Manastirliu viziton shërbimet e urgjencave në spitalin bashkiak të Kurbinit dhe spitalin rajonal të Lezhës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi ambientet e rehabilituara të urgjencës së spitalit bashkiak të Laçit dhe urgjencën e riorganizuar të spitalit rajonal të Lezhës.
“Fuqizimi i shërbimit spitalor është prioritet i yni për të ofruar shërbimin shëndetësor me cilësi sa më afër vendbanimit të qytetarëve.
Me kënaqësi shoh këtë spital të vogël por model për spitalet bashkiake. Ambientet e urgjencës janë rikonstruktuar tërësisht dhe urgjenca është pajisur me defribilatorë, monitorë, elektro-kardiogramë, pajisje për fuqizimin e laboratorit, pra të gjithë aparaturat e nevojshme për një urgjencë mjekësore”, tha Manastirliu në Kurbin.
Gjatë vizitës në spitalin e Lezhës, ku pa nga afër urgjencën e rikonstruktuar, Ministrja Manastirliu deklaroi se investimet në spitalin e Lezhës do të vijojnë këtë vit.
“Së shpejti Lezha do të ofrojë shërbimin e mamografisë dhe do të zgjerohet gama e aparaturave edhe me një sërë pajisjesh si eko obstetrike, gjinekologjike, ezhe, defribilator, inkubatorë etj. Jo vetëm Lezha por të gjithë spitalet rajonale do të pajisen këtë vit me aparatura moderne bio-mjekësore me vlerë 4.5 milion euro për të ofruar shërbimin me cilësi, afër vendbanimit të qytetarëve”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në spitalin e Lezhës vijon programi i patronazhit, ku mjekët neurologë, kardiologë dhe imazheristë nga spitalet universitare të Tiranës po japin shërbim të specializuar sipas një grafiku tashmë të shpallur në këtë spital.
“Nuk është më e nevojshme që për një neurolog apo kardiolog qytetarët të vijnë në Tiranë por do ti marrin shërbimet në spitalin e Lezhës. Vetëm në muajt e parë të nisjes së patronazhit të spitaleve rajonale nga spitalet universitare të Tiranës 2225 qytetarë e kanë marrë shërbimin afër vendbanimit të tyre”, tha Manastirliu.
Ministrja deklaroi se kjo është një nga masat që ndërmorëm për të zbutur boshllëqet e mjekëve specialistë, të krijuara si pasojë e politikës së vjetër e cila bllokoi për 4 vite specializimet në mjekësi. “Për të afruar shërbimin afër vendbanimeve të qytetarëve zgjidhje më e qëndrueshme është aplikimi i bonusit, për të mundësuar që mjekët specialistë të punojnë me kohë të plotë në spitalet ku ka mungesa. Këtu në Lezhë janë dy mjekë me bonus (anestezist dhe kardiolog) dhe ne do të vijojmë të mbështesim mjekët që pranojnë të vijnë në spitalet ku ka mungesa mjekësh specialistë”, tha Manastirliu.