Lufta/ Horrori në Bucha, të paktën 410 trupa rrugëve, gjendet një dhomë torture! Kuleba: Mariupoli është më keq! SHBA-BE: Hetim për krimet e luftës!l Rusia: Inskenim, do sjellim prova!

Të djegur, të gjymtuar, të torturuar, të pushkatuar janë trupat e të vdekurve në Bucha, teksa autoritetet bëjnë me dije se deri tani kanë mbledhur rreth 410 prej tyre. Duart e lidhura pas shpine. Shumë të varrosur në baltën e rrugëve që befas u bënë llogore, të tjera të shtypura nga automjetet e gjurmuara dhe të lënë të kalben për javë të tëra në pluhur. Trupat e shtrirë njëri mbi tjetrin, ende pranë biçikletave të tyre, u vranë teksa pedalonin duke u përpjekur t'i shpëtonin rrethimit. Ndërkohë që nga ora në orë deklarata të forta nga e gjithë bota flasin për gjenocid dhe krime lufte. Po në Bucha ushtria ukrainase gjeti një dhomë torture të përdorur nga ushtarët rusë me kufomat e pesë civilëve të përkulur përpara dhe duart e tyre të lidhura pas shpine. Ndërsa kryebashkiakja e Motyzhyn në Ukrainë e cila u rrëmbye më 23 mars, u gjet e varrosur së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj të vrarë me plumb në kokë.

Sot është dita e 40 e luftës në Ukrainë, që kur ushtria rusë nisi agresionin ushtarak. Masakra e ushtrisë ruse në Bucha të Ukrainës, ku njerëz të paarmatosur, civilë dhe fëmijë të vegjël janë ekzekutuar dhe lënë në mes të rrugëve të qytetit, do të rëndojë për rifillimin e negociatave të paqes mes Kievit dhe Moskës. Përtej masakrave të Rusisë, Zelensky shprehet se negociata e paqes me Rusinë duhet të vazhdojnë.

Moska thotë se Ukraina po mashtron për Buchan, dhe se është një "provokim"  nga Kievi dhe radikalët ukrainas "për të bllokuar negociatat". Nga ana tjetër rusët rifilluan bombardimin e qyteteve, duke filluar nga Odessa dhe Kherson.

Sipas Kievit, Rusia po mobilizon edhe 60,000 trupa të tjera. Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky, teksa foli në një mesazh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Gremmy, akuzoi Moskën për gjenocid dhe i quajti ushtarët rusë ‘vrasës dhe torturues’. Në botën e tronditur nga pamjet që vijnë nga Ukraina, BE shpall sanksione të reja.

E gjithë bota është bërë bashkë lidhur me sanksionet e vendosura nga Rusisë dhe izolimin ekonomik të saj, por Gjermania tha se tani nuk është momenti për të ndalur furnizimin e gazit rus. Megjithatë u sqarua se po punohet për ndërprerjen e varësisë nga Rusia.                           

Në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:41
Shtëpia e Bardhë: Bucha është dëshmia e radhës e krimeve të luftës, mizori tragjike dhe tronditëse

Shtëpia e Bardhë: Bucha është dëshmia e radhës e krimeve të luftës, Mizori tragjike dhe tronditëse 

Mizoritë e ndodhura në Bucha janë cilësuar si dëshmia e radhës e krimeve të luftës nga Rusia, sipas një reagimi të këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan.
Një mizori që Sullivian e përcaktoi si ‘tragjike dhe tronditëse’, por ‘jo befasuese’  në kuadër të asaj që SHBA-të kishin parashikuar edhe pse nuk i pëlqente një gjë e tillë. 

Ora 21:29
Kryebashkiaku i Mykolaiv: Janë vrarë 10 civilë nga bombardimet

Kryebashkiaku i Mykolaivit ka thënë se 10 civilë janë vrarë dhe 46 janë plagosur gjatë bombardimit të qytetit në jug të Ukrainës.

Ora 21:09
Ngjitur me njëri-tjetrin e me duar të lidhura, dalin pamjet nga dhoma e torturave në Bucha (VIDEO)

Ushtria ukrainase ka publikuar përmes kanaleve të saj zyrtare videon e dhomës në Bucha, në të cilën pushtuesit rusë dyshohet se torturonin civilët ukrainas. Videoja tregon trupat e civilëve të pajetë brenda një bodrumi të qytetit 30 km larg Kievit. Nga ana tjetër, Federata Ruse vazhdon t'i mohojë akuzat dhe t'i cilësojë ato si "fake news" dhe "një tjetër provokim nga Kievi".

Ora 20:44
Kiev: 18 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës, 8 të tjerë janë rrëmbyer dhe 3 janë zhdukur

Qeveria ukrainase tha se 18 gazetarë janë vrarë në vend që nga fillimi i pushtimit rus. Ministria e Kulturës raportoi në mediat sociale se do të kryhen hetime për secilën nga vdekjet dhe krimet e tjera kundër gazetarëve.

Ministria shtoi se 13 gazetarë të tjerë janë plagosur, tetë janë rrëmbyer ose kapur robër dhe tre janë ende të zhdukur. Përveç kësaj, ai vuri në dukje se krime janë kryer kundër gazetarëve nga 11 vende, përfshirë Ukrainën.

Ora 19:41
Lavrov: Imazhet e Buchas janë të inskenuara, Rusia do të paraqesë prova

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka ripërsëritur ditën e sotme deklaratën se imazhet e civilëve të vrarë në qytetin e Ukrainës janë një inskenim i bërë nga ukrainasit, pas tërheqjes së trupave ruse më 30 mars. Lavrov i ka quajtur inskenimet një provokim dhe se asnjë qytetar i Buçës nuk i është nënshtruar dhunës nga ushtria ruse.

Lavrov bëri të ditur se zyrtarët rusë do të paraqesin materiale në mbështetje të tezës së Moskës me qëllim që të ‘shpërndajë’ ato që ai i quan ‘gënjeshtra’.

Ora 18:57
Kuleba: Masakra në Bucha vetëm maja e ajsbergut, situata në Mariupol edhe më e keqe

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se masakra që kemi parë në Bucka është vetëm maja e ajsbergut, ai theksoi se Mariupol situata është edhe më e keqe.

Ministri e tha këtë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kolegen e tij britanike Liz Truss, e cila u takua në Varshavë me kreun e diplomacisë polake, Zbigniew Rau.

Ora 18:44
Situata në Bucha, nesër temë diskutimi në Këshillin e Sigurimit

Situata mbi ngjarjet e rënda të raportuara nga qyteti Bucha, në Ukrainë do të diskutohen nesër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ora 18:38
Lufta në Ukrainë, Gjermania shpall ‘non grata’ 40 diplomatë rusë

Qeveria gjermane ka vendosur të shpallë 40 diplomatë me statusin “Non Grata”. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

“Këta janë njerëz që kanë punuar çdo ditë këtu në Gjermani, kundër lirisë sonë dhe kundër kohezionit të shoqërisë sonë, ne nuk do ta tolerojmë më këtë. Vendimi i marrë për kundrejt diplomatëve iu komunikua Ambasadorit rus Sergei Nethayev pasditen e kësaj të hëne.

Ora 18:22
SHBA kërkon krijimin e gjykatë për krimet në Ukrainë, Kievi: Amerikanët ta fillojnë hetimin me Jugosllavinë dhe Irakun

“Nëse amerikanët duan të hetojnë krimet e luftës, le të fillojnë me bombardimin e Jugosllavisë dhe pushtimin e Irakut".

Kështu ka deklaruar Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke reaguar në këtë mënyrë mbi propozimin e Presidentit amerikan Joe Biden për krijimin e një gjykate për krimet e luftës të rusëve në Ukrainë.

Ora 18:07
Lufta në Ukrainë, Kievi: Rusët po bëhen gati të pushtojnë Kharkivin

Forcat ruse janë duke u përgatitur për të pushtuar Kharkivin. Lajmin e ka bërë të ditur Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk.

“Përpjekjet kryesore të armikut janë fokusuar në përgatitjen për rifillimin e operacioneve sulmuese për të rrethuar forcat ukrainase dhe për të marrë në kontroll qytetin e Kharkivir, armiku po forcon trupat e rretheve ushtarake perëndimore dhe jugore, në rrethet operacionale të Slobozhansky dhe Donetsk. Këtë po e bën duke transferuar trupa nga rrethe të tjera ushtarake, duke përfshirë edhe njësitë rezervë”, tha Motuzyanyk.

Ora 17:47
Lufta në Ukrainë/ Çlirohet rajoni i Zhytomyr! Kryuebashkiaku: Kini kujdes! Rusët mund të kenë minuar ndërtesa dhe pyje

Rajoni i Zhytomyr është çliruar nga pushtuesit rus. Lajmin e ka bërë të ditur Guvernatori i rajonit, Vitaliy Bunechko.

Megjithëse qyteti është çliruar ai i kërkon qytetarëve që të jenë shumë të kujdesshëm pasi rusët, duke u tërhequr, mund të kenë minuar ndërtesa dhe pyje.

Ora 17:46
Parlamenti i BE-së fillon me një minutë heshtje për viktimat

Seanca e sotme plenare e Parlamentit Evropian filloi me një minutë heshtje të kërkuar nga Presidentja Roberta Metsola në kujtim të të gjitha viktimave në Ukrainë.

“ Për të kujtuar viktimat e Bucha-s, Irpin-it dhe të gjitha viktimat e luftës nga terrori dhe dhuna”, tha Metsola.

Ora 16:58
Kievi: Rusët kanë kryer 7000 krime lufte

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë janë regjistruar më shumë se 7000 krime lufte. Lajmi është bërë i ditur nga Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Irina Venediktova. Ndërkohë grupet hetimore ende po vazhdojnë punën për zbardhjen e krimeve të tjera.

Ora 16:36
Berlini: Ndalimi i gazit rus për momentin është i pamundur

Ministri gjerman i Financave Christian Lindner tha se për momentin është i pamundur ndalimi i furnizimeve me gaz rus, njëkohësisht ai tha se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë sanksionet mëtejshme ndaj Rusisë .

“Ne duam të bëhemi të pavarur nga importet e energjisë nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur dhe Gjermania do të mbështesë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, por për momentin nuk është e mundur të shkurtohen furnizimet me gaz, ne duhet të bëjmë më shumë presion mbi Putinin, të izolojmë Rusinë dhe të ndërpresim të gjitha marrëdhëniet ekonomike", por për të arritur një embargo "ne duhet kohë, në këtë moment duhet të bëjmë dallimin midis naftës, qymyrit dhe gazit", tha Lindner.

Ora 16:26
Letër Perëndimin me gjakun e ushtarëve ukrainas: Zona e ndalimit të fluturimit të realizohet tani! Po vdesin me qindra çdo ditë

Një thirrje e drejtuar Perëndimit është shkruar me gjakun e ushtarëve të Odessas.

Letra e shkruar nga disa ushtarë i  është dërguar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. A

“Dobësia e liderëve të SHBA-së dhe vendeve të BE-së u kushton qindra jetë ushtarakëve dhe civilëve ukrainas çdo ditë. Për këtë arsye ne e shkruam drejtpërdrejt me gjak këtë apel në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sepse sot po ndalojmë një agresion të drejtuar ndaj jush duke paguar me jetën tonë. Ukraina ka nevojë që qielli të bëhet i sigurt”, shkruhej në letër, ndërsa kanë bërë thirrje për zonën e ndalim-fluturimit.

Ora 16:11
Rusët sulmojnë Mykolaivin, kryebashkiaku: Po përdorin bomba thërrmuese mbi civilët

Trupat ruse kanë lëshuar sërish bomba thërrmuese në Mykolaiv kundër ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës civile. Lajmin e dha kryebashkiaku Oleksandr Senkevych në Telegram.

Ora 16:00
‘Fytyra e vërtet e Putin’! Njerëz të djegur plotësisht dhe trupa të hedhur kudo, masakra në Bucha që tronditi botën

Në këto fotografitë e tmerrshme, shihet qarta shkalla e mizorisë së Putin! Njerëz të pambrojtur dhe pa armë janë djegur plotësisht nga forcat ruse. Të tjerëve i kanë lidhur duart e më pas i kanë vrarë dhe i kanë lënë nëpër rrugët e qytetit.

Njerëzit po shpërndajnë sa më shumë foto nga Bucha për të mos lënë në “errësirë” fytyrën e vërtet të Putin.

Ora 15:28
BE-Ukrainë bashkë për të mbledhur provat e masakrës së Buchës, Von der Leyen: Do të ndëshkohen përgjegjësit për krimin e tmerrshëm

"BE ka ngritur një ekip hetimor së bashku me Ukrainën për të mbledhur prova mbi krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”. Kështu deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila sot pati një bisedë telefonika me Zelenskyn për masakrën e Buchës.

“BE-ja është e gatshme të shtojë përpjekjet e saj duke dërguar ekipe hetimore në terren në mbështetje të zyrës së prokurorit ukrainas. Imazhet e tmerrshme nuk mund dhe nuk do të mbeten pa përgjigje. Ata që kanë kryer këto krime të tmerrshme nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, tha ajo.

Ora 14:24
Masakra në Bucha, Zelensky viziton qytetin: Ky është gjenocid

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi qytetin e Bucha, 37 kilometra larg kryeqytetit. Zelensky shkoi në spitalin e qytetit, ndërsa pa rrugën ku u shkatërruan makinat e blinduara ruse dhe foli me popullsinë vendase, duke përdorur fjalë si "krime lufte", "mizori" dhe duke e quajtur atë që ndodhi në qytet si ‘një nga gjenocidet më të mëdha’ që nga Lufta e Dytë Botërore’. Përveç kësaj, ai përsëriti nevojën e vazhdimit të dialogut për të arritur deri në fund të konfliktit: ‘Ukraina duhet të ketë paqe - theksoi ai -. Jemi në Evropën e shekullit të 21-të. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona si në nivel diplomatik dhe ushtarak’.

Ora 13:19
Putin gjen kohën për të uruar Vuçiç për fitoren: Të forcojmë lidhjet Rusi-Serbi

 Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar serbin Aleksandër Vuçiç për fitoren e tij  në zgjedhjet presidenciale serbe. Në një telegram, Putin shprehu shpresën se Vuçiç do të vazhdojë të forcojë "partneritetin strategjik" midis Serbisë dhe Rusisë.

Pas gjithë luftës dhe masakrave që Rusia po kryen në Ukrainë, duket se Putin ka gjetur kohën për të uruar Vuçiç.

Ora 13:16
Moska: Armët bërthamore në Poloni do të rrisin tensionin

Zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski tha se Polonia do të ishte e gatshme të presë kokat bërthamore të SHBA-së dhe mbështeste forcimin e trupave të atij vendi në krahun lindor të NATO-s për parandalimin e një sulmi rus. Kjo është cilësuar nga Kremlini si rritje e tensioneve.

Ora 12:53
Horror/ Në Bucha gjendet një dhomë torture me pesë kufoma brenda

1649069690_BuchaUkraine.jpg

Ushtria ukrainase gjeti në Bucha një dhomë torture të përdorur nga ushtarët rusë me kufomat e pesë civilëve të përkulur përpara dhe duart e tyre të lidhura pas shpine

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia UNIAN. Trupat ruse thuhet se përdorën bodrumin e një sanatoriumi lokal për fëmijë të quajtur "Radiant".

Ora 12:03
Kush është komandanti rus që shokoi botën me mizorinë e tij në Bucha

Batalioni që dyshohet se kreu krimet

Aktet çnjerëzore në Bucha në Ukrainë kanë edhe një emër konkret, përvecc atij të Vladimir Putinit, dhe është Omurbekov Asanbekovich.

Mediat e huaja kanë publikuar mëngjesin e sotëm informacione për identitetin e komandantit të të trupave ruse në Bucha, ku urdhëroi një masakër të tmerrshme. Sipas La Republica, njësia ushtarake 51460, brigada e 64-të e motorizuar e artilerisë e përfshirë në vrasjet e civilëve në qytetin ukrainas, komandohej nga nënkoloneli Omurbekov Asanbekovich.

Ky komandant akuzohet për masakrën njerëzore në qytetin e sapoçliruar.  Deri më tani raportohet se të paktën 410 persona civilë janë gjetur të ekzekutuar nëpër rrugët e Buchas në Ukrainë. Kjo konsiderohet masakra më e rëndë deri tani dhe ka shkaktuar zemërimin e mbarë botës, që ka reaguar e shokuar.

Ukraina akuzoi të dielën forcat ruse për kryerjen e një masakre në qytetin e Bucha, ndërsa vendet perëndimore reaguan ndaj imazheve të kufomave atje me thirrje për sanksione të reja kundër Moskës. Ministria ruse e mbrojtjes mohoi akuzat e Ukrainës, duke thënë se pamjet dhe fotografitë që tregojnë trupat në Bucha ishin "një provokim tjetër" nga qeveria ukrainase.

Imazhet nga qyteti, 37 km (23 milje) në veriperëndim të qendrës së qytetit të Kievit, dolën pasi Ukraina tha të shtunën se forcat e saj kishin rimarrë kontrollin e të gjithë rajonit të Kievit dhe kishin çliruar qytetet nga trupat ruse.

Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken i përshkroi imazhet si "një grusht në stomak", ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri thirrje për një hetim të pavarur.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Rusia duhet të paguajë për "krimet e luftës". Kryeministri britanik Boris Johnson tha se qeveria e tij do të rrisë sanksionet, si dhe mbështetjen ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

Ora 11:38
U rrëmbye në 23 Mars nga forcat ruse, kryebashkiakia ukrainase gjendet e vrarë së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj

Varri ku ishin hedhur trupat

Një kryebashkiake e Motyzhyn në Ukrainë u rrëmbye më 23 mars, u ekzekutua dhe më pas u hodh në një gropë në një pyll së bashku me burrin dhe djalin e saj. Kryebashkiakia Olga Sukhenko, bashkëshorti i saj Igor dhe djali Aleksandër u rrëmbyen dhe fati i tyre ishte i panjohur derisa trupat e tyre u gjetën të shtunën të mbuluar me dhe pas shtëpive që ushtarët rusë i kishin përdorur si kazerma të improvizuara. Një trup i katërt u gjet gjithashtu, por ende nuk është identifikuar. Raportet thanë se të gjithë ishin qëlluar.

Sipas “The Sun”, trupat ruse që pushtuan Motyzhyn, 30 milje në perëndim të Kievit, fillimisht u përpoqën të fitonin mbështetjen e zyrtarëve lokalë, por pas refuzimit i ekzekutuan.

Ora 11:22
Zelensky: Pavarësisht masakrave, negociatat do të vazhdojnë

‘Është e vështirë të thuhet se si, pas gjithë asaj që është bërë, do të kemi negociata me Rusinë. Kjo është në një nivel personal. Por si president, duhet ta bëj. Çdo luftë duhet të përfundojë’. Këto janë fjalët e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për CBS. Zelensky tha se ai është i përkushtuar për vazhdimin e bisedimeve të paqes me Rusinë pavarësisht masakrave të kryera.

Ora 11:16
Patriarku i Moskës mbron luftën: Ne e duam paqen, por duhet të mbrohemi

Patriarku rus Kirill po mbron luftën. Në një festë dje me forcat e armatosura, ai tha: ‘Ne jemi një vend që e duam paqen’ dhe ‘nuk kemi dëshirë për luftë’. ‘Por ne e duam atdheun tonë dhe do të jemi të gatshëm ta mbrojmë atë në mënyrën që vetëm rusët mund ta mbrojnë vendin e tyre’. Për Patriarkun e Moskës ‘shumica e vendeve të botës janë tani nën ndikimin kolosal të një force, e cila sot, për fat të keq, është kundër forcës së popullit tonë’. ‘Atëherë edhe ne duhet të jemi shumë të fortë. Kur them ‘ne’, para së gjithash kam parasysh forcat e armatosura, por jo vetëm. I gjithë populli ynë sot duhet të zgjohet’.

Ora 10:45
Ukraina zbulon identitetin e komandantit rus, përgjegjës për masakrën në Bucha

Burimet e mediave ukrainase kanë publikuar mëngjesin e sotëm informacione për identitetin e komandantit të supozuar të trupave ruse në Bucha, përgjegjës për masakrën në qytetin e sapoçliruar. 

Sipas aktivistëve të InformNapalm, njësia ushtarake 51460, brigada e 64-të e motorizuar e artilerisë e përfshirë në krimet e luftës në Bucha, komandohej nga nënkoloneli Omurbekov Asanbekovich, detajet e kontaktit privat të të cilit raportohen gjithashtu.

Ora 10:07
FOTOLAJM/ Varri masiv në Bucha duket nga hapësira, zbulohen imazhet satelitore

Varri masiv i zbuluar në Bucha në Ukrainë pas largimit nga aty të trupave ruse është parë nga hapësira.

Maxar Technoogies, një kompani që mbledh dhe publikon imazhet satelitore të Ukrainës, ka raportuar se më 10 mars u panë shenjat e para të gërmimit për një varr masiv në Kishën e Shën Andreas të Parë,  në qytetin e Bucha.

“Mbulimi më i fundit më 31 mars tregon vendin e varrit me një llogore afërsisht 45 këmbë të gjatë në pjesën jugperëndimore të zonës afër kishës,” vuri në dukje Maxar Technologies.

 

Ora 09:58
Macron ‘pro’ sanksioneve të reja të BE-së kundër Moskës: Shihen qartë krimet e luftës

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai ishte "pro" sanksioneve të reja të BE-së kundër Rusisë, sanksioneve ndaj naftës dhe qymyrit. ‘Ka indikacione shumë të qarta të krimeve të luftës’, në qytetin e Bucha, dhe është "pothuajse e sigurt që ushtria ruse ishte e pranishme". “Në ditët në vijim duhet të ketë një marrëveshje evropiane, këtë dua unë”, shtoi ai, duke shpjeguar se këtë diskutim do ta fillojë me Gjermaninë.

Ora 09:23
Moskë: Videot e civilëve që vdiqën në Bucha të urdhëruara nga SHBA

1649014259_bucha.jpg

Videot e civilëve të vdekur të marra në qytetin ukrainas të Bucha janë "urdhëruar" nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e një komploti për të fajësuar Rusinë, tha dje zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

"Kush janë mjeshtrit e provokimit? Sigurisht që Shtetet e Bashkuara dhe NATO," tha Zakharova

Ora 09:21
Macron: Sanksione të reja kundër Rusisë pas masakrës në Bucha

1648996008_1647538031macron.JPG

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë pas masakrës së Buçës dhe foli për nevojën e koordinimit me aleatët evropianë. 

"Ka indikacione shumë të qarta të krimeve të luftës në Ukrainë," tha ai pas një mesazhi në Twitter në orët e fundit. 

"Ushtria ruse duket përgjegjëse dhe ata që janë përgjegjës do të duhet të paguajnë," shtoi ai.

Ora 09:19
Kievi: Në 24 orët e fundit evakuohen 3 mijë civil nga Mariupol dhe Luhansk, sot korridore të reja humanitare

Korridoret humanitare janë planifikuar gjithashtu sot nga Mariupol në Zaporizhia me makinë, domethënë privatisht, si dhe nga disa qytete të rajonit të Luhansk. Këtë e ka bërë të ditur shefja e Ministrisë së Riintegrimit Iryna Vereshchuk.

Ndërkohë 15 autobusë për evakuimin e njerëzve tanë tashmë janë nisur nga Zaporizhia për në Mariupol. Delegacioni i Kryqit të Kuq planifikon të vazhdojë për në Mariupol nga Mangushi me 7 autobusë.  Në 24 orët e fundit, Ukraina ka arritur të evakuojë pothuajse 3 mijë njerëz nga Mariupol dhe rajoni i Luhansk, disa nga zonat më të prekura nga bombardimet ruse.

Mariupol, ku besohet se janë bllokuar rreth 150,000 njerëz, ka qenë nën rrethim për ditë të tëra dhe përpjekje nga Kryqi i Kuq për të sjellë në një autokolonë ndihmash humanitare dështoi. 

Ora 08:37
Moska kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurimit dhe mohon masakrën në Bucha: E kurdisi SHBA dhe NATO

Moska vazhdon të mohojë çdo përgjegjësi përballë masakrës së Buchës dhe sot shpreson që të mbajë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa e quan si ‘provokim ekstremist ukrainas’.

Dmitry Polyansky, zëvendës Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit, shkroi në Twitter: ‘Ky është një provokim i urryer i ekstremistëve ukrainas në Bucha, Rusia ka kërkuar një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën më 4 prill’.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha: “Kush janë organizatorët e këtij provokimi? Shtetet e Bashkuara dhe NATO, natyrisht, "tha Zakharova në një intervistë në televizionin shtetëror rus. “Vetë fakti që qëndrimet kundër Rusisë u shfaqën menjëherë pas publikimit të imazheve të Buçës, më duket se është provë se ata ishin ata që kurdisën këtë histori”.

Ora 08:05
Mesazhi i Zelensky gjatë ceremonisë së çmimeve Grammy: Na ndihmoni, por jo me heshtje

 

‘Na ndihmoni, por jo me heshtje’. Ky është apeli i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky drejtuar publikut të ndarjes së çmimeve Grammy, përmes një mesazhi të transmetuar gjatë ceremonisë. 

Presidenti ukrainas, i veshur me një bluzë të gjelbër ushtarake dhe duke folur në anglisht, kërkoi që "heshtja e vdekjes" e të gjithë njerëzve të vrarë nga Rusia "të mbushet me muzikë". 

Menjëherë më pas, me John Legend, dy artistë ukrainas dhe një poeteshë, Lyuba Yakimchuk, performuan në një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes së Oscars Amerikane për muzikë.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Davaj tavarish: 04/04/2022 23:11

    Cfare prova do te sjelle matufi Lavrov A ka prova me te sakta se keto? Turp keto pamje vetem ne kohen e Luigjit te XIV kane ndodhur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

3 shenjat me fat! Mundësi të arta dhe rritje në karrierë gjatë muajit janar 2025

3 shenjat me fat! Mundësi të arta dhe rritje në karrierë gjatë muajit janar 2025