Monitorimi i territorit në të gjithë vendin nga ajri, për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike është duke vazhduar, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë një takimi me drejtorët qendror dhe vendorë të policisë është shprehur se policia është në një moment shumë deçiziv për sa i përket luftës ndaj lëndëve narkotike.
 
“Jemi në një moment shumë deçiziv të një prioriteti tjetër të jashtëzakonshëm do ta quaja, që është ai i planit veprimit të luftës për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të tyre, e cila është një pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare, e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e Policisë së Shtetit”, tha Çako i cili shtoi se ky prioritet kërkon angazhimin e gjithsecilit.
 
Gjatë takimit mes Çako ka kërkuar që të vendosen në mbikëqyrje  personat me risk si dhe zonat në të cilat është kultivuar më parë lëndë narkotike.
 
“Serat janë në gjendje. Ju e dini shumë mirë që shumë sera tashmë funksionojnë pavarësisht nga koha dhe temperatura e lartë që ekziston, ndaj do të duhet që dhe ato t'i nënshtrohen një kontrolli të rreptë për të mbajtur në mbikëqyrje personat me risk ose zonat me risk. Por mos harroni se në zonat e thella ku gjatë vitit të kaluar apo kohë më parë mund të kishte përgatitje dhe kishte sistemim për të kultivuar, mund të ketë përsëri tendenca dhe duhet të jemi të kudondodhur për ta bërë të pamundur aksesin për të kultivuar”, është shprehur Çako, i cili ka paralajmëruar që gjatë kësaj jave duhet të fillojë edhe monitorimi nga ajri me helikopterët e policisë.
 
(D.T/Shqiptarja.com)