Çështja e mandatit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka u diskutua sot në Komisionin e Ligjeve. Pala socialiste kërkoi këtë të martë rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka sugjeruan që vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin të dërgojë në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës t'i dërgojnë për shqyrtim në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve dhe refuzuan propozimin për futjen direkt në seancë plenare të vendimit.
“Dispozitivi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese na kthen në pikën zero, tek Këshilli i Rregullores dhe Mandateve”- tha Felaj, e cila drejtonte mbledhjen.
Bushka sqaroi procedurën që propozohej prej socialistëve si një detyrim nga rregullorja e Kuvendit.
“Ne bëjmë një raport-opinion për kryetaren e Kuvendit, ku i sugjerojmë që vendimin duhet ta shqyrtojë Këshilli i Rregullores dhe Mandateve”- tha ajo
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i quajti “pirueta” propozimet e kolegeve. Ai pretendon se janë duke e zvarritur çështjen.
“Po talleni? Nuk ka 7 organe brenda Kuvendit që marrin në shqyrtim vendimet e Kushtetueses, është vetëm Këshilli i Legjislacionit, i cili ka vendos një praktikë me vendimmarrje për të paktën 3 raste të ngjashme”- tha ai.
‘Kushtetuesja’ ka shfuqizuar të dyja vendimet e parlamentit edhe atë që miratonte raportin e mazhorancës dhe atë që rrëzonte raportin e opozitës. Ndërkohë që ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të ‘Rithemelimit’ që kërkonin heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Sipas Kushtetueses, kjo çështje do duhej të dërgohej përmes një raporti të shprehur më parë nga Kuvendi. Kështu që mandati i Xhaçkës do të kthehet edhe një herë në Kuvend dhe me këtë vendim të Kushtetuese, Kuvendi është i detyruar që ta çojë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës.