Marrëveshja me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet gjatë javës së ardhshme. Kështu deklaroi Donald Trump në një intervistë për ABC News, duke theksuar se një marrëveshje paqeje mund të jetë më e mirë se një fitore ushtarake.
“Duket se gjithçka po shkon mirë,” tha Trump për ABC News gjatë një bisede telefonike. “Sot pati një pengesë të vogël, por e zgjidha shumë shpejt,” shtoi ai. “Po flasim për një vend vërtet të madh,” tha ai, prandaj “nuk është një gjë e lehtë për ta. Në fakt, nuk është e lehtë as nga këndvështrimi ynë. Por ne po arrijmë atë që duhet të arrijmë.”
Ndërkohë Axios raporton për një bisedë të tensionuar mes presidentit amerikan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për shkak të përshkallëzimit të sulmeve izraelite në Liban.
Dje, Irani kërcënoi se do të braktiste negociatat me Shtetet e Bashkuara për shkak të veprimeve të Izraelit në Liban. Sipas Axios, gjatë telefonatës Trump e quajti Netanyahun “të çmendur” dhe e akuzoi për mosmirënjohje.
“Je plotësisht i çmendur. Do të ishe në burg po të mos isha unë. Po të shpëtoj prapanicën. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj”, citohet t’i ketë thënë Trump.
Lajm në përditësim...
Hezbollahu nuk do të pranojë një "armëpushim të pjesshëm" me Izraelin. Kështu deklaroi udhëheqësi i grupit pro-iranian, Mahmoud Qomati, duke hedhur poshtë idenë e pezullimit të sulmeve kundër Izraelit verior në këmbim të thjesht heqjes dorë nga sulmet ndaj periferive jugore të Bejrutit nga ana e Izraelit.
"Ne nuk do të pranojmë një armëpushim të pjesshëm", tha Qomati teksa deklaroi se "çdo agresion kundër periferive mund të çojë në një përgjigje më të thellë dhe më të fortë" nga grupi.
Ky qëndrim vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi një marrëveshje që, sipas autoriteteve libaneze, do të përfshinte heqjen dorë nga sulmet ndaj periferive jugore të Bejrutit nga ana e Izraelit në këmbim të ndërprerjes së sulmeve ndaj territorit izraelit nga ana e Hezbollahut.
Kreu i ri i Agjencisë së Inteligjencës izraelite, Roman Gofman, ka deklaruar se puna kundër regjimit iranian nuk ka mbaruar ende.
Sipas mediave të huaja, komentet Gofman i bëri gjatë fjalimit të tij, teksa u prezantua në këtë detyrë.
"Ndryshimi strategjik që i kemi shkaktuar boshtit iranian dhe planit të tij për të shkatërruar Izraelin ka ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në të gjithë rajonin. Boshti shiit, i cili synonte të shkatërronte vendin tonë, është mposhtur plotësisht. Por puna nuk ka mbaruar. Zemra e Mossadit është e angazhuar në operacione të fshehta. Ne do të rezistojmë me gjithë forcën tonë dhe do të vazhdojmë të përsosim dhe zhvillojmë aftësi dhe metoda për të befasuar dhe për të qenë vendimtarë", tha Gofman.
Mediat izraelite raportuan se dje se në fjalimin e tij të lamtumirës, David Barnea, kreu në largim i Mossadit, deklaroi se Izraeli është "në mes të një fushate historike. Unë ende besoj se ndryshimi i realitetit në Iran përmes ndryshimit të regjimit është një qëllim i mundshëm dhe i arritshëm, i cili kërkon vendosmëri, durim dhe këmbëngulje. Ky mision duhet të mbetet në krye të prioriteteve tona."

Foto: Marco Rubio
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, nuk ka dyshime: Shtetet e Bashkuara janë superfuqia e vetme.
"Ne mbetemi superfuqia e vetme në botë, vendi më i fuqishëm në Tokë", tha ai në seancën e sotme dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, e para që nga fillimi i luftës me Iranin.
"Ne kemi ekonominë më të madhe, kemi ushtrinë më të fuqishme që njerëzimi ka njohur ndonjëherë dhe dollari ynë mbetet monedha rezervë e botës", shtoi ai.
Një raund i ri bisedimesh midis Izraelit dhe Libanit ka filluar në Uashington.
Bisedimet vijnë pas tensioneve të fundit dhe ndërhyrjes së Presidentit amerikan Donald Trump, për të ndaluar përshkallëzimin e situatës nga Izraeli në Liban.
Ndërkohë Wall Street Journal ka shkruar se Irani i ka bërë presion Trumpit që të "shpëtojë Hezbollahun".
“Duke kërcënuar me negociatat, regjimi i ka shtyrë Shtetet e Bashkuara t'ia lidhin duart Izraelit", shkruan media amerikane.
Wall Street Journal thekson se duke ndërhyrë tek Izraeli dhe Hezbollahu, Presidenti "ka zgjedhur të shmangë përshkallëzimin dhe të vazhdojë dialogun".
Nëse Trump "nuk dërgon një mesazh tjetër, do të jetë e vështirë të bindet regjimi që të respektojë një marrëveshje pavarësisht premtimeve të Teheranit".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur se regjimi iranian është i destinuar të zhduket.
Sipas mediave të huaja, komentet Netanyahu i bëri gjatë ceremonisë së inaugurimit të shefit të ri të Mossad, Roman Gofman, i cili përfundon mandatin e tij si sekretar ushtarak i Netanyahut ditën e sotme.
"Mossad do të vazhdojë të jetë në ballë të luftës sonë kundër agresionit iranian. Duke vazhduar me politikën e qëndrueshme që kemi ndjekur prej vitesh, ne nuk do ta lejojmë regjimin iranian të rehabilitohet. Ne nuk do ta lejojmë atë të pajiset me armë bërthamore ose të kërcënojë ekzistencën tonë. Ky regjim terrori është i destinuar të zhduket nga bota - dhe ne do ta ndihmojmë atë të arrijë këtë qëllim - dhe nuk do të na kërcënojë më me bomba bërthamore dhe mijëra raketa balistike vdekjeprurëse", tha Netanyahu.
Komente








Ju e dini shume mire qe ajo “superfuqi e vetme “ qe thoni ju ka vdekur por mundoheni ti shtyni sa me tej funeralin por nje dite do te behet dhe ai . Amerika e beri ciklin e saj si superfuqi dhe pervec se luftrave dhe shkaterrimit asgje te mire nuk i solli botes , dhe sa me shpejt te bej funeralin e saj aq me shpejt vjen paqja ne bote
Përgjigju