Maqedoni e Veriut, LSDM zgjedh kryetarin e ri, VMRO-DPMNE rizgjedh drejtuesin e saj

Maqedoni e Veriut, LSDM zgjedh kryetarin e ri, VMRO-DPMNE rizgjedh drejtuesin e saj

Foto ilustruese

Në Maqedoninë e Veriut, Lidhja Social Demokrate sot zgjedh kryetarin e saj, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i drejtuesit të partisë dhe i kryeministrit të vendit. Tre kandidatë janë në garë: Dimitar Kovaçevski, aktualisht zëvendës-ministër i Financave, Frosina Remenski, ish-ministre dhe Jovan Despotovski, drejtor i një agjencie publike.

Kovaçevski ka mbështetjen e Zaev dhe të disa zyrtarëve të lartë social-demokratë për ta marrë drejtimin e partisë. Të gjithë anëtarët e kësaj partie, që janë mbi 50 mijë, kanë të drejtë vote. Këto janë zgjedhjet e brendshme direkte që mbahen për herë të dytë për zgedhjen e drejtuesit të partisë. Më parë, kryetari zgjidhej në kongres.

Votimi u mbajt nëpër 194 qendra të organizatave komunale të partisë në të gjithë shtetin dhe zgjati nga ora 8 deri në orën 19. Drejtuesi i ri social-demokrat pritet të marrë edhe mandatin për formimin e qeverisë së re, përkatësisht të një riformatimi të pritshëm të kabinetit, ku krahas Lidhjes Social Demokrate me partnerët e saj të vegjël dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e Partisë Demokratike Shqiptare, do të përfshihet edhe partia Alternativa.

Kryeministri në largim Zoran Zaev menjëherë pas rezultateve të balotazhit të zgjedheve lokale më 31 tetor paralajmëroi se dorëhiqet nga posti i kryetarit të partisë dhe i kryeministrit për shkak të humbjes së thellë në këto zgjedhje. Ai, megjithatë dorëheqjen nuk e zyrtarizoi në parlament, ku për rrjedhojë pati një mocion mosbesimi nga opozita, por që rezultoi pa sukses.

Zaev qëndroi për tetë vjet në krye të partisë.

Ndërkohë, partia tjetër më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE e opozitës po sot në Kongresin e 17 të saj rizgjodhi kryetarin aktual, Hristijan Mickovski për një mandat të dytë si kryetar. Ai ishte kandidati i vetëm për këtë post. 489 vota nga 493 delegatët e pranishëm në Kongres votuan për rizgjedhjen e Mickovski.

Hristijan Mickovski duke folur para delegatëve theksoi nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, teksa tha se “populli me padurim pret të dëgjojë për vendime për ndryshime, për një vizion që nuk do të shndërrohet në gënjeshtër dhe për një qasje ndryshe në politikë”.

Ai shtoi se partia e tij do të sjellë ndryshime. “Ne, tha ai, jemi opsioni të cilit populli dëshiron t’i besojë dhe duhet të bëjmë ç’mos që (populli) të mbështetet tek ne.” Partia ka paralajmëruar një doktrinë të re; ndryshime të zyrtarëve të saj dhe mbikqyrjen e veprimtarisë financiare të vetë partisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur