Sipas mediave amerikane, Irani do t’i përgjigjet sot draftit të marrëveshjes amerikane që përmban 14 pika për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur një kuadër për negociata më të detajuara. Plani parashikon angazhimin e Teheranit për një moratorium mbi programin bërthamor, miratimin nga SHBA për heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira, si edhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Disa klauzola të draftit amerikan konsiderohen “të papranueshme” nga regjimi islamik, raportoi CNN duke cituar burime të informuara.

Në anën tjetër SHBA dhe Irani kanë arritur marrëveshjet e para për heqjen graduale të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit. Këtë e raporton media arabe al Hadath. “Negociatat po bëjnë përparime”, thuhet në raport, “Irani do ta rihapë gradualisht Hormuzin dhe Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë bllokadën detare të porteve iraniane”.

Sipas portalit, “një zgjidhje për nisjen e anijeve të bllokuara mund të vijë brenda orëve të ardhshme”. Pavarësisht optimizmit të kujdesshëm për mundësinë e një marrëveshjeje, Pakistani ka sqaruar se aktualisht nuk është planifikuar një takim i drejtpërdrejtë mes SHBA dhe Iran. “Nuk ka marrëveshje për ndonjë takim të drejtpërdrejtë” tha një burim pakistanez për Al Arabiya.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka kërkuar nga Teherani një përgjigje të shpejtë ndaj propozimit të tij me 14 pika. Në të njëjtën kohë ai ka lënë të hapur edhe mundësinë e rikthimit të sulmeve kur të mërkurën tha se Irani duhet të pranojë memorandumin ose SHBA do të rikthehet në luftë me sulme edhe më të ashpra se më parë.

Ndërkohë presidenti Trump ka zhvilluar sot një telefonatë me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilën e ka paralajmëruar për rritje të tarifave doganore të mallrave evropianë në rast se BE nuk respekton marrëveshjen detare deri më 4 korrik.

“Kanë kohë deri më 4 korrik për të respektuar marrëveshjen tregtare të vitit të kaluar, përndryshe mallrat e tyre do t’i nënshtrohen tarifave më të larta”.

Ndër të tjera, Trump tha se u pajtua me Von der Leyen që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore.

Pasditen e sotme një raketë, origjina e së cilës është ende duke u përcaktuar, ra brenda bazës Shama, ku ndodhet kontingjenti italian i UNIFIL Sector Ëest, në Liban. UNIFIL njoftoi lajmin, duke specifikuar se "nuk u raportuan të lënduar midis personelit italian, vetëm dëme të vogla në një automjet ushtarak". Hetimet janë duke u zhvilluar aktualisht për të përcaktuar me saktësi origjinën e raketës, si dhe rrethanat e incidentit.

Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump pas takimit të Këshillit të Sigurisë Politike, raportoi Ynet.

Presidenti i Iranit tha se ka zhvilluar një takim dy orë e gjysmë me Mojtaba Khamenein, sipas mediave lokale, duke shënuar takimin e parë të raportuar mes një zyrtari të lartë iranian dhe udhëheqësit të ri suprem të vendit.

Sa i takon programit bërthamor burimet amerikane të këtyre dy mediave thanë se Irani mund të shkojë drejt një moratoriumi nuklear deri në 15 vite ndërsa SHBA kanë kërkuar 20.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Trump: Jo armë bërthamore për Teheranin, edhe Von der Leyen pajtohet me ne

“Pata një telefonatë të shkëlqyer me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Diskutuam shumë tema, përfshirë faktin se jemi plotësisht të bashkuar që Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Ramë dakord që një regjim që vret popullin e vet nuk mund të kontrollojë një bombë që mund të vrasë miliona.” shkroi Presidenti i SHBA-së Donald Trump këtë në Truth .

Ora 21:45
Trump telefonatë me Von der Leyen: BE ka kohë deri më 4 korrik për të respektuar marrëveshjen tregtare, ose do t’i nënshtrohen tarifave doganore marramendëse

Trump i tha Bashkimit Evropian në një telefonatë me Ursula von der Leyen se “Kanë kohë deri më 4 korrik për të respektuar marrëveshjen tregtare të vitit të kaluar, përndryshe mallrat e tyre do t’i nënshtrohen tarifave më të larta”.

“Diskutuam për shumë tema, përfshirë unitetin tonë të plotë në bindjen se Irani nuk mund të pajiset kurrë me armë bërthamore. Ramë dakord që një regjim që vret popullin e vet nuk mund të kontrollojë një bombë të aftë të vrasë miliona njerëz. Kam pritur me durim që BE-ja të përmbushë detyrimet e saj që rrjedhin nga marrëveshja historike tregtare e nënshkruar në Turnberry, në Skoci, marrëveshja më e madhe tregtare e të gjitha kohërave! U bë premtimi që BE-ja do të respektonte pjesën e saj të marrëveshjes dhe, siç ishte parashikuar, do të eliminonte tarifat doganore! Pranova t’i jap kohë deri në 250-vjetorin e vendit tonë, përndryshe, fatkeqësisht, tarifat do të rriteshin në mënyrë marramendëse”, tha Trump.

Ora 21:42
Teherani: As një litër naftë nuk do të kalojë Hormuzin pa miratimin tonë

1776668926_ebrahimazizi.jpg

Foto: Ebrahim Rezaei

Irani nuk do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe asnjë anije cisternë nafte nuk do të lejohet të kalojë pa autorizimin e tyre.

Kështu deklaroi Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komitetit Parlamentar Iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme.

 "Ata nuk do të jenë në gjendje të kalojnë as edhe një litër naftë përmes Ngushticës së Hormuzit pa lejen e Republikës Islamike", tha Rezaei, duke shtuar se "nëse amerikanët shohin edhe lëshimin më të vogël ose tërheqjen prej nesh, ata me siguri do të bëhen edhe më të guximshëm".

Ora 21:32
SHBA-të u shesin armë vendeve të Lindjes së Mesme për 25.8 miliardë dollarë

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka miratuar shitjen e qindra sistemeve mbrojtëse, interceptorëve dhe armëve vendeve të Lindjes së Mesme. Sipas Bloomberg News , marrëveshja vlerësohet në 25.8 miliardë dollarë.

Ora 21:01
Tajani: Raketa që goditi kontingjentin italian të UNIFIL në Liban u lëshua nga Hezbollahu

1777064472_ycfiugpp.jpg

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, është shprehur se raketa që goditi kontigjentin Italian të UNIFIL në Liban u lëshua nga Hezbollahu.

Komentet Tajani i bëri në Wiesbaden, teksa foli për sulmin, i cili për fat të mire nuk solli pasoja në njerëz.

"Raketa që ra, për fat të mirë pa dëmtuar askënd, në kompleksin e misionit italian UNIFIL, ishte një raketë që ishte në duart e Hezbollahut", tha Ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

"Unë besoj se është e drejtë të ndërpriten si financimi ashtu edhe armët që i shkojnë Hezbollahut", shtoi Tajani, duke shtuar se grupi libanez "nuk mund të vazhdojë të luajë rolin që po luan aktualisht".

Ora 20:16
Wall Street Journal: SHBA-të po shqyrtojnë rifillimin e Operacionit ‘Projekti Liria’ për nxjerrjen e anijeve tregtare të bllokuara jashtë Ngushticës së Hormuzit

1777961675_ngushticaehormuzit.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë rifillimin e Operacionit ‘Projekti Liria’ për të drejtuar anijet tregtare jashtë Ngushticës së Hormuzit, ndoshta që këtë javë, raporton Wall Street Journal.

Operacioni u pezullua pak pasi nisi, pa dhënë arsye bindëse për këtë veprim. Ndërkohë negociatat mes palëve janë duke vijuar me ndërmjetësimin e Pakistanit, për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund konfliktit mes Iranit dhe SHBA-së.

Ora 19:55
‘Radarë të fikur’, Reuters: Si Emiratet e Bashkuara Arabe kalojnë anijet me naftë në Hormuz

Me gjurmuesit e vendndodhjes të fikur për të shmangur sulmet iraniane, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe blerësit në kohët e fundit kanë kaluar disa cisterna të ngarkuara me naftë të papërpunuar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo është një përpjekje për të lëvizur naftën e mbetur në Gjirin Persik nga konflikti i Lindjes së Mesme, sipas burimeve të industrisë dhe të dhënave të transportit detar, shkruan Reuters.

Vëllimet janë një pjesë e vogël e eksporteve tipike të Emirateve të Bashkuara Arabe para luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, por ato tregojnë rreziqet që prodhuesi dhe blerësit janë të gatshëm të marrin përsipër për të çliruar shitjet e naftës.

Prodhuesit e tjerë të Gjirit, Iraku, Kuvajti dhe Katari ose i kanë ndaluar shitjet, ose kanë ulur ndjeshëm çmimet për të tërhequr blerësit e painteresuar, ose po transportojnë vetëm përmes Detit të Kuq në rastin e Arabisë Saudite.

Ora 18:57
Meloni: Italia e përkushtuar për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, dënojmë sulmet e Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe

1776438783_69e24471a6408.jpeg

Kryeministrja Giorgia Meloni është shprehur se Italia është e përkushtuar për të ndihmuar për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Komentet Meloni i bëri pas takimit në Romë me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, në një deklaratë të përbashkët për shtyp.

"Gjithashtu patëm një shkëmbim të gjerë pikëpamjesh mbi çështjet kryesore aktuale ndërkombëtare, duke filluar me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe pasojat e tyre për Evropën. Italia dhe Polonia janë të dyja të përkushtuara për të nxitur uljen e tensioneve në rajon, për të kufizuar ndikimin ekonomik të krizës në familjet dhe bizneset tona", tha mes të tjerash Meloni.

"Ne jemi gjithashtu veçanërisht të vëmendshëm ndaj nevojave të partnerëve tanë në Gjirin Persik", shtoi kryeministrja. Meloni tha se dëshironte të "shfrytëzonte këtë mundësi për të treguar afërsinë dhe solidaritetin e Italisë me Emiratet e Bashkuara Arabe pas sulmeve të pajustifikueshme që kanë pësuar nga Irani, përfshirë edhe orët e fundit".

Ora 18:56
Washington Post: Teherani mund t'i rezistojë bllokadës së Hormuzit për 3-4 muaj

1777889661_ngushticaehormuzit.jpg

Një analizë e CIA-s, arrin në përfundimin se Irani mund t'i rezistojë bllokadës detare amerikane për të paktën tre deri në katër muaj përpara se të përballet me vështirësi më të rënda ekonomike, thanë për Washington Post katër persona të njohur me dokumentin.

Analiza, e përgatitur nga komuniteti i inteligjencës amerikane, zbuloi gjithashtu se Teherani ruan aftësi të konsiderueshme raketash balistike, pavarësisht javëve të bombardimeve intensive nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Sipas një zyrtari amerikan, Teherani ruan afërsisht 75 përqind të rezervave të tij të paraluftës të lançuesve celularë dhe afërsisht 70 përqind të rezervave të tij të raketave para luftës.

Zyrtari shtoi se ka prova se regjimi ka arritur të rikuperojë dhe rihapë pothuajse të gjitha objektet e tij të magazinimit nëntokësor, të riparojë disa raketa të dëmtuara dhe madje të montojë raketa të reja që ishin pothuajse të përfunduara në fillim të konfliktit.

Ora 17:44
Islamabadi zyrtar: Presim një marrëveshje SHBA-Iran së shpejti për t'i dhënë fund konfliktit

1777978908_islamabad.jpg

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi, ka deklaruar se së shpejti pritet një marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.

"Ne presim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur", tha sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi, duke folur për negociatat.

"Shpresojmë që palët të arrijnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme që do të kontribuojë jo vetëm në paqen në rajonin tonë, por edhe në paqen ndërkombëtare", shtoi ai.

Zëdhënësi, megjithatë, nuk pranoi të jepte detaje specifike mbi një afat kohor, duke theksuar se Pakistani nuk do të zbulonte detaje mbi përpjekjet diplomatike në vazhdim.

"Ajo që mund t'ju them, dhe kjo është ajo që kam thënë më parë, është se ne mbetemi pozitivë, mbetemi optimistë dhe shpresojmë që një marrëveshje të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi ai.

Ora 17:33
Liban-Izrael do të zhvillojnë bisedime të reja në Uashington javën e ardhshme

1775655874_liban.webp

Libani dhe Izraeli do të zhvillojnë bisedime të mëtejshme në Uashington më 14 dhe 15 maj.

Lajmin e raportoi France Press, duke cituar një zyrtar amerikan.

"Do të ketë bisedime midis Libanit dhe Izraelit të enjten dhe të premten e javës së ardhshme në Uashington", tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit në kushte anonimiteti.

Ora 16:54
Izraeli vret një Komandant të Hezbollahut, Netanyahu: Armiqtë e Izraelit nuk kanë 'imunitet'

1776334856_benjaminnetanyahu.jpg

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk ka "imunitet" për armiqtë e Izraelit, pasi një komandant i Hezbollahut u raportua se u vra në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Sipas mediave të huaja, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se vranë Ahmed Ali Balout, komandantin e Njësisë së Forcës Radwan të grupit militant të mbështetur nga Irani, në një sulm në periferitë jugore të Bejrutit dje.

Sulmi ishte i pari i Izraelit në kryeqytetin libanez që nga armëpushimi i shpallur muajin e kaluar.

Benjamin Netanyahu tha se komandanti i Hezbollahut "mendonte se mund të vazhdonte të drejtonte sulme kundër forcave tona dhe komuniteteve tona nga selia e tij sekrete terroriste në Bejrut".

Ai shtoi: “U them armiqve tanë në mënyrën më të qartë të mundshme: Asnjë terrorist nuk ka imunitet.”

Hezbollahu, i cili kontrollon periferitë jugore të Bejrutit, ende nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë mbi sulmin apo statusin e komandantit.

Ora 15:42
IDF: Hezbollahu lëshoi ​​disa raketa dhe dronë drejt trupave tanë

1776527941_ushtareizraelite.jpg

Në orët e fundit, Hezbollahu ka lëshuar disa raketa dhe dronë të mbushur me eksploziv drejt trupave izraelite të stacionuara në Libanin jugor.

Lajmin e bëri me dije ushtria izraelite duke shtuar se raketat dhe disa dronë u rrëzuan, ndërsa disa dronë shpërthyen në afërsi të forcave izraelite.

Sipas IDF-së, asnjë nga sulmet nuk shkaktoi lëndime.

Ora 15:40
S’është parë asnjëherë publikisht, presidenti i Iranit: Jam takuar personalisht me Mojtaba Khamenein

Presidenti i Iranit tha se ka zhvilluar një takim dy orë e gjysmë me Mojtaba Khamenein, sipas mediave lokale, duke shënuar takimin e parë të raportuar mes një zyrtari të lartë iranian dhe udhëheqësit të ri suprem të vendit.

Masoud Pezeshkian iu referua nevojës për të “forcuar unitetin, besimin dhe solidaritetin brenda strukturës udhëheqëse të vendit.”

Khamenei nuk është parë publikisht që nga emërimi i tij në mars, pas sulmeve amerikano-izraelite që vranë babanë dhe paraardhësin e tij, Ajatollahun e ndjerë Ali Khamenei, gjë që ka nxitur spekulime mbi shëndetin dhe vendndodhjen e tij.

Të gjitha deklaratat publike që i atribuohen udhëheqësit të ri suprem janë lexuar nga prezantues në televizionin shtetëror, dhe kjo është hera e parë që raportohet se një zyrtar i lartë qeveritar është takuar me të personalisht.

Koha e këtij takimi është gjithashtu domethënëse, pasi vjen mes optimizmit në rritje mes zyrtarëve se Uashingtoni dhe Teherani janë pranë arritjes së një mirëkuptimi.

Pezeshkian tha se Khamenei kishte marrë pjesë në takim “me një frymë të bazuar në thjeshtësi, përulësi, sinqeritet dhe respekt të ndërsjellë, çka e bëri atmosferën plotësisht të drejtpërdrejtë, të hapur dhe të shoqëruar me një ndjenjë afërsie dhe besimi”.

“Kur zyrtari më i lartë i vendit ndërvepron me njerëzit dhe zyrtarët me një etikë të tillë, përulësi dhe frymë të orientuar nga populli, kjo sjellje mund të bëhet natyrshëm një model edhe për sistemin administrativ dhe drejtues të vendit”, citohet të ketë thënë presidenti iranian.

Ora 15:27
Pakistani: Për momentin nuk parashikohet një takim SHBA-Iran

Pavarësisht optimizmit të kujdesshëm për mundësinë e një marrëveshjeje, Pakistani ka sqaruar se për momentin nuk është planifikuar një bisedim i drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

“Nuk ka marrëveshje për takime të mundshme të drejtpërdrejta mes iranianëve dhe amerikanëve”, tha një burim pakistanez për Al Arabiya.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se i ka kërkuar Teheranit një përgjigje të shpejtë ndaj propozimit të tij me 14 pika. Kundëroferta mund të vijë madje edhe sot. Por për momentin diskutimet mbi Ngushticën e Hormuzit janë ende në vazhdim.