Ndërkohë filmi “Bota”, me skenar dhe regji të Iris Elezit e Thomas Logorecit realizuar me fonde nga BE, Kosova, Italia dhe Shqipëria, ka fituar dhjetëra çmime, gjatë shfaqjeve të tij në Kosovë, Shqipëri, në Nju Jork e San Françisko të SHBA-ve e më gjerë.
Ndërsa Maks Velo ka deklaruar në kërkesën dertuar ZSHDA se “ka konstatuar ngjashmëri mes subjektit të filmit dhe ngjarjes së filmit, vendit ku zhvillohen ngjarjet, peizazhit që ka në novelë dhe personazheve, ku personazhi Nora është edhe në novelë edhe në film, si dhe kohën e zhvillimit të ngjarjeve”, më 31 tetor 2016 Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit i kthen një përgjigje inkurajuese Maks Velos. Përgjigja zyrtare është kjo:
“ZSHDA-ja në pamundësi për të provuar nëse midis dy veprave ka cenimin e pretenduar nga pala ankimuese, pasi në strukturën e saj nuk ka specialistë të duhur për të kryer krahasimin, vendosi të bazohet në kodin e procedurës administrative, duke iu drejtuar organeve të administratës publike në përputhje me menin 71 të kodit të procedurës administrative”.
Në këtë deklaratë, pasi renditen institucionet që nga Universiteti i Arteve deri tek Akademia e Shkencave, Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit deklaron se “këto institucione nuk mund të kryejnë ekspertizën apo krahasimin midis veprave për të provuar pretendimet e secilës prej palëve”. Por realisht ekziston një dokument i firmosur nga rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Caushi se si ekspert mund të jetë Prof.Asoc. Dr. Ylljet Aliçkaj që jep lëndën e skenarit të filmit në këtë universitet.
Megjithatë kjo kandidaturë duket se nuk është marrë parasysh, ndaj në deklaratën e firmosur nga drejtoresha ZSHDA, Evien Dako, shkruhet se “ZSHDA nuk mund ta lëshojë aktin “vendim përfundimtar”, si dhe nuk mund të vijojë shqyrtimin e kërkesës ankimore për shkak të pamundësisë objektive”...
[gallery]19776[/gallery]
Maks Velo pohon se “autorët e filmit “Bota” nuk kanë pasur fantazi as ta çojnë më tej ngjarjen dhe në nivelin e duhur artistik. Ai pohon se i ka paraqitur Zyrës së të Drejtës së autorit një studim të rëndësishëm të dy studiueseve shqiptaro-amerikane Xhuli Agolli dhe Sofia Kalo, prej 45 faqesh me titull “Bota e Iris Elezit dhe bota përtej saj”, të cilat i bëjnë një analizë të hollësishme mbi problemin e trajtimit skematik të subjektit të filmit”.
Ja çfarë shkruajnë mes të tjerave këta autorë: “Filmi BOTA, me skenar dhe regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit, dhe realizuar me fonde relativisht të mëdha nga Bashkimi Europian, Kosova, Italia dhe Shqipëria, ka fituar një sërë çmimesh në Europë – regjisorja ka numëruar 17 prej tyre – dhe është shfaqur disa herë në Kosovë e Shqipëri. Filmi është shfaqur edhe në Shtetet e Bashkuara, si Nju Jork e San Françisko.
Në intervistat dhe materialet promocionale na thuhet se filmi merret me të kaluarën e afërt të Shqipërisë, pasojat e komunizmit, tranzicionin shqiptar, etj., ashtu siç kjo e kaluar përjetohet nga tre personazhe që përfaqësojnë brezin e ri të klasës së ish-të persekutuareve. Ne argumentojmë që filmi nuk merret me këto çështje, por që Elezi i ka përdorur këto koncepte si “buzzwords” për të siguruar fonde prodhimi e për t’i dhënë peshë filmit në diskursin e saj.
Në këtë ese diskutojmë gjithashtu meritat artistike të filmit dhe, përmes një analize tekstuale, tregojmë se Elezi duket ta ketë bazuar skenarin e saj në novelën “Klubi Karavasta” të Maks Velos (Toena, 2004). Pjesa tjetër e asaj që argumentojmë, me të cilën fillojmë dhe e përfundojmë shkrimin, ka të bëjë me mungesën e kulturës së kritikës (intolerancës dhe keqkuptimit të saj) nga elita kulturë-bërëse shqiptare, duke marrë Elezin si shembull.”.
Maks Velo e ka paraqitur edhe këtë studim kritik në ZSHDA-së. Ndërkohë ai pohon për “Shqiptarja.com” se “Librin “Klubi Karavasta” ia dhurova vetë autores së filmit Iris Elezi në shenjë miqësie, por ajo pasi ka bërë filmin nuk më ka treguar se ka përdorur librin tim si skenar”.
Maks Velo i ka shkruar Zyrës së të Drejtës së Autorit se “Autorët e filmit “Bota”, Iris Elezi e Thomas Logoreci nuk kanë asnjë material parapërgatitor që të justifikojë skenarin”.
Ngjarja e marrjes së subjektit të librit për filmin “Bota” për të cilin pretendon autori i librit “Klubi Karavasta”, Maks Velo, është publikuar kohë më parë në media dhe Iris Elezi nuk ka dhënë asnjë reagim.
Ndërsa vetë Maks Velo pohon se “filmi është plagjiaturë totale e librit me ngjarje, kohë, vendin dhe personazhet. Në faqen 14 të librit Maks Velo tregon një nga personazhet Norën, për të cilën thotë se i njëjti personazh me të njëjtin emër është edhe në filmin “Bota” të Iris Elezit.
Përgjigjja se “nuk kemi specialist të krahasojnë librin me filmin” është realisht dekurajuese për autorët dhe krijuesit, ndërkohë që jemi në pritje të një përgjigjeje nga vetë drejtoresha e Zyrës Shqiptare të të Drejtave të autorit, Evien Dako, që ka lëshuar këtë deklaratë.
Debati që hapet pas kësaj është ky: nëse kopjimi apo plagjiatura janë të vërteta, cila është rruga për të gjetur të drejtën e tij një autor. Mos ndoshta “ligji i rishikuar” parashikon që për disa pasuri intelektuale nuk mund të kërkohet dot e drejta e autorit.
dy.b/shqiptarja.com