Një emër i madh i futbollit italian, Gigi Riva që nuk i ka dhuruar asgjë askujt, dikur ka thënë: ‘Cagliari i Maran është shumë i bukur. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë’. Kanë kaluar 6 vjet dhe Rolando Maran vendosi se çfarë do të bëjë në jetën e tij, mori drejtimin e kombëtares shqiptare. Në moshën 62-vjeçare, ai për herë të parë do të jetojë jashtë Italisë, për herë të parë do të drejtojë një kombëtare dhe për herë të parë do të ketë një objektiv që nuk është qëndrimi apo ngjitja në kategori, por Botërori.
Tingëllon ndryshe, Maran është anti-personazh, por jeta e tij është e fshehur në një detaj, e kanë dashur kudo që ka shkuar, te Catania, Chievo, Brescia. A do ta duan edhe në Shqipëri?
Maran rrëfehet në një intervistë të gjatë për të përditshmen italiane ‘Gazzetta Dello sport’.
"-Përse të ndryshosh jetë në moshën 62-vjeçare?
Sepse kur më kërkoi Shqipëria, u emocionova. Perceptova menjëherë se është një komb me krenari dhe me një ndjenjë të jashtëzakonshme besimi.
-Po tani ku do të jetosh? Në Tiranë apo Itali?
Në Tiranë. Për mendimin tim eksperienca duhet përjetuar në këtë mënyrë, të dielën do të transferohem dhe do të nis punën e vërtetë. Pastaj qyteti është shumë i bukur, me një mikpritje të pabesueshme. Bashkëshortja ime që është një interior designer, do të bëjë vajtje-ardhje, jemi mësuar.
-Gianni De Biasi, që çoi Shqipërinë në Evropian, natën e parë në Tiranë fjeti me një karrige pas portës se i trembej suprizave të hidhura. Paragjykime të kohëve të tjera…Keni komunikuar?
Sigurisht, Gianni është një mik, është personi i parë që kam telefonuar. E kujtoj mjaft mirë aventurën e tij, bëja tifo për të. Më tha që të mos kem dyshime se po bëja zgjedhjen e duhur dhe se Shqipëria bëri zgjedhjen e duhur duke besuar te unë. Kjo më dha kënaqësi. Si për kuriozitet, kam folur edhe me Igli Taren përpara 20 ditësh në Milanello. Nuk mund të imagjinoja se do të drejtoja kombëtaren e tij.
-Një emocion të këtyre ditëve të para...
Fanela e Shqipërisë me emrin tim dhe numrin 28, si Evropiani që duam të luajmë. Më dha një ndjesi përgjegjësie dhe gëzimi.
-Të shohim rrugëtimin. Si mund të shkohet nga Trento në Tiranë pas 27 vitesh punë të palodhur?
Vij nga një familje me artizanë, njerëz që gjithnjë kanë punuar. Babai dhe vëllezërit e mi ishin në ndërtim, lyerje dhe panelim. Unë jam njësoj, nuk kërkoj skenën dhe më pëlqen të punoj.
-Eksperienca e parë në stol ka qenë në 1997-98; asistent i Silvio Baldinit. Tani njëri drejton Italinë dhe tjetri Shqipërinë dhe po ta mendosh duket e pabesueshme. Tani ta themi, sa i çmendur është Baldini nga 1 në 10?
Jo kaq shumë, më besoni. Ka një karakter shumë të vendosur, por e di gjithnjë atë çfarë bën. Unë do t’i jem gjithnjë mirënjohës. Më kishte premtuar se do të më çonte në Serie B dhe më telefonoi. Për 10 sekonda rreshta së luajturi dhe i thashë po.
-Momenti më i vështirë dhe më i bukur në këto vite si trajner?
Më i vështiri te Genoa kur kishim 22 futbollistë pozitivë me Covid. Në pasiguri totale. Më i bukuri debutimi në Serie A me Roma - Catania 2-2 në gusht të 2012, po fitonim duke luajtur mirë, na barazuan në fakt në minutën e 91 dhe në minutat shtesë goditëm edhe tranversën me Castro. Tregon faktin që shkuam për të fituar, jo për të marrë një pikë.
-Një gjë që ke mësuar në 10 vitet e fundit?
Jam bërë më tolerant. Më parë nuk kisha shumë durim, nëse gjërat nuk shkonin si doja unë, zemërohesha shumë. Kam mësuar të pranoj një tjetër mënyrë për të jetuar futbollin.
-Për shembull?
Pitu Barrientos në Catania. Të jepte përshtypjen se nuk kishte dëshirë, por tani kuptova se më dha gjithçka.Ose më mirë, gjithçka kishte.
-Futbollisti më i fortë me të cilin ke punuar është Papu Gomez?
Është e vështirë të përgjigjem. Papu, Barella, Srna, Nainggolan, Almiron, Pandev në fundin e karrierës.
-Si ishte të punoje me Nainggolan?
Një spektakël. Jashtë fushave të lojës është le të themi…tepër i gjallëruar, por ta kishe në fushë ishte një kënaqësi. Të bënte të ndiheshe krenar.
-Po tani, cili objektiv i kësaj eksperience që do të të bënte krenar?
Objektivi është të kthehemi në Ligën B të Nations League dhe të kualifikohemi në Evropian. Ëndërroj të arrij rezultate të rëndësishme dhe të shkruaj një faqe të historisë. Falenderoj presidentin e Federatës, Duka për zgjedhjen. Stadiumi i Tiranës më la gojëhapur, mezi pres të punoj brenda tij. Dua të shkoj të shoh sa më shumë stërvitje të mundshme dhe të studioj gjuhën shqipe për të folur me lojtarët. Dua të aplikoja futbollin tim, proaktiv, vertikal dhe luftarak. Të marrësh rezultatet me djersë dhe lodhje është në ADN e këtij kombi.
-Le të bëjmë një test me dy pyetje për të kuptuar se çfarë trajneri kombëtareje do të jetë Maran. Pyetja e parë, kombëtarja e preferuar e të gjitha kohërave?
Italia e vitit 1982. Isha 19 vjeç dhe doja të bëhesha futbollist, mosha e duhur për ta vlerësuar. Pastaj Holanda e Cruyff. Luante një futboll kaq të evoluar sa ne fëmijëve na dukej sikur po ëndërronim.
-Pyetja e dytë. Futbollistët e tu të preferuar sot?
Futbollistët teknikë. Le të themi, Pedri, Olise, Mbappe.
-E kujton atë frazën e Gigi Rivës për Cagliarin tënd?
Kush e harron? Riva ishte një burrë me B të madhe dhe një kampion. Do të jem gjithnjë krenar për ato komplimenta. /Gazzetta Dello Sport
Komente









