‘Shërbimi i Jashtëm’, më shumë
përfaqësi të diplomacisë në botë

‘Shërbimi i Jashtëm’, më shumë<br />përfaqësi të diplomacisë në botë
Kuvendi miratoi kete jave me 75 votat e deputetëve të maxhorancës ligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, që synon përmirësimin e funksionimit të tij, përmes misioneve diplomatike.

Në relacionin e këtij ligji thuhet se, qëllimi i ligjit është rregullimi i veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Përgatitja e këtij ligji “Për shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” erdhi si një domosdoshmëri e kohës. Dy ligjet e mëparshme, ai i vitit 1998 dhe ai i vitit 2003 krijuan dhe konsoliduan një shërbim të jashtëm modern, i cili u është përgjigjur detyrave të ngarkuara nga Kushtetuta dhe nga programet e qeverive. Periudha mbi dhjetëvjeçare që ka kaluar nga ligji, i cili aktualisht është në fuqi ka bërë të nevojshëm rishikimin edhe të këtij akti me synim për t’ia përshtatur interesave të kohës.

Ligji reflekton ato ndryshime të detyruara të cilat kërkohen nga ana e ligjit nr.152/2013, datë 30.5.2013 “Për nëpunësin civil”. Konkretisht, në projektligjin aktual nuk trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me rekrutimin në shërbimin e jashtëm apo çështje të disiplinës në punë në këtë shërbim. Këto çështje gjejnë një rregullim të plotë në ligjin për nëpunësin civil, pjesë i të cilit është edhe shërbimi i jashtëm.

Sipas relacionit, ligji për Shërbimin e Jashtëm është në përputhje të plotë me programin e Këshillit të Ministrave dhe një instrument shumë i rëndësishëm i zbatimit të programimit të politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Përgatitja e këtij projektligji ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme në zbatim të detyrave në fushën e politikës së jashtme që bëjnë pjesë në programin qeveritar.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm, në ndryshim nga ligji aktual, sjell disa risi dhe efekte pozitive që synojnë konsolidimin e mëtejshëm të këtij shërbimi mbështetur në karrierën diplomatike. Kështu ligji rregullon me mirë fushën e kompetencave të Shërbimit të Jashtëm dhe raportet me institucionet qendrore dhe vendore në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Zgjerohen hapësirat e përfaqësimit diplomatik dhe konsullor në përputhje me dinamikën e zhvillimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare; Po ashtu, rregullohet në mënyrë më të qartë procesi i emërimit dhe mbarimit të mandatit të kreut të misionit diplomatik dhe postit konsullor dhe personelit diplomatik e konsullor.

Gjithashtu përcaktohen në mënyrë më të saktë raportet e ndërvarësisë dhe koordinimit ndërmjet strukturave të shërbimit të jashtëm. Duke qenë se punonjësit e Shërbimit të Jashtëm bëjnë pjesë në administratën civile, ky projektligj krijon një marrëdhënie harmonike me ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”; Përcaktohen kritere profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës mbështetur në nivelet e tyre akademike; Gjithashtu, sanksionohet statusi i diplomatit të karrierës ku përcaktohet ecuria e karrierës diplomatike bazuar në aftësitë profesionale; Sigurohen pastërtia dhe siguria e figurës së diplomatit të karrierës. Përcaktohet në mënyrë më të qartë përfshirja në misionet diplomatike dhe postet konsullore të personave jashtë karrierës diplomatike; 

Me anë të këtij ligji synohet krijimi i një hierarkie më racionale në strukturën e gradave diplomatike. Përcaktohen kritere më të sakta dhe bashkëkohore për trajtimin financiar të diplomatëve jashtë vendit; Rregullohet për herë të parë dhe në mënyrë të plotë dhe në përputhje me praktikën e vendeve me kushte të ngjashme me Shqipërinë, trajtimi i familjarëve që shoqërojnë diplomatët jashtë vendit, duke zgjidhur një problem që ka ndikuar negativisht në standardet e jetesën e tyre.


Ligji është në përputhje me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”. Njëkohësisht, në hartimin e tij janë marrë për bazë legjislacionet analoge të disa vendeve të Bashkimit Evropian dhe të rajonit.
 
Ministri Bushati ne Komisionin e Jashtem

Sipas relacionit, zbatimi i këtij ligji sjell si domosdoshmëri një rritje në planin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në buxhetin e Shërbimit të Jashtëm. Kjo rritje do të shërbejë për të justifikuar zgjerimin e aktivitetit diplomatik në të ardhmen me synim mbrojtjen më të mirë të interesave kombëtarë dhe realizimin me sukses të programeve qeveritare në fushën e politikës së jashtme.

Risitë që sjell projektligji synojnë afrimin e veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm shqiptar me standardet e vendeve me kushte ekonomike e financiare të ngjashme me vendin tonë, si edhe rritjen e imazhit të këtij shërbimi në botë.

Ligji krijon hapësirat e nevojshme për një miradministrim të fondeve në dispozicion të Shërbimit të Jashtëm në varësi të prioriteteve të politikës së jashtme. Ky element lidhet kryesisht me mbështetjen financiare të përfaqësimit diplomatik dhe konsullor jashtë vendit, i cili aktualisht përbën 84% të të gjithë buxhetit vjetor të këtij shërbimi. Ligji vendos parime më të drejta përsa i përket trajtimit financiar të diplomatëve jashtë vendit bazuar në kushtet e vendit ku ato janë akredituar, ndërkohë që për trajtimin financiar të diplomatëve të karrierës në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të zbatohen të njëjtat kritere si në ligjin aktual. Ndërkohë, nevojitet një shtesë vjetore në buxhetin e Shërbimit të Jashtëm për të mbuluar trajtimin financiar të familjarëve të diplomatëve jashtë vendit dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Kjo shtesë përllogaritet në masën 207 028 000 lekë në vit. 

Ky trajtim financiar zgjidh një ndër problemet themelore sociale me të cilat është ndeshur ndër vite Shërbimi i Jashtëm duke ndikuar drejtpërsëdrejti në kushtet e jetesës së diplomatëve dhe imazhin e tyre jashtë vendit. Trajtimi financiar i familjarëve të diplomatëve jashtë vendit është një praktikë normale që aplikohet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë vendet e rajonit tonë dhe ky projektligj synon afrimin me standardet e këtyre vendeve. Gjithashtu, vlen të theksohet se një praktikë e ngjashme aplikohet dhe për familjarët e ushtarakëve shqiptarë të angazhuar në misionet jashtë vendit.


Marrë nga /ATSH/

Redaksia Online
(F.I/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet në Vlorë, reshjet e 4 tetorit, më të mëdhajat e regjistruara ndonjëherë! Sinoptikania Gjoni: Këtë javë rriten temperaturat

Përmbytjet në Vlorë, reshjet e 4 tetorit, më të mëdhajat e regjistruara ndonjëherë! Sinoptikania Gjoni: Këtë javë rriten temperaturat