Dy persona vdiqën dhe një tjetër mbeti i plagosur pasi një mjet i tonazhit të rëndë përplasi një 'Volkswagen' dhe ra nga lartësia në autostradën pranë rrethrrotullimit të Teg-ut, pasditen e sotme.

Por në këtë rrugë nuk është rasti i parë me pasoja fatale për jetën. Vetëm tre vite më parë në të njëjtin vend humbën jetën tre të rinjtë Klevis Rucaj me 2 mikeshat e tij pasagjere, Sikela Përroj dhe Erisilda Abedini.

Ashtu si tre vite më parë edhe aksidenti që i mori jetën dy të huajve nga Egjipti sot ka të njëjtën dinamikë: Kamioni pompë betoni po lëvizte në Unazën Lindore të Tiranës, nga Farka në drejtim të Tegut, kur u përfshi në aksident. Kamioni i cili drejtohej nga një shofer nga Egjipti, hyn me shpejtësi të lartë në drejtim të rrethit duke përplasur autoveturën që vinte nga krahu i majtë dhe po priste përparësinë e kalimit. 

Ndërkohë në 2023-shin ‘Audi’ i drejtuar nga 20 vjeçari Klevis Ruçaj, që po vinte nga Farka në Unazën e Madhe Lindore të Tiranës çau barrierat në rrreth-rrotullimin e TEG-ut dhe përfundoi në anën tjetër të rrugës. ‘Audi’ ra sipër një automjeti tjetër që ishte në lëvizje në këtë aks.

Ndërsa Report Tv solli atë vit skemën 3D të realizuar nga inxhinieri Alfred Hasanaj për aksidentin tragjik të tre të rinjve, ky i fundit në një intervistë me moderatorin Nertil Agalliu i bëri apel atë kohë Entit Pronar të Rrugës për rritjen e cilësisë së barrierave mbrojtëse.

"Barriera mund të mbajë goditje vetëm me motor dhe bicikletë, nuk mban goditje me automjet. Qëllimi i barrierës mbrojtëse është të kthejë automjetin në rrugë dhe të mos e lejojë të kalojë në korsinë e sensit të kundërt. Në rastin konkret nuk e ka përmbushur se kolona vertikale e barrierës është vendosur mbi beton. Si duhet të ishte? 70 cm në tokë dhe pjesa fundore e pllakës duhet të betonohej dhe të kapej me bulona.

Barrierat projektohen për kënd 15-20 gradë. Për një moment humbet kontrollin dhe kthehet në rrugë. Në rastin konkret, karakteristikat gjeometrike të rrethrrotullimit, automjetet që vijnë nga Farka drejt TEG-ut vijnë me kënd thuajse 90 gradë. Automjeti e ka goditur me kënd 55 gradë ndaj nuk mund të mbajë", tha Hasanaj tre vite më parë në një intervistë për Report Tv.