Mali i Zi, analistët të shqetësuar për veprimet nacionaliste të forcave politike pro-serbe dhe pro-ruse

Mali i Zi, analistët të shqetësuar për veprimet nacionaliste të forcave politike pro-serbe dhe pro-ruse

Rusia prej kohësh në Mal të Zi po përdor lajmet e rreme për të riorientuar Podgoricën drejt ndikimit të saj. Së fundmi Moska ka fituar një aleat kyç në një pozicion të fuqishëm në qeveri, siç janë partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Analistët vlerësojnë se ndikimi rus dhe serb në Malin e Zi pritet të rritet edhe më shumë muajve në vazhdim.

Profesoresha e Universitetit të Malit të Zi dhe analistja Sabina Osmanoviç tha se ndikimi rus në vend ka qenë i vazhdueshëm, por i kontrolluar.

“Ndikimi rus në Malin e Zi ka qenë konstant, por i kontrolluar. Viteve të fundi ky ndikim është i kanalizuar përmes forcave politike serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe ku është forcuar dhe dukshëm është bërë më i rrezikshëm”, tha zonja Osmanoviç.

 

Analisti dhe studiuesi Nail Draga po ashtu thekson rolin e forcave politike serbe në ringjalljen e nacionalizmit.

“Me dekompozimin e skenës politike në Malin e Zi, ku në pushtet janë forcat serbe dhe pro-ruse ndikimi i politikës ruse po vazhdon dhe çështja është se kjo politikë a do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në fazën kur Mali i Zi tenton të jetë pjesë e familje evropiane”, tha zoti Draga

Ndërsa retorika e qeverisë për politikën e jashtme të Malit të Zi dhe synimet drejt integrimit në BE shfaqen të palëkundura, në anën tjetër forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi kanë shtuar retorikën e mbështetjes së Beogradit dhe pengesën e mundshme të Malit të Zi drejt Bashkimin Evropian.

Zonja Osmanoviç merr si shembull rastin e votimit të përfaqësuesit malazez kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Deputetja e Malit të Zi në Këshillin Evropian ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian. Nëse i thërrasim kujtesës, këtu e 25 vite më parë, Mali i Zi i ka hapur dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë kosovarë dhe një veprim i tillë është tërësisht në kundërshtim me politikat pro-evropiane dhe me interesat evroatlantike”, tha zonja Osmanoviç.

Kjo lëvizje e Malit të Zi, sipas analistit Draga është një përpjekje që ky shtet i vogël në Adriatik të bëhet pjesë e botës serbe, gjë që do të rrezikonte seriozisht qëndrueshmërinë në rajon.

“Politika ruse është e pranishme përmes partive pro-serbe që janë të dirigjuara nga Beogradi dhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila në fakt është filiale e Kishës së Beogradit. Duke marrë parasysh të kaluarën, këto forca, kanë pasur interesa strategjike që Mali i Zi të jetë pjesë integrale e Serbisë së Madhe”, thotë analisti Draga.

Në këtë kuadër zonja Osmanoviç kritikon forcat politike shqiptare, të cilat edhe përkundër shkeljes së marrëveshjes së bashkëqeverisjes po i legjitimon këto politika duke heshtur ndaj këtyre dukurive.

“Interesante është të shohim reagimin e partive politike shqiptare në Malin e Zi. Nëse ato nuk janë në gjendje të ndikojnë në proceset vendimmarrëse në qeveri, atëherë prania e tyre vetëm sa i legjitimon këto politike regresive”, thotë profesoresha e Universitetit të Malit të Zi dhe analistja Sabina Osmanoviç./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion