Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Gazment Bardhi

Nëse Sali Berisha është mbreti i kurorëzuar, Gazmend Bardhi është princi i errët i inkoherencës. Të dy së bashku, në një listë ku nuk mungojnë as politikanët më të rëndësishëm shqiptarë. Berisha dhe Bardhi janë at e bir në zanatin e mohimit total të asaj që kanë pohuar më parë si të vërtetë absolute, të pranimit të krejt të kundërtës të asaj çfarë kanë refuzuar me ngulm, ustallarë abrakadabra në zanatin e të bërit mik të armikut dhe për t’u sjellë me armiqësi brutale me ish-miqtë. Në çdo rast dhe rast pas rasti, sa herë që interesi ju ka lypur, ata nuk kanë hezituar të përmbysin tryezën që kishin shtuar vetë për gosti dhe për të bërë gosti në tryezat e gjithë dynjasë. Edi Rama e Ilir Meta, për shkak të jetëgjatësisë në politikë, kanë notuar në të njëjtat ujëra të errëta, kur rrjedha e interesit i ka çuar në drejtim tjetër, në të njëjtën luhatje lavjerësi mes skajesh që kundërshtojnë njëri-tjetrin, por më së paku ata përfaqësonin dy parti të ndryshme.

Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë, brenda të njëjtës familje politike si Berisha e Bardhi. Askush si ata nuk ka konsumuar atë vlagë urrejtjeje të dikurshme dhe dashurie reciproke të tashme që çmend edhe kujtesën e google-it. Dhe mbi të gjitha, formulimin e gënjeshtrës publike që as nuk skuq zvjerdhjen dhe as nuk zverdh skuqjen nga turpi publik, kur interesi dikton ndryshe. Dilema nëse e ka kallëzuar apo jo vëllain e kryeministrit, Ramën Jr., ishte vetëm stacioni i fundit i një marrëzie që ka për autor absurdin. Ose ka, ose nuk ka kallëzim penal dhe vetë SPAK-u thotë jo! “Askush nuk na ka trokitur në derë, ndaj nuk ka asnjë kallëzim mbas dyerve tona”, ishte sqarimi i fundit që nuk skuqizverdhi Bardhin.

Deri në momentin e kapërcimit të ylberit të radhës, Bardhi, ose fenomeni Gaz në pandeminë parapolitike shqiptare, ishte padyshim një nga dy-tre deputetët e vetëm opozitarë që ka pasur një bilanc konkret. Madje të lavdërueshëm dhe të jashtëzakonshëm. Autor i ekzekutimit politik të një numri mbresëlënës deputetësh të maxhorancës apo kryetarësh bashkish, askush si ai nuk ka shfrytëzuar fushën e veprimit të ligjit të dekriminalizimit. I qartë dhe i artikuluar, metodik dhe cinik në atë luftë me disa beteja të njëpasnjëshme, Bardhi trysnoi opinionin publik me zbulimet e tij për të shkuarën e tyre dhe u bë shkas për ndëprerjen e mandateve të marra në kundërshtim me ligjin. Edhe pse i llogaritur dhe i pjesshëm – në dosjet e tij janë të paktën dy emra drithërues të majtë, viktima direkte të dekriminalizimit, që ai po i kursen për arsye të tjera – me standartet e Tiranës, llogaria dhe orientimi nuk hyjnë në listën e mëkatëve politike. Dhe askush nuk mund ta fajësojë atë. Ajo çka e bën atë princ dhe pasardhës të Berishës është krejt tjetër gjë. Eshtë pirueta alogjike që ai morri së paku në harkun e një viti e gjysmë. Duke nisur me dimrin e vitit të shkuar, kur nga krahu i djathtë i ish-shefit të tij Basha, ai zgjodhi supin e Saliut për t’u mbështetur për bastin e tij personal. Kush ka harruar – dhe në Tiranë kujtesa është vetëm virtyt i google – mund të shënjojë ashpërsinë e tij me Sali Berishën mbas përjashtimit të ish-kryeministrit nga grupi PD.

Asokohe Bardhi ishte zëdhënës i grupimit që nuk e falte për asgjë “babin e Zenit” dhe nuk kursente për parim as vilat e Nokës e Shehut dhe as banditët trafikantë që i shërbenin njerëzve të partisë së tij. Sa më shumë heshtte Basha, aq më shumë shpërthente Bardhi që kishte marrë flamurin amerikan për të mposhtuar antiamerikanët e partisë. Njëlloj si ai, edhe një numër mbresëlënës demokratësh që non grata-n e shihnnin si vijë ndarëse mes të mirës dhe të keqes në parti dhe si ylberin që nuk mund ta kapërcehej për asnjë arsye. Por në fakt arsyet u shpikën dhe ylberi u kalua në mënyrën më të pabesueshme. Njëri pas tjetrit, si delet në shpellën e Ciklopit, ata dolën nga dyert e blinduara të PD-së për t’u përqafuar me Ciklopin e tyre sepse “…ky ishte vullneti i bazës së partisë”.

Por kjo është vetëm ajo që duket dhe dukja përgjithësisht është gënjeshtare. Thelbi qëndron gjetkë. Me teknologjinë e puthjes aty ku kishte pështyrë, Gazmend Bardhi më së shumti, po tenton të imponohet në parti me një skemë të qartë: Pavarësisht formës, unë jam e njëjta gjë me Berishën! Pavarësisht se do të humbasim në 2025-ën, unë do të firmos listat e 2029-ës. Ky është thelbi i arsyeve për mozaikun e ri të interesave, aleancave, miqësive dhe armiqësive të reja në PD. Të raporteve të ndërlikuara mes Bardhit e Këlliçit, për shembull dhe një serie emrash të tjera që notojnë në të njëjtat ujëra inkoherence apo edhe hijes së zonjës Malltezi si trashëgimtare në tribunën e nesërme.

Edhe përdorimi i skandaleve të qeverisjes, e mbi të gjitha, edhe kryqëzata kundër bashkisë së Tiranës ka në thelb të njëjtën teknologji e të njëjtën prapaskenë. Përtej dobisë publike të denoncimeve, e pathëna e tyre është një luftë faktorizimi për pozicionet në PD-në e nesërme sërish në opozitë, por dhe një sy i shkelur ndaj rrymave të nëndheshme e kundërthënëse në PS. Një luftë në të cilën, për paradoks, vetë skifterët e PD-së, shkojnë të rreshtuar në aleanca fluide me disa nga kundërshtarët e tyre në dëm të disa të tjerëve.

Kur ta kuptojnë se po gabojnë disa fish, kur aksionet e tyre, fjala vjen, në vend që të rrënojë siç duket se duan, po forcojnë Veliajn në PS, kur në vend që të yshtin ndarje mes tij dhe Ramës, vetëm i japin zë tezës së besnikërisë së bashkiakut për qeveritarin që i mbeti besnik edhe kur të tjerët kishin ikur në vitet 2011-2013, kur në vend që të defaktorizojnë SPAK-un, e bëjnë më të rëndësishëm atë institucion, me siguri do të jetë vonë. Do të jenë vonë në dëshpërimin e tyre që ndjek pyetje-përgjigjet: Ku ishe? Asgjëkundi! Çfarë bëre? Hiçmosgjë! Sepse pavarësisht sesi do të ndodhë, princi i inkoherencës, së paku në projektin e tij, kërkon të bëhet pasardhës i mbretit Sali dhe njeriu që do të firmosë listat për deputetë në vitin e largët 2029. Së paku ky është shpjegimi se pse Gazi është kundër Bardhit dhe pothuaj të gjithë janë kundër Gaz Bardhit në PD. Dhe për paradoks, si vëzhgues i hollë i dobësive njerëzore, edhe vetë Edi Rama, në mungesë të Sali Berishës, me siguri do të zgjidhte pikërisht Bardhin për kryetar të PD-së./ Java

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pak a shume: 26/04/2024 16:43

    Idjot kronik ky lenci pende arti. Kokrra debilit qe i duket sikur flet fjale te medha po qe ne fakt skupton cfare shkruan. Imagjino sa i kuptueshem eshte para patronazhisteve ky ikone e analizes se banaqeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite