Lutja e Açkës e zhgënjimi i Kokalarit që hasen në shurdhërinë e Berishës

Lutja e Açkës e zhgënjimi i Kokalarit që hasen në shurdhërinë e Berishës

Flutura Açka dhe Evi Kokalari

Flutura Açka deputete e cila është rreshtuar në krahun e grupit Alibeaj në PD i ka drejtuar një letër publike Sali Berishës. Pasi i bën një përshkrim situatës në kampin e çoroditur demokrat nga lufta për simbolet e partisë që në gjuhën e përditshme të lajmeve, njihet si beteja për vulën, znj Açka i kërkon Berishës që për hir të demokratëve të thjeshtë, të zbusë tonet e retorikës politike e të pranojë rikthimin e Bashës, Alibeajt me shokë në parti. Letra ka tone romantizmi politik, që për hir të së vërtetës nuk përkojnë fare me frekuencën refraktare të mendësisë së Berishës. Kush e njeh doktorin e di mirë se ai më shumë urren Bashën e Alibeajn sot, se Edi Ramën. Përpjekja për ta futur Berishën në një hulli refleksioni, është naive dhe jorealiste, kur mendon se pas gjithë kësaj katrahure që ka ndodhur në PD dhe me vetë Berishën, është Berisha. Madje këtë e pohon dhe vetë letërshkruesja kur thotë se ata që Berisha ka kundër sot brenda PD, janë promovuar prej tij dhe pse ishin, janë dhe do të mbeten një dështim në kontekstin e pritshmërive politike. E kjo nuk bën me faj ata, por Berishën, sepse është ai që për dekada me radhë vrau garën dhe ka kryer pseudogara në PD.

Është ai që i ka treguar derën shpesh pa e fshehur dufin e tij inatçor prej një politikani tipik lindor, atyre që nuk mendonin si ai, ose ishin të ndryshëm prej tij. Është pikërisht ai që ka paracaktuar kush duhet t’i qëndrojë afër dhe kush duhet të përballet me linçime e përjashtime nga PD. Është ai që futi në PD frymën e kryqëzimit e më pas përjashtimit të kundërshtarëve, duke përdorur struktura të partisë, individë pseudo të pavarur e media shërbëtore që ka financuar në periudha të ndryshme të pushtetit. Pra Berisha ndërtoi pikërisht atë mendësi politike që do të çonte dhe vetë atë në gijotinën partiake. 9 shtatori i vitit 2021 është dita më tragjike për karrierën politike të Sali Berishës. As ’97 kur ra nga pushteti presidencial e vendi u përfshi nga anarkia e dhe vetë mbeti i izoluar mes armësh në rrethim mbrojtjeje për jetën e tij, as humbjet apo dështimet e tjera, përfshirë edhe atë knock out politik që pasoi në 2013-ën kur u mund me 1 milion vota në zgjedhje, nuk do t’i dhimbnin, trishtonin e zhgënjenin aq shumë sa akti i përjashtimit të tij nga PD.

Madje dhe vetë shpallja non grata nuk do ta trondiste aq shumë doktorin, sa vendimi që partia po e braktiste në këtë moment duke e lënë të vetëm në fatin e përballjes me SHBA. Pra Berishën po e zhgënjenin të gjithë, por jo vetja. Ajo se ka zhgënjyer kurrë doktorin. Në atë moment kur pa se ky mund të ishte fundi i tij politik dhe në pikëpyetje ishin pasuritë e familjes, ai rindezi edhe një herë motorin e tij të brendshëm në limitet ekstreme, para se të përfundonte në greminën politike, ku bashkëpunëtorët të cilëve u kishte besuar pleqërimin e vet politik ia futën. Me armën e vetme për të cilën kishte investuar në më shumë se 3 dekada në politikë, “militantët fanatikë” dhe një grup bashkëpunëtorësh të kahershëm më shumë servilë se besnikë, Berisha rikthehet e kërkon të rimarrë partinë te qiramarrësit, të cilët tanimë besonin se kishin ndryshuar status e ishin ata pronarë të PD. E kështu beteja për licensën politike nisi pa kthim, njësoj si bindja e Berishës se qiramarrësit nuk ishin tregtarë në mirëbesim, por hajdutë politikë në veprim, për të cilët vetë Berisha kishte kontribuar në kualifikim.

Atëherë si mundet t’i kërkosh Berishës të reflektojë e të preket emocionalisht, për ata që ai vetë i rriti e mësoi se si të bëjnë intriga, kulisa e “vrasje politike”?! Kjo është një luftë brenda llojit që e refuzon ndërgjegjegjen apo reflektimin. A mund të ketë të ardhme mbi mosbesim?! Jo. Atëherë çfarë po i kërkohet Berishës dhe si mund t’i kërkohet Berishës reflektim e besim, kur është njeriu që ka ndërtuar të gjithë rrugëtimin e tij politik me kurthe, demaskime, linçim e përjashtim. I njëjti naivitet i shoqëruar me zhgënjim shfaqet edhe nga një tjetër protagoniste e investuar fort pranë Berishës pas shpalljes së tij non grata. Evi Kokalari një shqiptaro/amerikane u shndërrua në armën kryesore mediatike dhe publike të doktorit ndaj “çunave besprerë” të PD-së.

Me stilin e drejtëpërdrejt alla amerikan të të thënit të gjërave Kokalari u fut gati gati si një kamikaze në habitatin politik e mediatik shqiptar në mbrojtje të Berishës. Dhe doktorit i pëlqejnë shumë vetofrimet dhe vetsakrefikimet. Mbi to ka jetuar e mbijetuar për mbi 3 dekada politikë. Se prej naivitetit a se prej interesit znj Kokalari vazhdonte të besonte se Berisha nuk është ai që është. Pra ajo besonte se Berisha është parimor dhe jo një intrigant politik, se është njeri që do dhe lejon garë dhe jo një vrasës i garave që i maskon me pseudoprocese. Të tjerët ishin ata të kurtheve e manipulimeve që në fakt kishin mësuar nga Berisha, ose kanë vepruar me bekimin e aprovimin e tij të drejtëpërdrejt apo në heshtje për këto skenarë.

Pra znj Kokalari ose se dinte ose se besonte se doktori është njeri emotiv, të cilit duhet t’ia thuash me kujdes e stil ndonjë kërkesë a propozim. Se është njeri që po i fole drejt dhe po i tregove një realitet të ndryshëm prej atij që ai do dhe projekton, ti je një person që ai të mban afër, të përdor, por nuk të do dhe të beson. Dhe znj Kokalari iu deshën ca kohë që këtë gjë ta shihte, mësonte e provonte. Ndaj sot ajo shpreh zhgënjim që besoi në demagogjinë e Berishës për hapje e demokratizim të PD, për garë e orientim drejt vlerave konservatore. Ehh sa herë janë dëgjuar dogma të tilla, të ndryshme e të përshtatshme sipas kohës e rrethanave në këta 30 e ca vite pseudodemokraci. Edhe vetë Berisha habitet se si ka patur dhe për fatin e tij të mirë ka ende njerëz që e besonin dhe besojnë akoma në Shqipëri. Ai thotë gjithnjë atë që nuk bën por që duhet bërë. Ndërkohë shfaqet tepër i gatshëm për të dëgjuar gjithkënd, me shurdhërinë e tij politike.

Pra doktori bën sikur të dëgjon e të beson, por sipas mendjes dhe intuitës së tij egoiste vepron. Ndaj përtej çdo mundimi e besimi nga çdo pragmatist, idealist, apo parimor asgjë e re dhe asnjë ndryshim s’do të ndodhë në kampin berishian pseudokonservator.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale