TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës, ka çelur fushatën e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, duke iu bashkuar fushatës globale për të luftuar çdo formë të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Në Shqipëri 1 në 2 gra kanë përjetuar një nga format e dhunës dhe 18% prej tyre kanë pësuar dhunë seksuale. Mbi 4 mijë raste të dhunës në familje janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë së shtetit në 10 muajt e parë të këtij viti. 17 viktima të dhunës në familje vetëm gjatë këtij viti, 12 nga të cilët, vajza, gra, nëna e bashkëshorte që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje. Nuk ka më kohë për të humbur për të humbur, duhet që e gjithë shoqëria të reagojë kundër këtij fenomeni”, tha Manastirliu.
Duke vënë theksin te rëndësia e parandalimit të dhunës, Manastirliu tha se janë marrë një sërë masash në luftë kundër dhunës në familje.
“Janë bërë hapa përpara në drejtim të plotësimit të legjislacionit. Me forcimin e ligjit ‘Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare’ sigurohet mbrojtje më e madhe për viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare ose afektive, me urdhrin paraprak të mbrojtjes se menjëhershme. Paralelisht, është ngritur Mekanizmi i Koordinuar i Referimit të rasteve të dhunës në familje në 40 bashki dhe është në proces në bashkitë e tjera”, tha Manastirliu.
Manastirliu paralajmëroi edhe forcimin e masave për dhunuesit, me paketën e re të qeverisë që forcon ligjin për të luftuar dhunën me bazë gjinore, të çdo forme qoftë ajo.
Duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe reagimit të shoqërisë në betejën me dhunën, Ministrja bëri një apel për gratë dhe vajzat: “Bashkë, t'i kthejmë shoqërisë sonë vlerat që ajo vërtet ka! Çdo betejë e fituar në luftën më dhunën me bazë gjinore, është betejë vlerash! Siç thoshte Nelson Mandela – sa kohë fenomeni ekziston, nuk është bërë progres aq sa duhet – ndaj të bashkojmë përpjekjet për të mos lënë askënd pas, për t'i thënë FUND dhunës, çdo forme të saj”, bëri apel Manastirliu.
Bashkë me Organizatat e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, për të disatin vit rradhazi, nga 25 nëntori- 10 dhjetor i jemi bashkuar fushatës ndërkombëtare të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas, që në të gjithë Botën organizohet për të luftuar këtë fenomen, me synim për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore. Tema e këtij viti e përzgjedhur nga OKB, adreson dhunën seksuale, që ka si slogan të fushatës për këtë vit “Brezi i barazisë ngrihet kundër përdhunimit. Bëje botën portokalli.