Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka reaguar në një deklaratë për mediat pas protestave të maturantëve  për problematikën e krijuar për shpalljen e fituesve në universitete.

LSI deklaron se reforma në arsim ka krijuar problematika për pranimin e studentëve në Universitet.

Sipas deputetes së LSI, shqetësimi i maturantëve është i justifikuar. Ajo i kërkon ministrisë së Arsimit që të jetë bashkëpunuese dhe të reflektojë për situatën e krijuar.

Deputetja e LSI deklaron se maturantët duhet të ishin njohur më herët me ndryshimet dhe MAS duhet të koordinohet me Universitetet.

Sipas deputetes se LSI, kriteret për aplikimin në universitet duhet të ishin ato të vendosura që ditën e parë kur nxënësit filluan shkollën e mesme dhe rregullat e reja nuk duheshin bërë të vlefshme për ata që kanë filluar me një rregullore tjetër.

"Shqetësimi i maturantëve është i justifikuar. Kemi identifikuar disa probleme, kerkojme reflektim nga MAS. Të mos krijohet konfuzion me maturantët. Maturantët duhet te ishin njohur për ndryshimet më herët. Mas duhet të koordinohet me universitetet. Ka një moskoordinim të ministrisë.  Ndryshimet në ligjin e arsimit të larte nuk duhet të bëheshin tani. Kriteret e pranimit të deklaroheshin që në fillim të shkollës. Mas të vazhdojë punën dhe të jetë pranë gjimnazistëve, procedurat të jenë të hapura dhe transparente", deklaroi Mehmetaj.

Deputetja Mehmetaj fton gjimnazistët që të jenë bashkëpunues dhe të presin fazat e tjera.

"Ftojmë gjimnazistet që të jenë bashkëpunues dhe të presin fazat e tjera. E vetmja mënyre e mirë për ta kaluar këtë cështje është që të jemi pranë gjimnazistëve. Duhet të jemi sa më pranë tyre. Maturantët të jenë sa më parë në bankat e universiteteve", tha deputetja e LSI.


Deklarata e plotë e deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj

Kemi përcjellë me shumë përgjegjësi shqetësimin e mijëra maturantëve lidhur me pranimet në universitete.

Një situatë e tillë mund të kapërcehet vetëm me një dialog të hapur dhe me transparencë të plotë për qartësimin e kësaj situate.

Natyrshëm kërkohet edhe durim me qëllimin final, gjetjen e zgjidhjes më të mirë për ato mijëra gjimnazistë të cilët kanë aplikuar për të vazhduar studimet e larta.

Komunikimi gjakftohtë dhe reflektues që i hap rrugë zgjidhjes, është shërbimi më i mirë për tejkalimin e një situate e cila ka krijuar paqartësi dhe nervozizëm, si pasojë edhe të peshës sociale që ky problem mbart për gjimnazistët dhe familjet e tyre. Për një çështje kaq delikate për familjet shqiptare është e rëndësishme që diskutimet të bëhen me konstruktivitet dhe të evitojmë shfrytëzimin dhe politizimin e kësaj situate.

Duke analizuar në tërësi procesin e deritanishëm dhe duke u bërë pjesë e këtij shqetësimi, vlerësojmë se ka disa momente të cilat duheshin trajtuar me përgjegjësi të lartë për të evituar konfuzionin dhe konfliktin e krijuar.

Është një qëndrim jo i drejtë aplikimi i kritereve të reja në periudhën e përfundimit të shkollës së mesme. Kriteret për aplikimin në universitet duhet të ishin ato të vendosura që ditën e parë kur nxënësit filluan shkollën e mesme dhe rregullat e reja nuk duheshin bërë të vlefshme për ata që kanë filluar me një rregullore tjetër.

Një nga arsyet që ka komplikuar më tej situatën është edhe mungesa e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve. Pasojat e këtij moskoordinimi i vuajnë të rinjtë gjimnazistë dhe familjarët e tyre të cilët po kalojnë nëpërmjet vështirësish të pamerituara.

Kemi konstatuar gjerësisht një punë të dobët sa i takon informimit të gjimnazistëve për kriteret e reja. Duhet të ishte një detyrim për të gjithë stafin akademik informimi i vazhdueshëm dhe asistimi i nxënësve në përzgjedhjen e lëndëve, por edhe në plotësimin e saktë të formularëve.

Kemi ngritur shpesh nevojën për ndërhyrje në ligjin për arsimin parauniversitar, i cili do të përshtatej me ligjin e ri për arsimin e lartë, për të evituar paqartësitë dhe përplasjet. Mendojmë se kjo nismë, pra ajo e miratimit të një ligji të ri për arsimin parauniversitar duhet ndërmarrë sa më parë.

Gjithashtu, në vijimësi kemi ngritur shqetësimin për miratimin në kohë të akteve nënligjore për zbatimin e drejtë të ligjit të ri për arsimin e lartë, të cilat do të zgjidhnin në kohë këto probleme dhe do i hapnin rrugën zbatimit real të ligjit.

Duke vlerësuar në tërësi të gjithë situatën, si edhe duke nxjerrë mësimet e duhura, ne nxisim Ministrinë e Arsimit dhe drejtuesit e Universiteteve që të tregohen sa më të hapur, të duruar dhe komunikues për të sqaruar çdo moment të këtij procesi, në mënyrë që mijëra gjimnazistë të gjejnë veten e tyre në aulat e universiteteve tona.

Njëkohësisht ftojmë gjithashtu gjimnazistët dhe familjarët e tyre, si pjesa më e rëndësishme e këtij procesi, të jenë sa më bashkëpunues për ta tejkaluar këtë moment i cili ka krijuar shqetësim. Shqetësim ky i kuptuar pasi lidhet me të ardhmen e mijëra familjeve shqiptare, për të cilët arsimi i fëmijëve të tyre është një aspiratë shumë e rëndësishme.

Është e rëndësishme që për finalizimin e drejtë të këtij procesi, të ndiqen hapa konstruktivë dhe në shërbim të së ardhmes së mijëra maturantëve.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com