Opozita ka shprehur kundërshtimin ndaj kalendarit të punimeve të Kuvendit duke e cilësuar atë si joeficent për zhvillimin e një debati parlamentar cilësor.
Kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se përfshirja e 15-20 projektligjeve në një seancë e bën diskutimin formal dhe pa efekt real.
“Po i bëni seancat joeficente. Kalendari nuk duhet të jetë mekanik, duke e mbushur me projektligje që kalojnë pa debat dhe pa vëmendje. Ne duhet të diskutojmë dhe ta bëjmë sa më efektiv diskutimin parlamentar. Kjo është arsyeja pse ne jemi kundër kalendarit. Të gjejmë mundësinë që debati të jetë sa më efektiv”, është shprehur Bardhi.
Seanca e 21 majit parashikon një rend të ngjeshur dite me 10 interpelanca, 3 projektligje e 1 projektvendim.
Konferenca nuk arriti dakordësi lidhur me çështjen që i kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Pika e dytë në rendin e ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjës, “Për ngritjen e Nënkomisionit për Administratën Publike" që u miratua.
Komente









