Mali i Zi është tashmë anëtari i
29-të i Aleancës së Atlantikut

Mali i Zi është tashmë anëtari i<br />29-të i Aleancës së Atlantikut
NATO ftoi zyrtarisht shtetin ballkanas të Malit të Zi, të bëhet anëtari i 29 i aleancës, duke nënshkruar këtë të enjte zgjerimin e 7 në historinë e saj, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Rusisë. Vendimi është ende subjekt i miratimit formal nga Senati amerikan dhe parlamentet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “ky ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri të sigurisë” në historinë e ish-republikës jugosllave.
Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç ishte pjesëmarrës edhe në nënshkrimin e protokollit të pranimit të vendit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai tha se vendi i tij, i bombarduar nga avionët luftarakë të aleancës 16 vite më parë, duhet të qëndrojë “krah më krah” me vendet e tjera anëtare të aleancës së udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. “Mund të mbështeteni te ne në çdo kohë”, tha Gjukanoviç.

Rusia e ka akuzuar aleancën atlantiko-veriore se po përpiqet të rrethojë atë dhe kombet aleate të Moskës, si Serbia, si dhe është angazhuar se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare dhe interesat e saj. Sergei Zheleznyak, një deputet i shquar i Parlamentit rus, tha se vendit të tij do t’i duhet të alternojë marrëdhëniet e saj me Malin e Zi, historikisht aleat i Rusisë, tashmë që vendi ballkanas do t’i bashkohet NATO-s pa zhvilluar më herët një referendum kombëtar. “Ne duhet të ndryshojmë politikën tonë kundrejt këtij vendi mik”, tha Zheleznyak. “Nëse infrastruktura ushtarake e NATO-s do të vendoset atje, ne do të duhet të përgjigjemi duke kufizuar kontaktet tona në fushat ekonomike por edhe të tjera”. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë se Moska duhet të ndalojë disa importe nga Mali i Zi dhe të vendosë sanksione të tjera tregtare.

Ceremonia e nënshkrimit në selinë e NATO-s, për ftesën për anëtarësim të Malit të Zi, koinçidoi me fillimin e një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës, ndërkohë që edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e nënshkroi dokumentin në emër të Shteteve të Bashkuara.
Që prej krijimit të NATO-s në vitin 1949, si një mburojë e Luftës së Ftohtë të Perëndimit kundrejt Bashkimit Sovjetik, tashmë është zgjeruar nga 12 vende themeluese deri në anëtarin e 29, duke thithur në vetvete edhe shumicën e ish-aleatëve të Kremlinit në ish-bllokun lindor komunist. Të fundit që janë anëtarësuar në NATO kanë qenë Shqipëria dhe Kroacia, në vitin 2009.
 
Kosova
Ndwrkohë, Kongresi i Shteteve të Bashkuara i ka kërkuar adminstratës së presidentit Obama të procedojë me ndihma konkrete të gjithanshme që bënjë të mundur integrimin e Kosovës në NATO. Kjo kërkesë përbën një hap të rëndësishëm për Kosovën dhe sigurinë e saj, e cila fillimisht duhet të bëhet pjesë e Partneritetit të Paqes të Aleancës. 
Ndërkohë, pritet që së shpejti Forca e Sigurisë së Kosovës të kthehet në ushtri, proces ky që është vonuar për shkak të krizës politike që ka përfshirë vendin.
 
Korrupsioni
Svetozar Maroviç, që shërbeu si president i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi deri në ndarjen e tyre, ka nënshkruar një marrëveshjeje me prokurorët që e akuzojnë për përfshirje në një seri rastesh korruptive, përmes të cilës ka marrë përsipër përgjegjësinë por edhe lirimin nga burgu. Sipas avokatit të Maroviç, Zdravko Begoviç, klienti i tij ka firmosur një marrëveshje përmes të cilës pranon fajin për një çështje për marrje ryshfeti. Megjithatë, Begoviç nuk ka dhënë detaje për marrëveshjen në fjalë, me argumentin se përbën sekret hetimor. Maroviç u arrestua në dhjetor të vitit 2015, i fundit i një serie arrestimesh ku u përfshinë bashkëpunëtorë dhe familjarë të tij. Autoritetet malazeze vunë në pranga 13 persona, përfshirë vëllain e Maroviç, njëkohësisht sekretarin e atëhershëm të investimeve në Budva, Dragan Maroviç; si dhe vajzën e tij, Milena Bogdanoviç. Ata akuzoheshin për marrëveshje fiktive me kompani private ndërtimi, veprime që sipas autoriteteve kanë dëmtuar buxhetin vendor të qytetit të Budvës me mbi 10 milionë euro. 
Prokurori i posaçëm për hetimin e Krimit të Organizuar, Milivoje Katniç deklaroi se hetimi i këtyre rasteve ishte edhe më i gjerë dhe arrinte tek vetë Svetozar Maroviç, i cili në fund të vitit të kaluar u vu në pranga. 



redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar