhe inkoherenca e argumentit të tij, nëse mund të quhet i tillë. Si tipare të papajtueshme me karakteristikat e një studiuesi serioz, këto më shkaktuan një keqardhje, por nuk mendoj se më takon ti komentoj më shumë.
Z.Ceka thotë se ju përfaqësoni prehistorinë dhe nga kjo periudhë nuk ka monumente në Shqipëri...
Kjo është një habi më vete dhe është kaq banale sa do të preferoja ta konsideroja produkt të një arsyetimi jo të kthjellët. Nëse një pohim të tillë do ta dëgjoja nga cilido student i ynë i arkeologjisë apo trashëgimisë kulturore, do të mbulohesha nga dëshpërimi se puna për diskutimin e përmbajtjes së "monumentit të kulturës" dhe të thelbit të zhvillimit prehistorik të Shqipërisë, kanë qenë të pamjaftueshme dhe pa rezultat. Por, kur këtë e dëgjon nga dikush që 25 vjet më parë ka qenë një nga profesorët e tu, realisht nuk di ç'të mendosh më parë! Ndoshta ka të drejtë zoti Lame, që në prononcimin e tij sugjeron se njeriut të moshës së tretë nuk duhet t'ia dëgjosh të gjitha! Monumentet e larmishme të prehistorisë shqiptare: nga vendbanimet e fortifikuara, tek ato të hapura ose lakustre, nga shpellat tek varrezat monumentale, nga stacionet e përkohshme tek piktura shkëmbore, janë përbërës thelbësorë të topografisë së lashtë të Shqipërisë, në të gjitha mikronjësitë e saj gjeografike. Çdo koment tjetër do të ishte i tepërt edhe në këtë rast.
Ceka ju akuzon ju si privatizuesin e Tumës së Kamenicës. Si qëndron e vërteta e kësaj historie?
Një shpifje e ulët dhe e padenjë për vëmendje! Tuma e Kamenicës ka qenë, është dhe do të jetë jo vetëm pronë publike, por edhe pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shqiptare. Territori bujqësor rreth saj ka qenë pronë e fermerëve lokalë, të cilën unë dhe grupi kërkimor që unë kam drejtuar ia kemi kthyer komunitetit, pra është pronë e komunës Mollaj, në territorin e së cilës gjendet monumenti arkeologjik. Po ashtu edhe qendra e vizitorëve, konceptuar si ekspozitë informuese për rezultatet e gërmimeve arkeologjike dhe vendin e kulturës tumulare në zhvillimin kulturor të prehistorisë shqiptare, është objekt i administruar nga komuna dhe komuniteti lokal. Ne të gjithë jemi krenarë që e kemi transformuar një monument, nga objekt i grabitjeve dhe gërmimeve klandestine, në një model të zhvillimit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore. Duke e vendosur vlerën autentike historike të varrezës tumulare ilire në qendër të muzealizimit të sitit arkeologjik, Tuma e Kamenicës ofron një model krejt të ndryshëm nga ai që promovon zoti Ceka: deformimin historik të kalave shqiptare dhe katandisjen e tyre në sfonde të thjeshta të planeve të bizneseve private! Pa përdorur asnjë qindarkë të buxhetit të shtetit, ne studiuesit e Tumës së Kamenicës përdorëm të gjitha dijet dhe pasionin tonë për ta shndërruar atë në një të mirë publike unikale në llojin e vet. Në një qendër të vizitueshme që dominohet nga respekti i thellë për vlerat historike. Vite drite larg nga përrallat me ndërtime motelesh mbi kala, që promovon Ceka.
Nga ana tjetër, duke i lejuar vetes së tij të drejtën për të folur për gjithçka, Ceka anashkalon argumentin themelor që ia kemi përmendur shpesh në këtë histori. Ai dhe anëtarët e tjerë të Këshillave miratuese të ndërhyrjeve në monumentet e kulturës paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të siguruar zbatimin profesional të parimeve të Kartës Shqiptare të Restaurimit. Me "rijetëzimet" e tyre, parimet themelore të restaurimit shkelen me të dyja këmbët dhe nuk mund të justifikohen me shprehje të tipit "kam parë këtë gjë në Gjermani, apo këtë tjetrën ne Austri"! Qëndrime të këtij tipi janë jo vetëm sipërfaqësore, por thellësisht jo-profesionale. Respektimi i Kartës së Restaurimit nuk është çështje opinioni, por detyrim ligjor për zotin Ceka. Askush nuk e ka mohuar nevojën e një partneriteti serioz publik-privat në administrimin e monumenteve të kulturës. Sidoqoftë, kemi thënë me forcë se partneriteti duhet të mos ngrihet mbi përdhosjen e vlerave historike dhe deformimin e identitetit kulturor që kemi trashëguar. Ky është thelbi i shqetësimit tonë dhe jo pallavrat me përkatësi politike të Cekës. ( ne foto pamje nga lart e Tumes se Kamenices pas hapjes per publikun dhe arkeologu , Lorenc Bejko)
(sg/shqiptarja.com)