Për herë të parë, qytetet e Shqipërisë do të kenë modele dhe imazhe 3D të krijuara nga fotografimi ajror. Projekti ka nisur zyrtarisht nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me synim përditësimin e Hartës Bazë të vendit.
Fillimisht do të fotografohen nga ajri 680 kilometra katrorë zona urbane. Sipas ASIG, do të përdoren teknologji të avancuara që mundësojnë krijimin e imazheve dhe hartave shumë të detajuara, duke siguruar të dhëna më të sakta për territorin.
Risia e projektit është përdorimi, për herë të parë, i fotografimit ajror oblik. Kjo do të bëjë të mundur krijimin e modeleve dhe imazheve 3D të qyteteve (3D City), të cilat do të ndihmojnë në planifikimin, monitorimin dhe administrimin e zonave urbane.
Sipas ASIG, të dhënat e reja do të përdoren për përditësimin e Hartës Bazë të Shqipërisë, si edhe për administrimin e territorit, mjedisit, bujqësisë dhe fushave të tjera.












Komente
Komento