Lorenc Vangjeli: Djegia e milionave, humbja është bërë ves në PD

Lorenc Vangjeli: Djegia e milionave, humbja është bërë ves në PD

Duhej parë, por jo dëgjuar. Duhej ndjekur pamja, por jo logjika e fjalëve. Duhej të refuzohej veshi, por jo të shmangeshin sytë nga ekrani. Kjo ishte mënyra e vetme për të kuptuar se çfarë ndodhi në ato orë të pafundme të komisionit hetimor për çështjen e njohur në publik si inceneratorët që dyshohej se dogjën 430 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë. Komisioni ishte një lloj fruti OMGJ, i mrekullueshëm në të parë, i bukur në ngjyra dhe lozonjar në formë, por pa shije dhe vlerë në të ngrënë.

Vetëm duke parë kryeministrin, ministrat dhe administratorët e tij të pushtetit lokal, të vënë në rresht përpara tryezës së deputetes Tabaku, mund të krijohet një ide për atë si nisi, si u mahis dhe më pas edhe bitis, një nga ushtrimet më të rëndësishme të demokracisë parlamentare në vitet e fundit. Vetëm duke i ndjekur ata, por pa kuptuar se çfarë thoshin, siç ndodh zakonisht nga ekranet e lokaleve, mund të ketë një qasje serioze mbi rezultatin e hetimit parlamentar. Dhe që me shumë gjasë, ndryshe nga objekti i hetimit, që premtonte të zbulonte mëkatarët, do të shënjohet nga fitorja e padiskutueshme e parlamentarizmit në vend; atë që maxhoranca e dha, por opozita nuk mundi ta festojë, që optimistët e paktë do ta regjistrojnë si akt, kurse skeptikët e shumtë do ta refuzojnë si fakt.

Në harkun e pothuaj nëntë vjetëve, kryeministri Edi Rama citoi për herë të dytë një nga filmat e tij të preferuar, “Rashomon”-in e një prej japonezëve më të famshëm në botë, Akira Kurosawa, si një referencë për bashkekzistencën në të njëjtën kohë të të vërtetave alternative; madje katër të tilla, që janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Herën e parë e ka përmendur në nëntorin e largët të 2013-ës në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës, që tashmë nuk ekziston më, kur fliste për refuzimin e ardhjes në Tiranë të armëve kimike siriane dhe atij ju desh të përballej me amokun e të paditurve, llogaritë ndryshe të të diturve dhe zemëratën e sinqertë të të mirëve që u bënë të gjithë bashkë në turmën kundër tij. Deputetja hetuese Tabaku, asokohe nënkryetare e bashkisë së Tiranës, e kishte të vështirë edhe atëherë, por edhe tani, që të kuptonte se tentativa e saj për të zbuluar fillimisht djallin dhe pastaj për të refuzuar ndonjë nuancë të mundshme gri në veshin e tij, nuk kishte asnjë diferencë me tentativën e dëshmitarit të saj kryeministër, që dëshmonte për ëngjëj, që nuk kishin asnjë njollë në fluturimin e tyre epik në një Shqipëri shumë më të pastër se dje.

Nuk janë gjëkundi 430 milionë euro të zhdukura, sepse ato nuk kanë dalë akoma nga thesari, por ka një seri arrestesh që mund të pasojnë Kokën për çështje procedurash, Shqipëria është shumë herë më e pastër se dje, por a janë njerëzit e përzgjedhur për ta bërë këtë më të mirët dhe më të lirët për të bërë këtë pastrim? Këto katër skaje të të vërtetave alternative, u dëgjuan fort nga Rama në komision dhe Tabaku si drejtuese që verifikoi dhe njëherë rëndësinë e shprehjes: nuk ka rëndësi rezultati, por marrja pjesë.
Të ngujuar secili në të vërtetat e veta, dy anët e ballafaqimit parlamentar e dhanë një rezultat. Rama, por dhe njerëzit e tij demonstruan epërsi intelektuale e politike në lëndën që zotëronin, por mbi të gjitha, ulëritën diferencën në aftësinë për njohjen dhe funksionimin e administratës.

Ahmetaj, që ishte në syrin ciklonit, e dëshmoi veten dorë jashtë, Balluku dha leksione aritmetike në një sallë ku dukej se numrat ishin marrë me shkelma, Gjiknuri që duhet ta shihte shfaqjen nga zyra për shkak të rolit të munguar, u tall pafund me ish-shoqen e gjimnazit sikur të ishte mësues i keq, Veliaj u soll si psikolog përballë pacientësh në kriza ankthi, kurse Agaçi, njeriu që lartësoi zgjedhjen e tij për të mbajtur profil të ulët, u soll si një ëngjëll i administratës nga pikpamja e respektit dhe mirësjelljes së frikshme që demonstroi.Padurimi është një këshilltar i keq.

Së paku që nga dhjetori i vjetshëm kur u arrestua Lefter Koka, dikush duhet t’i tregonte Lulzim Bashës që më shumë se oërt qyl televizivë që morri me komisionin hetimor, do t’i vlente shumë më shumë që të hiqte dorë prej tij. Duke dashur fetën e suksesit të tij të vogël politik, në garë me gjysmën tjetër të opozitës, ai i ka shërbyer Ramës si avokat në çështjen që po heton SPAK-u. Pikërisht sepse u soll si prokuror i keq. Komisioni i tij, duke u mbivendosur me hetimin penal, i ka dëmtuar rëndë veprimet e SPAK-ut, të cilat askush nuk do të mund t’i parashihte sesi do të ishin pa fantazmën e komisionit në mes.

Edhe njëherë si përherë, Edi Rama ja hodhi dhe fitoi mbi të. Kësaj here jo duke e refuzuar, por duke e pranuar. Jo duke ju shmangur, por duke e përballur në një fushë që ai dhe njerëzit e tij janë superiorë. Rama në orët e gjata të debatit parlamentar, dha një provë tjetër që edhe nëse në rastin më të keq që ai nuk do të ishte zgjidhja më e mirë për shqiptarët, vazhdon të jetë zgjidhja më pak e keqe apo edhe më tej akoma, është zgjedhja e vetme për ta. Mbasi të ftohen pasionet, maksimumi tre ditë më pas, do të kuptohet se e gjithë kjo histori pati një fituese të qartë. Dhe ajo është Jorida Tabaku, e cila triumfoi në ambicjen e saj për të dëshmuar se në PD-në pa Lulzim, vlen më shumë se Grida, siç beson Gazi dhe jo siç do të donte Ervini të ishte.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja