Një 22-vjeçar ka plagosur me armë babain e tij në Durrës, pasi nuk duronte dot që ai t’i kërkonte llogari.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se plagosja mbrëmjen e djeshmë në Durrës ka ndodhur pas një debate mes Madrit Mone dhe babait të tij, 51-vjeçarit, N.Mone.

Babai i ka kërkuar llogari djalit të tij se përse vinte vonë në shtëpi, por 22-vjeçari, i cili dyshohet se ka qenë në efektin e alkoolit e ka qëlluar me armë.

“Pse vjen vonë në shtëpi? Më kë shoqërohesh? Nuk duhet të rrish rrugëve, por të punosh”.

Këto janë fjalët që 51-vjeçari i ka thënë djali të tij. Por 22-vjeçari nuk ka pranuar që i ati t’i kërkojë llogari dhe e ka qëlluar me pistoletë në këmbë, duke e lënë të plagosur, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se autori dhe vëllai i tij janë persona me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër narkotikëve.

Madrit Mone ka qenë dy herë i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ai është liruar nga burgu në vitin 2015.

Autori i plagosjes së babait të tij njihet si përdorues i lëndëve narkotike. Pas krimit ai është larguar nga banesa. Policia po punon për kapjen e tij.

Mone i denuar dy here
Shtetasi Mardit N. Mone, 22 vjeç, autori i ngjarjes së mësipërme është dënuar dy herë përkatësisht në vitin 2011 është vendosur masa e sigurisë "Arrest me burg"për veprën penale "Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike". Me Vendimin Nr.910, datë 23.10.2014 Gjykata e Rrethit Gjyqesor Durrës e ka dënuar me 14 muaj burgim për veprën penale" Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike". Ka dalë nga burgu në vitin 2015.

Gjithashtu edhe i vëllai i tij, shtetasi E.M. 32 vjeç është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vedimin Nr.585, datë 14.09.2011 me 4 vjet burg për veprën penale" Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".

Njoftimi i Policisë
Më datë 06.10.2016, në banesë, në lagjen Nr.16, Durrës është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi N.M.51 vjeç.

I plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.

Me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje Efektivat e Policisë, të cilët në sajë të veprimeve hetimore të menjëhershme kanë bëre të mundur identifikimin e autorit. 

Plagosja ka ardhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta që i dëmtuari ka pasur me djalin e tij shtetasin M.M. 25 vjeç.

Ky I fundit në debat e sipër ka qëlluar me armë zjarri, në këmbë babain e tij me një
pistoletë të kalibrit të vogël.

Autori është person me precedentë penalë të mëparshëm më fushën e veprave penale kundër narkotikëve.

Policia po punon për kapjen e autorit, konkretisht shtetasin Mardit Mone.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com