Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës propozimin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për mandatin e deputetit, Mark Frroku.

Pavarësisht se mazhoranca dhe opozita kishin rënë dakord në Komisionin e Mandateve që t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e kushtetutës për nenin 71 pika 2 shkronja d, gjatë seancës Partia Demokratike ndryshoi qëndrim.

Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli kërkoi që për votim të hidhej propozimi për mbarimin e mandatit të Frrokut pas 6 muajve mungesë për arsye në Kuvend.

“Sot në këtë rend të ditës nuk mund të hidhet por votim propozimi i Këshillit të Rregullores. Sot do të hidhet në votim heqja e mandatit pas 6 muaj mungesë”, tha ish-kryetarja e Kuvendit duke kujtuar precedentin e vitit 2009.

Më tej, Topalli tha se mjaftojnë 28 firma nga deputetët për të bënë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e rastit të Frrokut.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi tha se qëndrimi i opozitës është i dyzuar sepse nga një anë Ristani në Komisionin e Mandateve shprehu dakordësinë që Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër kjo gjë kundërshtohet nga Topalli.

“Kësaj radhë e kam shumë të lehtë kam dëgjuar shpesh nga dy liderët tanë të majtë dhe të djathë; vajmedet. Vajmedet me këtë opozitë. Dëgjova folësin e parë që është në komision i cili foli këtu, dëgjova edhe parafolësen që tha i gjithë grupi është kundër. Këtë besoj? Qeni i rrahur që këlysh nuk bëhet dot qen stani”, tha Ruçi.

Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka tha se kërkesa e PD-së drejtuar Kuvendit ka të bëjë me mbarimin e mandatit të Frrokut dhe jo me dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Z. Ristani edhe në vetë të parë është deputeti që ka bërë kërkesën për mbarimin e mandatit të Frrokut. Ju tani po thoni na thatë mirëmëngjesi në Këshillin e Mandateve jo na thatë natën e mirë. Zotërinj ka një kërkesë zyrtare të PD”, u shpreh Paloka.

Vetë deputeti i PD-së, Arben Ristani pranoi se çështja edhe mund të zgjidhet duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Mund të ketë edhe zgjidhje të tilla. Unë besoj se debati ishte tërësisht njerëzor, unë kam punuar dhe jetuar me zotërinj njerëz, nuk ka jetuar me qen. Kam mësuar dhe që jo çdo qeni që të del përpara ti biesh me gur”, tha Ristani duke iu përgjigjur Ruçit.

Në fund, pasi kreu i Kuvendit sqaroi se iniciativa për mbledhjen e Këshillit të Rregullores është marrë me kërkesë të shërbimeve të Kuvendit dhe pasi është njoftuar mbledhja ka ardhur dhe kërkesa e Ristanit. Propozimi i Këshilli të Rregullores u miratua me 74 vota pro dhe 14 kundër.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)