SHKUP, 3 shtator /ATSH-MIA/ - Ish-kryeministri i Maqedonisë, Vlado Buçkovski u dënua sot me dy vjet burg nga Gjykata e Apelit në Shkup, lidhur me një marrëveshje prokurimi që ish-shefi i qeverisë kishte nënshkruar kur kishte qenë ministër i Mbrojtjes. Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkup, por uli dënimin nga tre në dy vjet burg. Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin edhe për shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë maqedonase, gjeneralin, Metodi Stamboliski, i cili ishte dënuar fillimisht me tre vjet burg. Gjykata e uli dënimin e tij në dy vjet, periudhë që Stamboliski e ka kaluar si i ndaluar. Buçkovski, Stamboliski dhe tre të tjerë u akuzuan për shpërdorimin e dy milionë eurove lidhur me prokurimet për blerje pjesësh këmbimi për tanke, që ishin planifikuar për të dalë jashtë përdorimit. Vlado Buçkovski ka qenë kryeministër i Maqedonisë në periudhën dhjetor 2004-korrik 2006, ndërkohë që ka qenë edhe dy herë ministër i Mbrojtjes./ a.jor.