Forcat ukrainase zhvilluan një sulm me dron ndaj infrastrukturës pranë qytetit Vladimir në Rusinë perëndimore, gjatë orëve të natës.

"Të gjitha sistemet funksionojnë normalisht. Ekspertët po punojnë", njoftoi guvernatori Alexander Avdeev në kanalin e tij Telegram.

Avdeev theksoi gjithashtu se kërcënimi i sulmeve me dronë mbetet në rajon dhe u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes.

Dronët ukrainas goditën dhe dëmtuan gjithashtu edhe një termocentral në rajonin Orel të Rusisë. Guvernatori rajonal Andrei Klychkov tha se sulmet shkaktuan dëme në pajisjet e furnizimit me energji.

Ndërkohë edhe rusët  nga ana tjetër sulmuan infrastrukturën civile në Sumy, duke lëshuar 10 dronë mbi qytet brenda një ore dhe duke plagosur të paktën dy persona.

Pentagoni i ka dhënë Shtëpisë së Bardhë dritën jeshile për të furnizuar Ukrainën me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, pasi vlerësoi se kjo nuk do të ndikonte negativisht në rezervat amerikane, duke e lënë vendimin përfundimtar politik në duart e Presidentit Donald Trump.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:29
Zelensky: Rusia po vendos 170 mijë trupa për të avancuar në Donetsk

1761299335_volodymyrzelensky.ëebp

Rusia ka vendosur afërsisht 170,000 trupa në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë, ku po përpiqet të pushtojë fortesën e Pokrovskut për të siguruar fitoren në fushën e betejës, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

"Ka rusë në Pokrovsk, por ata po shkatërrohen, po shkatërrohen gradualisht, sepse ne duhet të ruajmë personelin tonë", tha ai. 

Ora 11:18
Financial Times: Takimi mes Trump dhe Putinit u anulua për shkak të kërkesave të Moskës

1760683306_vas.jpg

Shtetet e Bashkuara anulluan takimin midis presidentit Donald Trump dhe diktatorit rus Vladimir Putin në Budapest, pasi Rusia paraqiti “kërkesa të ashpra” për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Lajmin e raporton Financial Times. Sipas burimeve të gazetës, qëndrimi i Moskës ishte tepër i ashpër dhe nuk përputhej me pozicionin e Uashingtonit.

Gjithashtu, është raportuar se vendimi për të anuluar samitin dypalësh të planifikuar më parë u mor pas një bisede telefonike “të tensionuar” midis sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Sipas mediave, Rusia nuk ka ndryshuar kërkesat e saj maksimaliste për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ndërkohë, vetë Trump ka deklaruar publikisht se “nuk dëshiron të humbasë kohë” me negociata që nuk ofrojnë rezultate.

 

Ora 11:16
Ish Ministri rus i Mbrojtjes: Testet bërthamore nuk janë ndalur kurrë nga asnjë vend

1761905850_shoigu.JPG

Testet bërthamore “nuk janë ndalur kurrë në asnjë vend” që zotëron këto armë, por janë zhvilluar gjithmonë në formën e “modeleve matematikore” përmes sistemeve kompjuterike. Kështu deklaroi Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. 

“Testet nuk janë ndalur asnjëherë në asnjë vend, as për një ditë, as për një orë. Thjesht janë kryer përmes përdorimit të teknikës së llogaritjes – nuk janë bërë teste fizike, por janë realizuar modele matematikore,” tha Shoigu, i cituar nga agjencia Interfax, pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte shpallur synimin për të rinisur testet bërthamore fizike.

 

Ora 11:00
Rusja Lukoil do të shesë asetet e saj në Irak te grupi zviceran Gunvor

1761904918_lukoil.JPG

Kompania gjigante ruse e naftës Lukoil, me seli në Moskë, ka njoftuar shitjen e aseteve të saj ndërkombëtare te grupi zviceran Gunvor, duke përfshirë edhe fushën naftëmbajtëse West Qurna 2 në Irak.
Lajmin e raporton portali informativ “Iraqi News”, sipas të cilit aktivi kryesor i grupit rus jashtë vendit është pikërisht kjo fushë nafte në Irak, një nga më të mëdhatë në botë, ku Lukoil zotëron 75 për qind të aksioneve.

Sipas “Iraqi News”, fusha ka prodhuar mbi 480 mijë fuçi nafte në ditë në prill të këtij viti.
Gunvor Group, një multinacionale e specializuar në tregtinë e lëndëve të para energjetike, e regjistruar në Qipro dhe me seli tregtare në Gjenevë, ka paraqitur një ofertë zyrtare për blerjen e këtyre aseteve.

Lukoil ka konfirmuar se ka pranuar ofertën dhe është zotuar të mos zhvillojë negociata me blerës të tjerë të mundshëm. Megjithatë, transaksioni mbetet i varur nga miratimi i qeverisë amerikane.

Lukoil është kompania ruse me diversifikimin më të madh ndërkombëtar në sektorin energjetik, me impiante në disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë Kazakhstanin, Uzbekistanin dhe Azerbajxhanin, si edhe në Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gana, Nigeri, Kamerun dhe Kongo.

Më 22 tetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Lukoil dhe Rosneft — dy prodhuesit kryesorë të naftës ruse — duke e akuzuar Moskën për mungesë vullneti në negociatat e paqes me Ukrainën.


Masat përfshijnë edhe një numër të madh degësh të këtyre kompanive që merren me eksplorim, prodhim, menaxhim fushash naftëmbajtëse dhe logjistikë.
Si pasojë e këtyre kufizimeve, Lukoil ka nisur vlerësimin e ofertave për shitjen e aktiviteteve të saj jashtë Rusisë.