Komisioneri Fyle në takimet me krerët e politikës shqiptare, kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ështe gati politika shqiptare për të realizuar një mision të tillë?
Është për të ardhur keq, por realisht politika shqiptare që prej rrëzimit të komunizmit e tëhu ka dëshmuar se nuk mbërrin dot as në nivelin mesatar të shoqërisë kur është fjala për të përmbushur detyrime, përgjegjesi e angazhime që kanë të bëjnë me interesat e vendit. Paradoksalisht mbetemi vendi i vetëm në rajon me zgjedhje të kontestuara dhe problematike që derivon prej zgjedhjeve, pavarësisht progresit referuar nga zgjedhjet në zgjedhje, që ka qënë i pamjaftueshem për të marrë një “çertifikatë” pa njolla.
Referuar pyetjes tuaj, natyrisht që politika shqiptare i ka të gjitha mundësitë të udhëheqë realizimin e një procesi zgjedhor tërësisht në përputhje me standardet europiane, por që të gjithë ta besojnë këtë logjike, është detyra e politikës, pavarësisht krahëve apo grupimeve, të shfaqë vullnet real se di dhe do punojë duke ju shërbyer interesave europiane të vendit.
Që do të thotë...?
Realizimi i zgjedhjve të lira, të ndershme dhe të pakontestuara është sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare, sfidë që ka domosdoshmërisht nevojë për investimin e çdo qytetari shqiptar. Sepse zgjedhjet e lira, duke qënë themeli i demokracisë së një vendi e njëherësh duke qënë dhe dita e ushtrimit të pushtetit të votës së lirë prej çdo qytetari me të drejtë vote, janë institucioni prej nga jetësohen të gjitha pushtetet e tjerë dhe nga ku e merr vlerën reale vetë demokracia. Prandaj, qytetarët e këtij vendi, duhet të mos i lënë asnjë shteg të lirë politikës së papërgjegjshme, politikës së shantazhit, të bllokimit e të vënies së interesave të klanit apo të grupit mbi interesat e vendit.
Eshte e mjaftueshme infrastruktura zgjedhore e ngritur për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme?
Zgjedhjet nuk i ka kontaminuar infrastruktura zgjedhore, pavarësisht mangësive të saj rast pas rasti, po papërgjegjshmëria politike e aktorëve të përfshirë në zgjedhje.
LSI po leviz shumë për organizimin e zgjedhjeve. Mendoni se do të arrini një rezultat më të lartë nga zgjedhjet e 2009, duke qënë përcaktues sërish për qeverisjen e ardhshme?
Lëvizja dhe ndërveprimi i vazhdueshëm me qytetarët është praktikë normale e sjelljes politike të LSI, ndaj dhe lëvizja për zgjedhjet siç u shprehet ju, është brenda kësaj filozofie. E sa për rezultatin e LSI në zgjedhjet e 23 qershorit, për shkak të mbështetjes popullore ndaj LSI që ka ardhur gjithnjë duke u rritur, ju siguroj se do jetë përcaktues për të gjithë procesin e pakthyeshëm të integrimit europian, për të bërë realitet një aspiratë që është prioriteti ynë kombëtar.
Duke qënë se janë shfaqur dhe parti të reja si FRD dhe AK, a ndjehet e kërcënuar LSI nga mbështetja për këto parti?
LSI s’ndjehet as e kërcënuar e as e impresionuar, as nga partitë e reja dhe as nga partitë e vjetra. Ne ndjehemi padyshim më të motivuar, me të organizuar dhe më të vendosur për shkak të detyrimit që kemi ndaj qytetarëve e përgjegjësisë për t’ju shërbyer qytetarëve në përputhje me interesin e tyre e interesat europiane të vendit.
Si ka funksionuar koalicioni bashkëqeverisës me PD, pasi ka pasur zëra se PD do paguajë kosto politike për aleancën me ju?
LSI-në nuk e shqetësojnë “zërat” e të pazëshmëve, pasi bashkëqeverisja me PD shmangu kosto të pariparueshme për integrimin europian të vendit, shmangu kostot që mund të sillte kriza politike e qeverisëse që shpresonin të tjerë më 2009 dhe i dha vlerë europiane pasaportës së Republikës së Shqipërisë. Por një analizë më e detajuar dhe e argumentuar e produktit bashkëqeverisës do bëhet në mënyrë institucionale në forumet e partisë, ç’ka do të na krijojë të gjithëve, pra dhe publikut një pamje më reale të cilësisë së funksionimit të koalicionit.
Edi Rama s’rresht së deklaruari se aleanca mes PS e LSI është e natyrshme dhe se duhet bërë. LSI mendon të bëjë koalicion me PS?
Nuk jam shumë i sigurtë se ajo që thoni ju, sipas të cilës “zoti Edi Rama nuk rresht së deklaruari se aleanca mes PS-së e LSI-së është e natyrshme dhe se duhet bërë”, është tërësisht kështu siç e thoni ju. Pavarësisht kësaj LSI do thërrasë Konventën Kombëtare në muajin prill dhe është atribut i Konventës të vendosë për këtë çështje.
Janë bërë disa sondazhe. Mendoni se i afrohet realitetit të mbështetjes politike për partitë ajo që japin sondazhet?
Nuk preferoj të humbasë kohë me sondazhe pa identitet dhe pa metodologji shkencore, ç’ka është domosdoshmëri për të lexuar opinionin në mënyrë korrekte. Se sa janë pranë realitetit të mbështetjes reale nga publiku sondazhe si ato palosondazhe që merrni ju për referencë, me lejoni t’ju kujtoj se edhe para zgjedhjeve të vitit 2009 u hodhën në treg për konsum sondazhe të ngjashme me këto të tanishmet, të cilat i bëri të pavlefshme vetë votuesi me verdiktin e tij. E njëjta gjë do të ndodhë sërish dhe në zgjedhjet e 23 qershorit, pasi votuesi ka një metodologji tjetër vlerësimi e gjykimi me votën e tij. Po meqë dikush kënaqet nga rezultate sondazhesh të fabrikuar, le të kënaqet e ëndërrojë deri më 23 qershor.
Nëse PD e PS do rezultojnë me numër të barabartë deputetësh pas 23 qërshorit, me kë mendoni se do bashkohen deputetët e LSI-së?
Në politikë nuk vendoset “me sikur”, por nisur nga interesat e vendit. Kjo është konstante politike e LSI dhe ne do t’i përmbahemi kësaj filozofie.
Ju personalisht ku do të kandidoni në zgjedhjet e 23 qershorit?
Jo vetëm unë, por të gjithë drejtuesit e LSI-së e më tej e gjithë partia kemi vetëm një preokupim: fitoren në zgjedhje përmes konfirmimit të raporteve shembullore që ne mbajmë me qytetarët, përmes rritjes së rradhëve të mbështetësve dhe votuesve të cilët gjejnë tek LSI të nesërmen e tyre të sigurtë, përmes vënies në qendër të të gjithë aksionit tonë politik dhe elektoral të interesave të qytetarëve, dhe përmes ofrimit të kandidatëve me integritet qytetar, intelektual e politik, me qëllim që në listat e LSI qytetarët të gjejnë më të mirët, të gjejnë atë që duhet ta zgjedhin. Une do jem një ndër fituesit e ekipit fitues të LSI-së.