Burime nga policia bënë të ditur se gjithçka ndodhi për shkak të një loje me pistoletë, me të cilën Besnik Pudja, luante vazhdimisht. “Besnik Pudja u vetëvra aksidentalisht”, thanë burimet nga policia duke hedhur dritë mbi ngjarjen në fjalë.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për një pistoletë të tipit TT, që nuk zbraste nëse tyta e armës ngjishej mirë pas trupit. Nga marrja në pyetje e 3 miqve të Pudja, që ndodhen në paraburgim për moskallzim krimi, mësohet se 36-vjeçari herë përdorte plumba që nuk plasin, por herë-herë e mbushte pistoletën dhe me plumba të vërtetë.
“Pudja luante vazhdimisht një lojë guximi me pistoletën. E mbushte me plumba dhe më pas e vendoste duke e ngjeshur fort në kokë. Aty lëvizte këmbëzën duke menduar se nuk do të shkrepte. Këtë lojë guximi, e kishte bërë dhe me miq, duke ua vënë pistoletën në kokë dhe duke e shkrepur”.
Nga hetimet e kryera, pistoleta nuk zbrazi kurrë, deri në momentin e para pak ditëve, kur Pudja e vuri në kokë dhe luajti sërish, ‘Lojën e guximit’.
“Kemi informacione që Besnik Pudja e vuri pistoletën në kokë dhe kreu shkrepje me armën e prishur”.
Dyshohet se Pudja mund të ketë ngatërruar dhe plumbat, theksohet nga hetimet.
Ndërkohë, Besnik Pudja dhe tre shokët e tij ishin kultivues të rreth 3000 rrënjëve kanabis në fshatin Urë, Kollagjesh.
Ne foto, Besnik Pudja
Arrestohen 3 persona për moskallëzim krimi e kultivim kanabisi
Policia po hetonte prej ditësh për trupin e pajetë me plumb në kokë që u gjet në Shën Gjergj.
Sot, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 4, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit e shpallur në kërkim, Halit Dusha, 37 vjeç, banues në Tiranë.
Kurse një ditë më parë, në prangat e policisë kanë rënë Alges Liçi, 19 vjeç, banues në Tiranë si dhe Dritan Buzo, 30 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Sipas Policisë, ndalimi i këtyre shtetasve është bërë për arsye se keta dyshohet të kenë qenë të pranishëm në ngjarjen ku dyshohet se ka vrarë veten shtetasi Besnik Pudja. Nga hetimet e kryera këta dy shtetas kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe janë përpjekur për ta fshehur atë.
Ekspertiza mjeko-ligjore
Besnik Pudja është gjetur i pajetë më 7 Tetor rreth orës 14:00 me një plagë me armë zjarri në fshatin Kollogjesh të Komunës Shën-Gjergj në Tiranë.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, i vrari Pudja, kishte një plagë me vrimë hyrëse në pjesën pranë veshit nga pas kokës dhe dalëse në pjesën pranë syrit.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, policia gjeti trupin e viktimës, i cili ishte qëlluar me armë zjarri. Po ashtu aty pranë trupit ishte edhe një armë zjarri pistoletë “TT”, e mbushur.
Nga kqyrja, policia vuri re se se arma kishte kryer një qitje nisur edhe nga fati se i vrari ishte qëlluar një herë në kokë. Viktima sipas policisë kishte marrë një plagë në kokë.
(d.b/Shqiptarja.com)