Maks Velo:Ja kurthi që mund
të më çonte në pushkatim

Maks Velo:Ja kurthi që mund<br />të më çonte në pushkatim<br /><br>
Për herë të parë, 27 vjet pas rënies së regjimit, zbuloi emrat e miqve dhe kolegëve që e denoncuan tek Sigurimi gjatë viteve të errëta të diktaturës. Maks Velo, artist i mirënjohur, vetëm tani, për herë të parë, mundi të lexojë dosjen me 250 faqe, të cilën e kishte përgatitur Sigurimi për të gjatë 28 vjetëve që e kishte mbajtur nën kontroll. Ndërmjet viteve 1973 dhe 1991, Maks Velo u përball me tetë vjet burg dhe punë të detyruar, si dhe 10 vite të tjera internim e dëbim, me akuzën se ishte i apasionuar pas artit modern.

Pas gjashtë muajsh pritjeje, Autoriteti për informimin mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, më në fund, i ka vënë në dispozicion të gjithë dokumentat e atëhershme dhe, duke shfletuar ato dokumenta, tashmë të zverdhura nga koha, ai përjetoi me dhimbje përpjekjen e tmerrshme për të rindërtuar të kaluarën e tij, duke vendosur në vendin e tyre copat që i mungonin, por edhe duke zbuluar emrat e miqve që e kishin tradhtuar. Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv Maks Velo ka treguar disa detaje nga dosja e tij e sigurimit. Mes të tjerash Velo zbulon edhe një prej kurtheve të Sigurimit, që mund ta çonte në pushkatim, kurth që do të vihej në jetë nga bashkëpunëtori i ish Sigurimit, e njëkohësisht kolegu i tij Llambi Blido. 

Maks Velo flet për dosjen e Sigurimit:
“Kjo që kam marrë unë, është një dosje prej 250 faqesh, e cila ndahet në tre kapituj: Ndjekja, që është nga Sigurimi i Shtetit; Hetimi, që është nga Prokuroria; dhe Gjykimi, nga Gjyqi. Ka dhe të katërtën, që është dosja e burgut, në të cilën ka vetëm një fletë, ku kam një zënie me një shok në krevat. Kjo është. Tani, Hetuesinë dhe Gjykimin relativisht i dija, i kisha marrë, sepse jepeshin edhe më përpara. Ajo që ishte top sekret, ishte pjesa e Sigurimit. Pra, unë kam marrë këtë gjë dhe jam tronditur shumë, megjithëse afërsisht disa gjëra i dija. Sigurisht që i kuptoja, i merrja me mend.

Disa i kam shkruar, p.sh. në librin tim kam shkruar që Llambi Blido ishte një nga agjentët kryesorë, por nuk dija gjërat e tjera, procedurat dhe si ishin zhvilluar. Duhet të kuptoni që ky Sigurimi i Shtetit dominonte tërë shtetin, d.m.th. ky ishte prezent edhe në Hetuesi, d.m.th. hetuesit ishin të Ministrisë së Brendshme. Dhimitër Shkodrani, hetuesi im ishte i Ministrisë së Brendshme, d.m.th. nuk ishte si sot, një hetues profesionist, por ishte një kuadër i Ministrisë së Brendshme.

Edhe gjykatësit ishin absolutisht 100 për qind sepse partia bëri këtë: vëllai i Arshi Pipës u arrestua në Shkodër, ishte avokat dhe vrau veten. Dilon, avokat, e arrestuan, u mbyll shoqata e avokatëve dhe tërë studentët që shkonin te Juridiku e dinin që duhej të zbatonin në mënyrë rigoroze ato që i jepte partia. Aq më tepër që në vitin 1976 u ndërrua Kodi Penal dhe u rënduan shumë dënimet, d.m.th. për një mullar bari të djegur janë pushkatuar njerëz se ata të Librazhdit, për disa kilogram patate ose ai prifti i Lezhës për sabotim patatesh ose Gaspër Çurçia për disa bileta treni, që nuk vlenin më shumë se 2 milionë lekë sot, 2 mijë dollarë. Pra, juristët zbatonin në mënyrë rigoroze. Edhe juristët ishin të tillë, por siç kuptohet, tërë këtë e organizonte Sigurimi i Shtetit. Këtu është problemi dhe këtë duhet të kuptojmë.

Tani, ajo që mua më trondit është që, ajo që unë besoja që kisha shokë artistë, ata ishin njerëz të poshtër, ishin njerëz me një ligësi të pakufishme. E bënin këtë gjë nga xhelozia, nga fakti që unë i sillja në shtëpi që të diskutonim, të shihnin punën time, unë të shihja punën e tyre dhe të diskutonim siç diskutojnë të gjithë artistët. Nuk ka spiunë në piktorët francezë. Në artin perëndimor vetëm një herë njihet një rast në Hollivud, në vitin 1947, kur me Ligjin Makarti, kur amerikanët kishin frikë mos filtronte komunizmi në Amerikë, disa agjentë të FBI-së që ishin aktorë, kanë raportuar për shokët e tyre aktorë apo aktore, por asnjëri nuk u fut në burg. Pra nuk ka ngjarë ndonjëherë në artin botëror që një artist të denoncojë tjetrin për politikë.

Dhe këtu rreziku kalonte shkallë-shkallë sepse ata, është një moment atje që lexova dhe që nuk e dija, e kam jetuar por nuk e dija që mund të shkoja në pushkatim, d.m.th. Ministria e Brendshme bënte atë që quhej legjendë. Legjendë do të thotë një gjë që nuk ekziston në të vërtetë, por Ministria e krijonte, siç ishte rasti i Teme Sejkos. Ai nuk ishte agjent as i amerikanëve as i rusëve. E morën, e gënjyen, i thanë që kot do ta bënin atë proces, 30 veta të arrestuar, atë e vdiqën duke e rrahur, i pushkatuan djalin në Berat, gruaja u hodh nga ballkoni dhe vdiq, i vëllai u hodh në pus.

Djalin e tij e kisha unë në Spaç. Pra e tëra kjo ishte një legjendë dhe para këtij, ai shefi i degës, gjenerali në Shkodër nuk pranoi që ta bënte këtë. I dhanë helm e vdiq edhe ai. Pra, e tëra ishte një legjendë. Donin të bënin një legjendë edhe me mua. Llambi vjen në shtëpi me një çantë dhe i thonë që “ti këtë çantë do ta marrësh e do të shkosh te shtëpia e Maksit dhe do të shokësh reaksionin që do të bëjë Maksi për çantën, meqenëse këtë çantën ne e kemi gjetur me parulla, me afishe, dhe ne do të shohim si i ka bërë Maks Velo”. E kuptoni se ku shkon problemi? Me këtë unë dënohesha me pushkatim.

Tani, pse e bënë këtë? Sepse dyshonin që Llambi nuk thoshte të vërtetën. Dhe këtu ishin aparatet e regjistrimit dhe do të krahasonin atë që do të thoshte Llambi pasi të dilte nga shtëpia, me këto aparatet e regjistrimit që kishte Llambi në dorë. Dhe te Koroveshi, te një shtëpi ngjitur, kishin vajtur oficerë që merrnin transmetimin e sinjaleve. Janë të gjitha të shënuara. Dhe, në qoftë se unë do t’i sulesha çantës, atëherë ishin gati oficerët jashtë që do të suleshin në shtëpi dhe do t’i thoshin babait e mamasë që këtu kemi një hajdut, për Llambin, do të arrestonin Llambin, që të shpëtonte çanta. Shiko çfarë loje për një shok, të cilin e respektoja. Kishte studiuar në Leningrad. Kam qenë në shtëpinë e tij. Vinte në shtëpinë time dhe e qeraste mamaja për Vitin e Ri. Dhe organizoi një gjë të tillë që mund të çonte edhe në plumb”. 

A jeni në dijeni se përse e bënte ai këtë gjë?
Ai ishte xheloz. Artistët janë më keq se femrat. Ai ishte i paaftë. Ka botuar një libër me ca vizatime për fëmijë dhe nuk mund ta pranonte që unë mund të bëja ato gjëra. Kjo duhet të jetë. Nuk ka asgjë tjetër.

Nuk ka ndonjë rrethanë shtrënguese?
Jo, ai kishte vajtur vetë. D.m.th. atje dallohen se kush është i thirrur, p.sh. Hamide Stringën e kanë thirrur, Shpresa Nishanin e kanë thirrur dhe unë nuk i marr parasysh. E kuptoj. Hamideja thotë vetëm një gjë: “Maksi ka bërë një diskutim të poshtër”. Po çfarë do të thoshte ajo? Donte të shpëtonte e të ikte. Pra, janë ata që janë të thirrur, janë dhe ata që kanë vajtur vetë. P.sh. si mund të bënte Safo Markoja atë veprim? Kombinojnë këta që unë shkoj te Safoja. Vete unë dhe e ngushëlloj për djalin që e kishin arrestuar. Dhe i them: “Ai ka gabuar, kjo do të kalojë, është djali mirë”. Çfarë mund t’i thuash një nëne kur i kanë arrestuar djalin? Ajo shkon dhe raporton. 

Rezulton që ti nuk paske pasur asnjë mik të sinqertë gjatë gjithë viteve të regjimit?
Sigurisht që kam pasur e kanë qenë shumë. Problemi është që ata nuk hynin në punë. E kupton? Sepse ata e qepnin gojën. Asnjeri nuk të ndihmonte. D.m.th. Lidhja ishte bërë qendër e rekrutimit. Është një dokument tjetër që ish-vjehrra ime shkon te Kujtim Buza dhe i thotë: “Ky libri i Maksit është pornografi”. E para, deri më sot, unë nuk e di çfarë libri është. Është libër me figura apo me tekst, nuk e di. Sidoqoftë, e merr Kujtimi, e bën problem të madh në Lidhje dhe pastaj e çon në degë. Ku është gabimi këtu? Kujtimi duhej t’ thoshte: “Moj zonjë, ne nuk merremi me këtë punë. Ne jemi shoqatë artistësh. Ti shko në polici, në Drejtorinë e Brendshme se ata i dinë rregullat, ligjet dhe ta shqyrtojnë çështjen”. Ç’është kjo që ai e merr dhe më akuzon mua për pornografi? Ose është një raport tjetër: shkon një operativ dhe i kërkon Kujtimit që t’i jepte të dhëna për mua. Dhe Kujtimi shkruan e shkruan. Po ç’është Kujtimi? Je shoqatë artistësh apo je shoqatë policie? Çfarë je? Ç’është ky Dritëroi? Duhej t’i thoshte atij: “Ore zotëri ne nuk kemi punë me këtë punë. Ti ke atë detyrë. Me Ministrinë e Brendshme, me policinë ndiqe Maksin. Mos ma kërko mua”. 

Pra, një lloj policie për artistët...
Po, por kjo ishte në të gjitha organizatat. Edhe te Rinia, edhe te Pionieri, edhe te lagjja. Ishin zgjedhjet e Kuvendit Popullor, në janar të 1979-ës. Unë isha në spital dhe meqë isha i padënuar, vijnë me kutinë e votimit. Pushtetin popullor do të votoja unë, se çfarë do të votoja tjetër. Babai dhe mamaja kishin shkuar të votonin. Tani, këta shënojnë atje: “Shkuan të votojnë, por hezituan”. Ç’do të thotë hezituan? Ata të shkretët u nisën nga shtëpia dhe shkuan atje, në radhë. Po të mos donin, nuk ishin nisur nga shtëpia nëpër atë të ftohtë. Megjithëse babai vuante nga ulcera në stomak dhe mund të ketë pasur ndonjë problem, nuk ikën. Shiko se çfarë interpretimesh. Nuk ta pret mendja e kokës. Sepse këtu nuk ishte puna vetëm për mua. Në djall unë, po ç’faj kishin prindërit e mi, ç’faj kishte Pirro që ishte shef kirurgjie në Vlorë dhe e hoqën, ç’faj kishte Diana që kur mori vesh atë ditë e çuan në psikiatri, ç’faj kishte Roza që ishte inxhiniere në Ballsh dhe donin ta akuzonin për sabotim. Këta artistë kriminelë dhe kulmi është që japin urdhër: “Llambi të shkojë në shtëpi”, pas arrestimit tim. Vjen mamaja në Spaç e më thotë: “Ai shoku yt erdhi në shtëpi”. E kupton se çfarë njerëzish janë? Çfarë qelbësirash janë?

Çfarë bisede kishte bërë në shtëpi me mamanë tuaj?
Gjoja e ka pyetur: “Si është Maksi?”. Çfarë do i thoshin ata të shkretët përveçse “Mirë, është”. Nuk duhej të shprehnin pakënaqësi. Kishin frikë se mos i internonin. Po pse, artistë janë këta? Lidhje Artistësh është kjo? Dy veta kanë shkuar në shtëpinë time pas arrestimit tim. Ka qenë xha Lazja, Iljaz Turhani një mjeshtër i jashtëzakonshëm popullor, që ka bërë ato punimet me dru. Unë i çoja ndonjë ushqim xha Lazes kur mamaja bënte lakror. Atje në gjyq kishin marrë edhe një punim të xha Lazes dhe më akuzonin se unë e kisha detyruar që ta punonte ashtu. Mamaja më tha që ai ishte ulur te shkallët e qante. Ai ishte njeri i vërtetë. Dhe Llambi, gjoja artist, shkon të marrë informacion. Tani, çfarë konsiderate të kem unë për këta njerëz? Pa iu bërë gjë. Unë i rezistova Spaçit.

Si ishte Hetuesia? E gjithë puna përgatitore e agjentëve, reflektonte në Hetuesi?
Sigurisht që reflektonte në Hetuesi. Unë e kisha shumë të rëndë Hetuesinë sepse më goditën shumë psikologjikisht, kur sollën atje një kamion me punë. Ishin 250 punë të sekuestruara. Tërë biblioteka, tërë shënimet, tërë veprat e artit, koleksioni. Ajo ishte një goditje shumë e madhe. Më akuzuan se isha agjent i francezëve. Unë isha i dashuruar me një vajzë franceze, Odilën, që ishte albanologe. Ç’ne agjent i francezëve? D.m.th. Hetuesia ishte shumë e rëndë. Kisha afër në atë kohë grupin e ekonomistëve. U çonin ushqimin atyre që i pushkatuan. Karshi kisha gratë. Një hetuesi e tmerrshme. Gjithë problemi është që unë u mundova të rezistoj dhe prej meje nuk është futur asnjeri në burg. Kurse të gjithë këta, Edison Gjergo, që është arrestuar në datën 5 janar, në datën 25 janar ka lëshuar deklaratë për mua. D.m.th. Tedi Papa, Edison Gjergo ishin dy të arrestuar që kishin lëshuar deklaratë për mua. Hektor Dule, Mihal Hanxhari etj., etj., kanë lëshuar deklarata.

Të rëndonin deklaratat e tyre?
Sigurisht. Po çfarë thoshin? Pikaso. Pikaso është gjeniu i botës, ka lëvizur shekullin me “Madmoiselle d’Avignon”. Arkitektura, moda dizajni, të gjitha prej tij vijnë. Këta thoshin është kriminel. Këtu ndaheshim ne. E gjithë akuza ishte për këta, që unë kisha shkruar në libra, kisha dhënë mësim, kisha folur për Pikason e të tjerë. Dilnin të tërë dëshmitarë. Vetëm një gëzim kam, që unë Pikason e ndoqa, dola i gjallë, shkova në shtëpinë ku ka lindur Pikaso në Malaga, në Barcelonë, në Paris, në Bilbao, në Muzeun Pikaso. Kam vizatuar me qindra punë të tij dhe arrita që ta shpjegoj për veten time se kush është. Llambi u qorrua. Duhet të kuptoni që komunizmi ishte si ato lokomotivat me avull, d.m.th. lokomotivave me avull makinisti u hedh qymyr dhe uji kthehet në avull dhe avulli bën që të funksionojnë pistonat, rrotat dhe ecën treni. Në qoftë se nuk i jep qymyr, treni ndalet. Tani, qymyri ishin armiqtë. Komunizmi jetonte me djegien e armiqve. Po të mos kishte armiq, treni ndalej, komunizmi ndalej. Edhe kjo gjë, shpejtësia e ecjes së trenit, hedhja e qymyrit, hedhja e armiqve në furrë për t’i djegur nëpër burgje, shtohej sa herë Enver Hoxha kishte konflikte të mëdha ndërkombëtare. Ngjau tri herë: një herë në prishjen me Jugosllavinë më 1947, një herë në prishjen me Bashkimin Sovjetik më 1960, dhe në prishjen me Kinën më 1976-1977. E pikërisht unë pata fatin e keq që herën e tretë u mora si qymyr e u hodha në trenin e komunizmit. Kjo për ta kuptuar se përse ndodhte kjo gjë.

Më the që hetuesi Dhimitër Shkodrani të zbuloi në një moment që ti në gjyq nuk duhej të përmendje Llambin. A mund ta shpjegojmë dhe për lexuesit se si funksiononte kjo nxjerrja në dritë, djegia e dëshmitarëve dhe mbajtja fshehur e bashkëpunëtorëve të Sigurimit?
Me bashkëpunëtorët ata luanin. Ka bashkëpunëtorë që i kanë futur në burg ose i kanë internuar, dhe prapë i kanë bashkëpunëtorë. Një nga ata ishte Ibrahim Uruçi, me pseudonim është aty, ish-kryeredaktor i gazetës “Drita”. Ai ka lëshuar deklaratë që shkuan e ia morën në Tepelenë, ku ishte i internuar. Ibrahimi thotë: “Unë nuk e botova diskutimin e Maksit dhe vjen Fadil Paçrami dhe më pyet se përse nuk e botova”. Ai ishte i internuar dhe ishte bashkëpunëtor. Siç kishte edhe të burgosur bashkëpunëtorë. P.sh. Safo Markon ata e larguan një herë, meqenëse shpifte, pastaj e morën prapë. Këta prandaj e shtonin aktivitetin, Llambi p.sh., sepse nuk donte ta përjashtonin. Edhe shpif e shto. Në momentin që ata donin ta digjnin një bashkëpunëtor, d.m.th. nuk kishin më nevojë për të, atëherë e nxirrnin në gjyq. Kurse këtu Sigurimi i Shtetit i jep urdhër Dhimitër Shkodranit, që “Semanin dhe Shigjetën nuk do t’ia përmendësh të pandehurit dhe do të ruani sekretin e këtyre bashkëpunëtorëve”. Tani unë e kuptova kështu që Shkodranit i shpëtoi kjo gjë, d.m.th. ka qenë shkurti i 1979-ës, kur ra tërmeti në Tiranë, ishte e diel, dhe vjen roja e më merr, nga ora 10. Të dielave ne nuk na bënin hetuesi. Më çon atje, ishte hetuesi Dhimitër Shkodrani, më jep një cigare, dhe më thotë: “Do firmosësh se do mbyllim dosjen sepse të martën do të dalësh në gjyq”. “Dakord”, - i thashë dhe firmosa. Mbasi ndenji pak, më tha: “Emrin e Llambi Blidos nuk do ta zësh me gojë”. I thashë unë: “Ne s’e kemi përmendur Llambi Blidon 6 muaj”. Nejse, në moment e kuptova që ai do të shërbente dhe duhej të kishte dhënë informacione edhe për shumë njerëz të tjerë sepse ai u rrit pastaj në përgjegjësi, shkoi në Ministrinë e Kulturës, kur ishte ministër Alfred Uçi, pastaj ka shkruar libra për artin modern, për ato që ai i dënonte, i mbronte, d.m.th. hipokrizia e këtyre njerëzve nuk ka kufi, poshtëria e këtyre nuk ka kufi. Se mirë, supozohej se ishte kundër e ta ruante atë vijë, edhe sot të jetë kundër. Në këtë sens më pëlqen vetëm Zef Shoshi, se Zefi në intervista thotë që: “Unë Enver Hoxhën e kam bërë me dëshirën time”. Dhe tani prezantoi një akuarel të Nexhmijes. Thotë: “Unë jam i realizmit socialist”. Nuk thotë që “jam i Sigurimit të Shtetit”, por kuptohet kur thotë që “nuk më ka detyruar njeri”. Edhe është e vërtetë. Nuk i detyronte njeri. Këta të dy, edhe Llambi edhe Zefi, janë të vetmit që më kanë ardhur në Ndroq. Kjo histori vazhdoi 18 vjet, nga viti 1973 deri më 1991. D.m.th. më çuan 5 vjet në Ndroq, pastaj më arrestuan, më dënuan 10 vjet, pastaj dola, pasi nuk pranova bashkëpunimin më çuan tek abrazivi, dhe ndjekja në mënyrë totale ka filluar nga viti 1961 deri më 1989. I vetmi agjent që jep dy raporte të mira është një “Marjana”. Nuk e di se kush është. Dyshoj se duhet të jetë një abrazivit, e cila thotë më 1988-1989: “Maksi flet mirë për realizmin socialist, është shumë i kënaqur nga puna”. Por atëherë kishte marrë fund. D.m.th. është një zhgënjim i madh të kalosh jetën me një kolektiv, shoqatë artistësh të tillë, që e ndërtojnë jetën me të keqen. Ai Genc Hajdari, një skulptor më doli me një shpatë tani, në vitin 2000. Ishte një nga agjentët. Çfarë të bësh me këta? 

Si ishte kjo situata Maks?
Meqë doli edhe emri i tij, ai më kërcënoi. 

Kërcënojnë edhe sot?
Po. Në vitin 2000. Më 1994 ishte ministër i Kulturës Dhimitër Anagnosti. Kishte një këshill, ku isha edhe unë, Ylljet Aliçkaj, Aurel Plasari etj. Na shtroi problemin e fasadës, mozaikut te Muzeu Historik. Ne menduam që të mos prishej, por vetëm hoqëm yllin te flamuri, që të mos dëmtohej. Pastaj na tha që kishte urdhër nga Berisha që të rifillojnë ekspozitat e arteve figurative se ishin ndërprerë. Ajo do të quhej Ekspozita e Nëntorit. Na pyeti se ç’mendime kishim për emrin e ekspozitës dhe unë propozova ta quanim “Onufri”. Dhe u pranua propozimi im. Mua më caktoi ministri për të mbajtur fjalën e hapjes në ekspozitën e parë. Unë nuk e dija që në Galeri Llambi kishte kërkuar që të bënte ai vlerësimin e veprave, të cilat do të futeshin në ekspozitë. Kur e merr vesh Llambi që unë do mbaja fjalën thotë: “Nëse Maksi mban fjalën, unë do të iki”. Berisha siç duket, i kishte të dhënat, e dinte kush ishte Llambi dhe thotë: “Mirë le të ikë se Maksi do të mbajë fjalën” dhe unë e mbajta fjalën. Këta kanë të gjithë një gjë të përbashkët, që fillojnë dhe ulërijnë sa herë që kam takuar ndonjërin prej tyre. D.m.th. krijojnë një farë skandali të panevojshëm dhe ikin. Fakti që asnjë nga këta nuk ka kërkuar falje, duke filluar nga Dritëro Agolli, nga Kujtim Buzo, nga Llambi Blido e të tjerë, tregon që këta janë njerëz pa ndërgjegje. Ne duhet ta heqim fare nga fjalori atë fjalën “më fal”. Këta janë egërsira. Jo vetëm kaq, por Kujtim Buzo bëri një alamet artikulli te gazeta “Koha Jonë”. Çfarë ofendimesh më ka bërë! Nuk kanë ndërgjegje. Ne jemi popull pa vrasje ndërgjegjeje. Të gjithë kriminelët në Francë, Amerikë e vende të tjera, vjen një moment që kërkojnë falje për ato që kanë bërë. Këta s’kërkojnë falje kurrë. Ka kërkuar Nexhmija? Jo. Madje pyetja e bukur është ajo që më bëri një gazetare: “Po ti Maksi?”. “Po më kanë kërkuar”, - i thashë. “Po jepe”. Problemi është se kur t’i them unë: “Të kam falur”, ai të më thotë: “S’e dua faljen tënde”. Çfarë duhet të bësh? Ata ashtu vazhdojnë, duan të më hanë të gjallë sepse u zbulua kjo. Ata kujtonin e do të vazhdonte në infinit komunizmi në Shqipëri. Çuditërisht nuk ndodhi kështu. Dhe tani fajtori jam unë sepse prej meje ata u zbuluan, prej meje u bënë të këqij. Tani më urrejnë dyfish. Kjo gjë nuk ka ndodhur në vende të tjera, nuk ndodh në vendet e tjera, që të jesh fajtor se je i mirë.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi