TIRANE- Mafia e Vlorës ka depërtuar brenda strukturave sekrete të Shërbimit Informativ Shtetëror, duke monitoruar çdo veprim të agjentëve të kësaj agjencie inteligjence dhe për më tepër duke u informuar për çfarëdo hetimi të nisur nga SHISH. Faktet tronditëse që vërtetojnë bashkëpunimin mes agjentëve të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe eksponentëve të grupeve kriminale dhe mafias në Vlorë, janë vërtetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Fierit, e cila dy ditë më parë ka vënë në pranga inspektorin e drejtorisë së SHISH në Fier, Florian Bushi. Dyshohet se kundrejt ryshfeteve që merrte nga anëtarët e grupit kriminal, agjenti i SHISH furnizonte me informacione dhe materiale hetimi tepër sekret, anëtarë të grupeve kriminale. Emri i inspektorit të SHISH, ka dalë pas vrasjes së Denis Kasajt në 8 janar në vendin e quajtur “Mulliri i Vjetër” në Mbrostar, Fier.