Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) përmes deputetit Luan Rama, shprehu sot mbështetjen në Kuvend për ligjin e ri të Policisë së Shtetit, i cili tha ai, i jep mbështetje, garanci sdhe inkurajim ligjor strukturave policore në përmbushjen e detyrimit të tyre kushtetues.

"Ligji i ri 'Për policinë' nuk është magjia në luftën kundër krimit e kriminalitetit dhe as magjia e garantimit të rendit publik, pasi ato janë çështje e të gjithë shoqërisë. Por, ligji i jep mbështetje, garanci ligjore dhe inkurajim ligjor strukturës së policisë në përmbushjen e detyrimit të saj kushtetues. Pas miratimit të tij në Kuvend presim që policia të jetë tjetër gjë në komunikimin me publikun dhe të fitojë besimin e tij", u shpreh deputeti Rama gjatë diskutimit të p/ligjit "Për Policinë e shtetit".

Ai tha se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sistemi i gradave, autoriteti dhe roli i drejtorit të përgjithshëm të Policisë dhe Garda e Repubilkës, janë katër çështjet për të cilat ne kemi pasur rezerva gjatë diskutimit në komisionet parlamentare. Duke u ndalur tek çështja e gradave dhe karrierës, deputeti Rama tha se pr/ligji nuk ofron një model efikas, përkundrazi ofron demotivim për karrierën.

Duke pohuar se ligji i ri nuk hap një rrugë të re në zhvillimin e Policisë, Rama pranoi se ai është një reflektim i politikës, ndaj gabimeve që ajo ka bërë në vite ndaj Policisë së Shtetit. Ai gjithashtu vlerësoi rikthimin e arsimit të lartë policor, heqja e të cilit ishte një gabim fatal. /ATSH/