Për politologun Lisandër Hoxha, lufta Rusi-Ukrainë mund të jetë mbyllur deri në pranverën e vitit 2026.

I ftuar në emisionin ‘Bota Report’, në Report Tv, ai tha se kjo luftë duhet që të përfundojë, pasi ky është edhe synimi i presidentit SHBA Donald Trump.

‘Kjo do të jetë një luftë e fortë për ekonominë ruse, sepse Ukraina ka mbështetje nga vende të tjera që i japin suport, ndaj thirrja e Trump është për Putin që t’i jap fund. Palët kanë diskutuar dhe nuk është gjetur zgjidhje, por ka pasur kosto të madhe ekonomike. Ka një plan besoj nga Amerika afatshkurtër të dhënies fund të kësaj lufte. Ata po rrisin presionin ndaj Rusisë dhe po i japin ndihmë Ukrainës sidomos edhe me dhënin e raketave Tomahaëk.

Por do ekonomi për ta mbajtur luftën dhe në këtë kontekst është vështirë për ta mbajtur, nëse jo brenda këtij viti mendoj se brenda pranverës do të mbyllet kjo luftë, sepse ky është edhe synimi i Donald Trump’, tha ai.

Ai tha se nuk do të ketë një përshkallzim të luftës, pasi sipas tij Rusia ka pësuar humbje të madhe ekonomike.

‘Mos të harrojmë se po shkon 200 miliardë dollarë në vit lufta për Rusinë, ka qenë një luftë e vështirë dhe me pasoja edhe në humbje ushtarësh të Rusisë. Në momentin që ne po flasim Europa është duke ndihmuar Ukrainën për dimrin që po vjen me energji elektrike, për shkak të dëmtimeve që i janë bërë në infrastrukturës energjitike. Nuk mendoj se jemi në rastin e një përshkallëzim të luftës. Rusia po bënë çdo gjë që në tryezën e bisedimeve të ulet duke pasur në kontroll të gjitha territoret që ajo do të marr. Kjo luftë do të shkojë drejt përfundimit', tha ai. 

Një koment Hoxha e pati edhe për luftën në Lindjen e Mesme.

‘Lufta në Lindjen e Mesme është në përfundim dhe do të nis rindërtimi i Gazës, ashtu sikurse do të shkojë drejt përfundimit edhe ajo e Ukrainës’, tha ai.