Ndasitë dhe konfliktet rreth Kosovës që kanë zgjatur dy shekujt e fundit nuk kanë lënë hapësirë për krijimin e kujtesës dhe monumenteve që do të simbolizonin jetën e përbashkët, ose të ndonjë veçantie të Kosovës që do të përkrahej nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Në Kosovë që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, nuk ka kujtesë të përbashkët, dhe as monumente që synojnë që të përfaqësojnë ose simbolizojnë këtë lloj të kujtesës. Kujtesat në Kosovë janë të ndara ashtu siç janë ndarë aspiratat politike dhe territoriale të dy komuniteteve etnike kryesore. Kujtesa dhe memorialet e shqiptarëve nuk përputhën në asnjë pikë me kujtesën dhe memorialet serbe. Për më shumë, memorialet ekzistuese, të vjetrat dhe të rejat, shërbejnë si pretekst për të vazhduar luftën simbolike mes tyre.

Fushëbeteja kryesore e memorieve të çara janë ato të trashëgimisë historike dhe religjioze, vendet që konsiderohen se kanë rëndësi historike, sakrale me kulte tradicionale apo të reja. Kështu për serbët vendet e shenjta janë manastiret mesjetare, sidomos Patrikana e Pejës, që konsiderohet si seli kryesore tradicionale e Kishës Ortodokse Serbe, dhe ku bëhet inaugurimi solemn i patrikut serb. Serbët po kështu si memorial të rëndësishëm e konsiderojnë Kulën e Gazimestanit, që është ndërtuar në vitin 1952, si përkujtim për Betejën e Kosovës e vitit 1389, që ka qenë fatale për mbretërinë serbe mesjetare, pasi atëherë u pushtua nga Perandoria Otomane. Për Ditën e Vidit (Vidovdan, 28 qershor) kur është zhvilluar kjo betej e humbur, serbët për çdo vjet tubohen te kjo Kullë e Gazimestanit për të kujtuar Betimin e Shën Vidit (Vidovdanski zavet) me porosinë se “Kosova është dhe do të mbetet përgjithmonë serbe”.

Për shqiptarët kremtimi i Shën Vidit dhe i betejës së humbur është pa kuptim. E konsiderojnë si një mit të konstruktuar të nacionalizmit serb që ka për qëllim shtrembërimin dhe përvetësimin e historisë. Për vetë betejën thirren në evidencat historike se në te kundër otomanëve nuk kanë luftuar vetëm serbët, por një ushtri e përbërë e forcave krishtere ballkanase, ku kanë marrë pjesë edhe princërit shqiptarë.

Manastiret me të cilën krenohen serbët dhe i konsiderojnë si “tapi” mesjetare që duhet t’ua garantojë edhe sot sovranitetin serb mbi Kosovën, historiografia dhe publicistika shqiptare relativizon përkatësinë serbe të tyre. Edhe serbët kanë ardh në Kosovë si pushtues në shekujt 13 dhe 14. Shqiptarët, si popullësi autoktone në Kosovë, para pushtimit otoman dhe islamizimit kanë qenë krishter kështu që kishat konsiderohen trashëgimi e përbashkët. Por, nga ana tjetër, islamizimi i pjesës dërmuese të popullsisë shqiptare, dhe përdorimi i gjatë i Kishës Ortodokse Serbe të kësaj trashëgimie, ka bërë që ajo të përvetësohet nga serbët dhe të shikohet si e huaj për shqiptarët.

Duke bërë garë me pretendimet historike serbe, ideologët e Kosovës shqiptare nuk insistojmë më aq në trashëgiminë e përbashkët të tabanit kulturor bizantin, por përpiqen që simbolet identitare t’i gjejnë në kohët më të lashta para ardhjes së sllavëve në Ballkan, në Dardaninë antike, në kohën e resistencës së lavdishme të shqiptarëve ndaj pushtusve otoman (kulti i heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut), si dhe në kohët e vetëdijesimit dhe të zgjimit të kombit modern shqiptar. Kështu, si vend i shenjtë konsiderohet Monumenti i Lidhjes së Prizrenit, një kompleks muzeal në qytetin e Prizrenit, ku në vitin 1878 është mbajtur tubimi historik i parisë shqiptare dhe është nxjerr programi për pavarësinë e shtetit shqiptar.

Ndasitë dhe konfliktet rreth Kosovës që kanë zgjatur dy shekujt e fundit nuk kanë lënë hapësirë për krijimin e kujtesës dhe monumenteve që do të simbolizonin jetën e përbashkët, ose të ndonjë veçantie të Kosovës që do të përkrahej nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Andaj edhe nuk ka memoriale nga kjo kohë që i dedikohen kujtesës dhe respektit të përbashkët.

Vetëm në një periudhë të shkurtë pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1945 e deri nga fundi i viteve ‘80, në Kosovë u krijuan kushtet për ngritjen e përmendoreve që synonin që të janë të përbashkëta. Komunizmi triumfalist i kohës së Josip Broz Titos pretendonte se është dhe se siguron barazinë e të gjitha kombeve. Në këtë kohë, si edhe në gjithë Jugosllavinë, edhe në Kosovë do të ngriten shumë monumente që i kujtojnë momentet e lavdishme të revolucionit dhe komunizmit, ose që i bëjnë homazh dëshmorëve të luftës antifashiste. Monumentet më të rëndësishme kanë qenë ato që kujtojnë betejat e Luftës së Dytë Botërire Kosovë, p.sh. Lapidari përkujtimor i akcionit të parë të aradhave partizane në Kosovë (Gryka e Caralevës në rrugën Prizren-Prishtinë), monumenti i xehetrëve partizan në Mitrovicë etj. Si monumente të kategorisë së parë janë konsideruar edhe ato që janë ngritur për nder dhe kujtim të herojëve dhe martirëve më të shquar të luftës antifashiste, Boro Vukmirtoviqit dhe Ramiz Sadikut (Përmendorja në Landovicë afër Prizreni, te vendi ku janë pushkatuar). Reprezentative kanë qenë edhe Përmendorja e Revolucionit në Prishtinë, Përmendorja e Luftetarëve të LNÇ në parkun Karagaç të Pejës etj.). Në çdo komunë të Kosovës ka pas lapidare, busta, varreza të dëshmorëve dhe parqe memoriale. Në këto vende mbaheshin çdo vjet tubimet që përkujtonin sakrificën e martirëve dhe fitoren e revolucionit.

Në Kosovë më i përhapur ka qenë kulti i Boro Vukmiroviqit dhe Ramiz Sadikut, dy udhëheqës të lëvizjes komuniste nga Peja, të cilët janë pushkatuar në Landovicë afër Prizreni, më 14 prill 1943. Ata janë zënë në prit deri sa po udhëtonin nga Gjakova për Prizren. Në publicistikën komuniste të kohës, gjithnjë është cekur fakti se Ramiz Sadiku e ka pas mundësinë që ta shpëtojë jetën e vet, këtë ia kishin ofruar ushtarët italian dhe kuslingët shqiptarë që i kapën, por Ramizi nuk ka dasht që të ndahët nga kamaradi i tij Boro.

Ky martirizim i një shqiptari dhe një sllavi (Boro Vukmiroviqi ka qenë i biri i një malazezi nga Peja) është bërë simbol i vëllazërimit dhe bashkimit të popullit shqiptar dhe atij serb-malazez. Kjo histori e martirizimit mësohej në shkollat e Kosovës dhe diskursin publik përmendej në çdo rast si shembull i internacionalizmit dhe vëllazërim-bashkimit. Shumë shkolla, institucione, rrugë kanë mbajtur emrin e Boro e Ramizit. Një kompleksi i madh sportiv, tregtar dhe kulturor që është ndërtuar në vitet ’70 në qendër të Prishtinës, e që pjesërisht është ndërtuar me kontributet e 6 republikave dhe të krahinës së Vojvodinës, e ka mbajtur emrin Qendra Boro e Ramizi, duke u bërë kështu ndërmarrja e fundit që ka simbolizuar politikën zyrtare komuniste të ish federatës jugosllave mbi barazinë e kombeve dhe kombësive. Karshi Kosovës kjo politikë ka qenë kontradiktore, në vitet 50 dhe 60 të shek. të kaluar edhe me elemente të përndjekjeve dhe terrorit policor, në vitet 70 i ka dhënë Kosovës dhe shqiptarëve një autonomi të zgjëruar, e pas vdekjes së Titos, sërish është kthyer në metodat e terrorit policor, deri edhe në abrogim të autonomisë dhe luftën e viteve 1998-1999.

Pas ndryshimeve që kanë ndodhur në Kosovë nga fundi i viteve ’80 dhe në vitet ’90, monumentet e kohës së socializmit janë shkatërruar ose janë lënë jashtë çdo respekti dhe kujdesi institucional. Ashtu sikur që praktikisht brenda natë është tretur ideologjia titiste dhe premtimi i bashkim vëllazërimit (Titoja e përsëriste vazhdimisht, në çdo fjalim se “bashkim vëllazërimi i kombeve jugosllave duhet të ruhet si bebëzat e syrit”, ndërkaq që Jugosllavia pas tij do të shpërbëhet me një seri luftërash vëllavrasëse!) ashtu brenda natës zhduket edhe kujtesa dhe respekti për monumentet e revolucionit dhe bashkim-vëllazërimit.

Një pjesë e këtyre monumenteve është shkatërruar, sidomos bustet në vendet publike, por edhe komplekset e mëdha memoriale, si ato të Caralevës dhe Landovicës. Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë tani janë jashtë funksionit, aty janë varros disa dëshmorë të luftës së fundit në Kosovë, e në një pjesë të saj është varos në vitin 2006 Dr. Ibrahim Rugova, presidenti i parë i zgjedhur i Kosovës. Disa përmendore tjera të LNÇ-së si ajo në qendër të Prishtinës, në Karagaq të Pejës etj. kanë qenë të minuara ose është kërkuar heqja e tyre, por kanë mbijetuar. Vetëm se gjendja e tyre është e mjerë, mungon kujdesi dhe vullnati, dhe është çështje e ditës kur do të mënjanohen.

Në vend të monumenteve të vjetra dje ato të kohës së komunizmit, pas vitit 1999 në Kosovë janë ngritur disa qindra monumente dhe buste që kujtojnë luftën e fundit dhe martirët e saj. Pos monumenteve të heronjve të rezistencës ilegale dhe luftës së UÇK-së, Adem Jashari (Prekaz), Zenun Pajaziti (Prishtinë), Agim Ramadani (Gjilan), Fehmi Agani (Prishtinë), janë ngritur edhe monumentet e herojve historik – Monumenti i Skenderbeut para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, dhe të personaliteteve të shquara, Nëna Tereze (Prishtinë), Bil Klinton (Prishtinë), dhe monumente falenderuese për fuqitë intervenuese (Monumenti i NATO-s në Prizren).

Karakteristika e shumicës së monumenteve të reja është se nuk e kanë cilësinë e duhur të vendosjes në hapësirë e as cilësitë e realizimit artistik. Monumenti i ngritur për nder të Bil Klintonin është shembull i shtatores së keqe, për të cilën nuk është pyetur fare komuniteti artistik. Edhe bustet dhe shtatoret tjera që janë vendosur anembanë Kosovës, paraqesin një dukuri interesante e vazhdimit të jetës së soc-realizmit, i cili në Kosovë nuk ka ekzistuar më parë, por që tani po importohet nga Shqipëria, ku ka qenë stil i obligueshëm në kohën e komunizmit.

Nga ana tjetër, monumentet e serbëve të Kosovës që janë ngritur në Kosovë në kohën e sundimit të Milosheviqit, atje ku dominojnë shqiptarët janë hequr, kurse në enklavat serbe ato ende ekzistojnë. Në Mitrovicë ka ndodhur një zhvendosje e shtatores së konsulit rus Shqerbina. Para luftës ai ka qenë në pjesën jugore të qyteti, që tani i takon shqiptarëve, dhe ata e kanë hequr, kurse serbet e kanë ringritur në pjesën veriore pas disa vitesh. Deri sa shqiptarët i bëjnë homazhe perindimorëve, serbet e Kosovës shfaqin respekt për Rusinë.

Do të duhej edhe shumë kohë që në Kosovë të shfaqet nevoja për përmendore të përbashkëta.

marrë nga gazeta Express
(ad.ti/shqiptarja.com)