Në serinë gjithmonë e më të gjatë të dosjeve përvëluese të SPAK-ut, pavarësisht se rasti nuk i ngjan rastit, një gjë është e pandryshueshme për seclin prej tyre. Individët nën akuzë kanë lënë gjurmë të tmerrshme të vetinkriminimit të tyre. Kryesisht celularë, por edhe pronësi ulëritëse. Stil jetese tërësisht i pajustifikueshëm. Hedonizëm, makutëri e panginjur e vanitet ekstrem. Një mënyrë direkte që shërben si dëshmi se bankomati i financimit të tyre vjen nga shpërdorimi i detyrës dhe përdorimi i saj për përfitime vetjake.

Dosja në ngarkim të ish-zëvendëskryeministes është bazuar fillimisht në të dhëna të furnizuara nga telefonatat e një prej vartësve të saj, që me skrupulozitetin e një “prokurori”, fiksonte prova kundër saj dhe vetes.

Një dyzinë me aparate celularë janë shndërruar në dhembjen e kokës të Presidentit Meta, që po hyn në vitin e tretë të paraburgimit paradënues.

Erion Veliaj do të donte shumë që të mos kishte ekzistuar kurrë mundësia e blerjeve online, lehtësisht të gjurmueshme, të cilat i bënë gjëmën në paragjykimin publik që i është bërë.

Personazhe të tjerë, më pak të rëndësishëm se ta, po i provojnë memoriet e telefonave si makthin e tyre. Po kështu edhe kompiutera, karta memorieje, hard disqe, usb e të tjera.

Tre vjet më parë, kur në fillim të verës hetues të BKH-së u stacionuan në hyrje të një prej resorteve më të njohur në vend, përkundër porosisë për zyrtarët e lartë që të mos shkonin aty, pjesa dërmuese e pronarëve të vilave, duruan deri në mes të gushtit. Dhe bënë kontrata fallso qeraje për të pushuar në pronat e tyre të regjistruara me emra të tjerë. Si për të mos ju shmangur përsëri garës që kishin me njëri – tjetrin se kush kishte siguruar më shumë luks në bregun e Jonit. Të gjithë në të njëjtin vend si dëshmitarë të mëkateve të njëri – tjetrit, miq që shndërroheshin në armiq e anasjelltas dhe aleatë të përkohshëm që i faleshin kultit të vanitetit.

Ora, bizhu, udhëtime ekzotike, dashuri të shtrenjta e të fshehta, veshje e sjellje tipike prej atyre që rëndon quhen “Nouveau riche”, të pasurit e rinj, u bënë pjesë e identikitetit të “aristokracisë” së re e të improvizuar shqiptare.

“Nëse nuk di të fshehësh, mos vidh!”, ka qenë një këshillë e mencur që sëra e budallenjve me pushtet, në pozitë e opozitë e kanë kthyer përmbys: Nuk vlen të kesh, sa kohë nuk e tregon dot!

Dhe përsëri telefonat. Përgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj dhe të tjerat që pritet të dalin, tregojnë një nivel mjeran të dikujt që mendohej si ‘Gjeni i biznesit’, por që pranonte mendjelehtësisht e mendjemadhësisht se ishte “caktuar të bënte punën e liga të shtetit” duke hapur kështu një humnerë që ende nuk dihet sa e thellë është.

Ish-drejtuesja e SHISH dhe Agasi e shënuan së fundmi emrin e tyre në këtë listë marrëzie. Eshtë e pabesueshme sesi ata vijonin komunikimin edhe mbasi mund të merrej lehtësisht me mend se telefonatat e tyre përgjoheshin. Kur zonja Hyseni minimalisht duhet ta dinte për shkak të detyrës, se vec shqiptarëve, edhe faktorë të tjerë mund të ishin të interesuar të jepnin prova për inkriminimin e tyre.

Njëlloj si njerëzit e politikës, edhe kolegët e tyre në botën e krimit, po ndëshkohen nga telefonat. Komunikimet e kriptuara, në të cilat ata flisnin paprerë si adoleshente të dashuruara, për vrasje, gjoba, drogë, politikë, vota, prona e para, janë shndërruuar në indicije për të prodhuar provat kundër tyre.

Eshtë vërtet trilemë tronditëse e pa shpjegim: janë vërtet kaq budallenj të gjithë, janë naivë e të marrë apo kanë qenë thjesht të sigurt se nën shputat e tyra të arta, nuk do të aviteshin kurrë gjembat e hidhur të ndëshkimit? Ju leverdis më mirë të vetëquhen idiotë!/Java News