Ndërsa Trump rindez shpresat për një marrëveshje të afërt për armëpushim në Gaza (“sot ose nesër do të ketë një njoftim”, deklaroi dje nga Zyra Ovale), shpërthen një krizë diplomatike pa precedent mes Francës dhe Izraelit. Me presidentin Emmanuel Macron të akuzuar publikisht nga ministria e Jashtme izraelite se ka nisur “një kryqëzatë kundër shtetit hebre” dhe se dëshiron të “shpërblejë terroristët me një shtet palestinez”. Dhe një koment shtesë, në një deklaratë zyrtare të ministrisë, që tingëllon si tallje: “Nuk ka dyshim se festa e tij kombëtare do të jetë 7 Tetori”.
Përplasja u ndez pasi presidenti francez, gjatë një vizite zyrtare në Singapor, deklaroi se njohja e Palestinës “nuk është thjesht një detyrim moral, por një domosdoshmëri politike”, ndonëse renditi disa kushte për të ndërmarrë këtë hap. Macron, i cili kërkon sanksione kundër Izraelit, gjithashtu i bëri thirrje vendeve evropiane të “ashpërsojnë qëndrimin kolektiv, nëse në orët dhe ditët në vijim nuk do të ketë një përgjigje të denjë ndaj situatës humanitare në Rripin e Gazës”. Fjalë që u shprehën pikërisht në ditën kur Jens Laerke, zëdhënësi i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare (OCHA), e përshkroi Gazën si “vendi më i uritur në botë, me 100 për qind të popullsisë në rrezik urie”, dhe që nxiti reagimin e ashpër të Izraelit.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, nga një post ushtarak në Bregun Perëndimor, ku sapo ka dhënë dritën jeshile për ndërtimin e 22 kolonive të reja në territor palestinez — të konsideruara të paligjshme nga komuniteti ndërkombëtar — deklaroi: “Ne do të ndërtojmë këtu shtetin hebre. Është një mesazh i qartë për Macron dhe miqtë e tij, ata mund të njohin një shtet palestinez në letër, ne do të ndërtojmë shtetin hebraik izraelit në terren. Letra do të hidhet në koshin e historisë dhe shteti i Izraelit do të lulëzojë dhe të begatohet”. Pak më vonë, ndërhyri edhe Ministria e Jashtme, e drejtuar nga Gideon Sa’ar, me një deklaratë ku flitet për kryqëzatën e presidentit francez. “Në Gaza nuk ekziston asnjë bllokadë humanitare. Kjo është një gënjeshtër e hapur”. Në të vërtetë, OKB-ja vijon të deklarojë se nuk mund të shpërndajë materialet humanitare që tashmë kanë hyrë në Rrip për shkak të pengesave burokratike dhe sepse nuk merr nga autoritetet izraelite itinerarët që duhet të ndjekin kamionët dhe garancitë e sigurisë në zonat ushtarake.
Pavarësisht mbrojtjes verbale, Izraeli duket gjithnjë e më i izoluar në nivel ndërkombëtar. Me përjashtim të Trumpit, shumë vende janë gjithnjë e më të palëkundura në dënimin e luftës që Netanyahu nuk ka ndërmend ta ndalë dhe ndaj kushteve katastrofike humanitare ku ndodhen dy milionë banorë të Gazës në Rripin e rrethuar. Madje edhe Gjermania po mendon të ndryshojë politikën e saj tradicionale pro Izraelit. Pas javësh përjashtimesh, qeveria e re gjermane e drejtuar nga Friedrich Merz po shqyrton nëse do të lejojë apo jo dërgimin e ardhshëm të armëve për shtetin hebre. “Izraeli duhet të jetë në gjendje të mbrohet edhe me sisteme armësh gjermane — shpjegoi për Sueddeutsche Zeitung ministri i Jashtëm Johann Wadephul — por po shqyrtojmë nëse ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Një dyshim ky që, pas 19 muajsh bombardimesh, është bërë gjithnjë e më i rrallë. Edhe gjatë ditës së djeshme janë vrarë 72 palestinezë. Dhe OKB-ja denoncon një grabitje masive të furnizimeve mjekësore: “Një grup individësh të armatosur ka hyrë me forcë në magazinat e një spitali fushor në Deir el-Balah, duke vjedhur pajisje mjekësore, barna dhe suplementë ushqimorë të destinuar për fëmijët e kequshqyer”./La Repubblica
Komente

