Luan Qendro, Saranda në syrin e një fotografi

Luan Qendro, Saranda në syrin e një fotografi

Fotografi Luan Qendro

Të gjithë qytetet janë si qenie të gjalla: lindin nga dy-tri gurë, rriten, krijojnë mure e kështjella, tempuj e mozaikë, mëpastaj zbardhen nga ngrehinat e reja e modrne, luksi dhe xhamaritë, rrugët, parqet; lulëzojnë, kridhen në dritë, shkëlqejnë nga bukuria, eleganca dhe ngazëllimi.

Arrijnë, pra, një vezullim. Një kulm. Por edhe plaken, rrënohen, humbasin, treten nën gërmadha dhe baltë. Ne s’po e zëmë fill këtë të fundit, sepse sot Saranda është pikërisht një qytet ne zhvillim urban. Rrënjën e ka që nga Onhezmi antik, ndoshta qysh nga legjenda kur Enea i Trojës mbërriti në Burtrint e gjirin e Sarandës, dhe në nder të babait të tij, Ankizit, e quajti atë gji-port Anhiz.

Por në këtë shkrim kjo s’ka shumë rëndësi. Ky qytet sot ka kaq shumë energji e dinamizëm në verë. Makutëria e biznesit të mbrapshtë edhe ia ka kafshuar brinjët, e ka ngritur padrejtësisht lart me shumëkatësha (si metafora e kullës së Babilonit për të konkurruar Zotin, dmth egua e përbindshme njerëzore). Por teksa e sheh nga kalaja e Lëkursit ku është edhe lokali i njohur, i bukur e joshës, apo nga Manastiri i 40 shenjtorëve, imazhi i qytetit bëhet drithërues, gati kartolinesk.

Eh!...

U zgjata disi me qytetin tim të lindjes, por tjetërkund e kam fjalën. Dua të flas për Luan Qendron. Fotografin Luan Qendro. Ky njeri i butë dhe artist është nga ata që ka ngjyer furçën piktorike të ruajtjes së imazhit të qytetit. Dhe ja tek e gjej në grimë të herës një lidhje mes tyre, qytetit dhe fotografit.

Puna e Luanit është si kronikat, anale ku është ngujuar imazhi i Sarandës në rrjedhën e kohës, njerëzit e tij, zhvillimi urban, deti dhe anijet, mali që e rrethon dhe pishat, bardhësia e godinave dhe shëtitorja ku hapëron, gjallon e vibron mishi i butë i jetës. Fotografia e tij është historia e qytetit tonë. Është udha e transformimit të tij nga disa barraka të dikurshme, nga ndërtimet e viteve ’60, ato të viteve ’70 e ’80 e gjer te ndryshimi i vrazhdët i imazhit të Sarandës së viteve ’90 e ‘2000. Një tjetër Sarandë. Një tjetër kohë. Të tjerë njerëz. E sërish po ajo, Saranda jonë. E sërish një memorie urbane dhe arkitektonike në lëvizje. I gjithë ky ndryshim e transformimim, kjo ecuri e ethshme e Sarandës në kërkim të së bukurës, të vetvetes, të së ardhmes është futur vite e vite në kutinë e errët të aparatit fotografik të Luan Qendros. Dhe gjithë pamjet që ai ka shkrepur në gjysmë shekulli janë kthyer në një mbamendje emocionale që grish nostalgjitë e të vjetërve dhe u jep krahë fantazisë futuriste të të rinjëve, që bën bashkë brezat, që legjitimon ndjesinë dhe dëshirën e përbashkët se si e duam më tutje qytetin tonë buzë detit e përballë Korfuzit. 

Luan Qendro lindi në Progonat të Kurveleshit, Tepelenë, më 12 janar 1943. Ishte një djalë i thjeshtë, por me dashuri për punën dhe peizazhin. Reljevet malore e alpine prej nga syri i tij ceku së pari lojën e vizioneve dhe bukurive, aty ku bashkohej toka me qiellin, lart ku bridhnin apo kuqëlonin retë në perëndim, sikurse gjelbërimi i harlisur, ndjenja e lirisë në bredhjet mes këtyre maleve, ndofta hynë thellë në shpirtin e tij qysh në fëmijëri dhe u bënë pjesë e dashurisë për relievin, për imazhin ku ndryhej madhështia, hapësira. Pasi mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, Gjirokastër, në vitet e ushtrisë fati e solli që një ushtarak zemërmirë  e pikasi talentin e tij dhe Luani ia nisi udhës së artit të fotografisë, çka u shndërrua shpejt në pasionin e tij të jetës. 52 vjet ai ka qenë fotograf në sektorin e propagandës në Shtëpinë e Ushtarakëve Sarandë. Gjatë kësaj periudhe ka çelur 8 ekspozita fotografike artistike, sikurse edhe me karakter dokumentues, ku janë përfshirë të gjitha fushat e jetës: ushtri, arsim, shëndetësi, bujqësi, urbanistika e qytetit të Sarandës (më së shumti), jeta sociale, kultura etj. Ai ka përgatitur një seri katalogësh me tematika të ndryshme dhe albume. Fototeka e tij përmban aktualisht 400 mijë negativë. Aty, sikurse e thashë, lëviz jo vetëm reljevi dhe pamja e ndryshueshme e qytetit nëpër vite, por edhe njerëzit, veshjet, antropologjia sociale, zakonet, ritet e doket, gjurmët ku kanë shkelur brezat njerëzor në këtë qytet dhe fshatrat e tij. Luan Qendro u bë shenjë e Sarandës, paçka se nuk kishte lindur aty. Por Saranda u bë qyteti i tij i vetvetishëm. Ai ka marrë pjesë me sukses në disa ekspozita fotografie në rang vendi si dhe ka çelur ekspozita vetjake, ku dallohen posaçërisht ato në Tiranë, Prishtinë, Sarandë etj. Nëse do ta këqyrja me imët, s’e kam të vështirë të dalloj se ai spikat për hulumtimet serioze të objektit, të ngjarjeve, pikasjen e sfondeve sociale, atyre antropologjike, urbane e historike, gjithherë në rrafshet e fiksimit të faktit, shoqëruar nga një prerjeje e mirë estetike.

Sot Luan Qendro është i moshuar. Në paqen dhe lumturinë e vet. I rrethuar përherë nga miqtë e shumtë. Mua më duket një burrë i realizuar. Por ja, në këto ditë të sezonit turistik në shetitoren e Sarandës ai hapi ekspozitën e rradhës të tij.

Ti e sheh rishtazi qytetin tënd aty tek ato fotografi të zmadhuara, shesh se si ka qenë e si është bërë, sheh zhvillimin e tij dinamik, njerëzit, anijet dhe kroçierat e ardhura nga vendet e mëdha të botës, sheh ata mijëra e mijëra turistë që shkelin qytetin, sheh luzmën njerëzore që mbush shëtitoren dhe frymon buzë detit, qesh, gazmon, kënaqet; sheh dritat, vezullimin magjik të tyre mbi det dhe fantazmagorinë që krijohet syresh, sheh asetet arkeologjike të qytetit, që i japin atij lashtësinë dhe një histori luksi.

Dhe teksa e kundron të tërë imazhin e ardhur nga fotot e shumta të kësaj ekspozite ti je i një mendjeje me fotografin për t’i dhënë qytetit dhe njerëzve një gjuhë: gjuhën e bukurisë dhe vezullimit të artit të fotografisë. Sepse fotografia, përpos një fiksim e ngulitje e pamjes, përpos një dokument historik, është më së shumti edhe një modelim, një imazh që nxit fantazinë, një këndmarrje ku imazhi dhe domethënia që buron prej tij bëhen tanimë kryesoret. Dhe imazhe kësisoj ekspozita e Luanit na ofron gjerësisht, ani pse më shumë ai preferon dhe është qëmtues i dokumentit, i pamjes së mirëfilltë.

Në këta vite të ëmbël të moshës së bardhë, pas një pune mbi gjysmë shekullore, unë i uroj atij veçse jetë, sy të mprehtë duke luajtur me imazhet, me studion fotografike dhe aparatin e tij, me miqtë e shumtë që ka gjithkund, doemos edhe duke e futur përherë thellë qenies dashurinë për qytetin tonë: SARANDËN…

Të pafsha në ekspozita të tjera Luan Qendro!...

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite