Maqedonia e Veriut do të drejtojë OSBE-në dhe Kartën e Adriatikut, SHBA: Shkupi të shtojë përpjekjet kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut do të drejtojë OSBE-në dhe Kartën e Adriatikut, SHBA: Shkupi të shtojë përpjekjet kundër korrupsionit

Ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler tha të hënën se këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet pritet të diskutojë me autoritetet maqedonase mbi luftën kundër korrupsionit, që paraqet një çështje me përparësi për diplomacinë amerikane.

Zonja Aggeler foli gjatë një konference të përbashkët shypi me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me rastin e marrjes së drejtimit nga ky vend të Kartës së Adriatikut.

Në pritje të turneut të këshilltarit të Dapartamentit Amerikan të Shtetit , Derek Chollet në rajon, dhe vizitës së shkurtër që do t’i bëjë edhe Shkupit, ambasadorja amerikane Angela Aggeler tha se zoti Chollet pritet të konfirmojë diskutimet që autoritetet e larta shtetërore maqedonase kanë pasur me të në Nju Jork dhe bisedat e mëpastajme telefonike si dhe për të diskutuar mbi përparësitë tjera që ndajnë të dy vendet. Ambasadorja tha se një nga përparësitë që ka theksuar këshilltari Chollet është lufta kundër korrupsionit.

“Ai do të ngrejë një sërë çështjesh kur të mbërrijë këtu gjatë javës, ndërsa do të theksojë zotimet dhe mbështetjen amerikane për këtë vend në të gjitha mënyrat e mundshme”, tha ambasadorja amerikane në Shkup.

Zonja Aggeler i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shypi me Minisrtin e Jashtëm, Bujar Osmani, pas një takimi me ambasadorët e vendeve të Kartës së Adriatikut, drejtimin e së cilës e merr Maqedonia e Veriut.

Zoti Osmani ka prezentuar veprimtaritë e parashikuara dhe ambicjet për presidencën e nismës, ndërsa tha se Karta e Adriatikut mbron e vlerat e NATO-s në rajon. Ai tha se Maqedonia e Veriut synon krijimin e një koncepti strategjik që do të pasqyrojë rolin e organizatës në dekadën e ardhshme.

“Kryesimi ynë përkon me kremtimin e 20-vjetorit të themelimit të A5. Pas dy dekadash ekzistence, rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar dukshëm në të gjithë kontinentin dhe jo vetëm në rajon; Kjo, sidomos pas agresionit aktual ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Rrjedhimisht, ne do t’iu ofrojmë vendeve anëtare një lloj përshtatjeje të narrativit bazë të Kartës, praktikisht një koncept të ri strategjik që duhet të forcojë rolin e A5-s në rajon, por edhe të përshtatë qëllimet dhe misionet e tyre në përputhje me rrethanat dhe sfidat e reja të sigurisë dhe të rrethanave të reja në të cilat ndodhet rajoni”.

Kryediplomati Osmani vlerëson se vendet e Kartës së Adriatikut së bashku me SHBA-të do të kontribuojnë për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së të gjithë rajonit si interes i të githa vendeve të platformës A-5.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler theksoi bindjet se Maqedonia e Veriut do t’i drejtojë me sukses OSBE-në dhe Kartën e Adriatikut, të njohur shkurt si A-5. Ajo theksoi suksesin dhe arritjet e platformës duke nënvizuar faktin që tre anëtarët e Kartës tani më janë aleatë të NATO-s.

“Siguria dhe qëndrueshmëria evropiane nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq kritike për Evropën se sa sot. Lufta e paprovokuar, e paligjshme dhe agresive e Rusisë kundër Ukrainës ka nxjerrë në pah nevojën e organizatave, siç është NATO-ja dhe OSBE-ja; reagimi i paprecedent dhe të bashkuar të shteteve të të njejtit mendim, të cilat kërkojnë një Evropë paqësore dhe të qëndrueshme, ia ka bërë të qartë botës se fuqia nuk paraqet drejtësinë; Se ka pasoja për minimin e sigurisë evropiane dhe rregullat e mbështetura tek rendi ndërkombëtar”, u shpreh ambasadorja.

E pyetur mbi ndryshimet e pritshme kushtetuese që paraqesin kusht për vazhdimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, Ambasadorja amerikane tha se SHBA-të e mbështesin fuqishëm rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit Euro-altantik që kërkon nga drejtuesit dhe zyrtarët e zgjedhur të këtij vendi të veprojnë për të mirën e qytetarëve të tyre, që të lëvizin përpara sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Që të bëjnë ndryshimet të cilat dalin nga marrëveshjet, për të bërë të mundur integrimin evropian, tha zonja Aggeler duke shtuar se e ka parasysh që këto janë çështje dhe vendime të vështira për popullin e këtij vendi, por se kjo është pjesë e lëvizjes përpara”. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar