Koalicioni i udhëhequr nga SHBA ka vënë në shënjestër rafineritë e naftës në Siri, në natën e tretë të sulmeve ajrore kundër shtetit islamik.
 
Nga sulmet e një nate më parë mbetën të vdekur 14 xhihadistë në Deir El Zour dhe dhe 5 civilë në Hassakeh të Sirisë lindore.
 
Ushtria amerikane bëri të ditur se rafineritë gjeneronin më shumë se 2 milion dollarë të ardhura në ditë për forcat e ISIS. Presidenti amerikan Barack Obama, në fjalën e tij përpara asamblesë së OKB-së tha se koalicioni duhet të pengojë rekrutimin dhe financimin e xhihadistëve.
 
Aktualisht, SHBA thotë se më shumë se 40 vende janë shprehur të gatshëm për t’u bashkuar me koalicionin që lufton kundër ekstremistëve. Franca tha se avionët e saj luftarakë kryen sot sulme ajrore në Irak, një ditë pasi terroristët prenë kokën e pengut francez në Algjeri.
 
Ushtria franceze po kryen sulme ajrore në Irak që nga java e kaluar, por nuk ka marrë pjesë në operacionet në Siri. Kryeministri britanik, David Cameroon thotë se ushtria britanike është gjithashtu e gatshme që ‘të luajë rolin e saj’ kundër ISIS.
 
Ndërsa qeveria holandeze tha se kishte vënë në dispozicion 6 avionë luftarakë F-16 për t’u bashkuar me fushatën ajrore të udhëhequr nga SHBA.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)