Cristiano Ronaldo e ka vendosur ekipin e ri. Marca në Spanjë bën me dije se sulmuesi portugez do kalojë në kampionatin e Arabisë Saudite me ekipin e Al-Nassr. Kontrata e sulmuesit do jetë për dy vite e gjysmë teksa do përfitojë 500 milionë euro në këtë aventurë, duke e bërë firmën "të artë" për kalimin më të shtrenjtë në histori.
Largimi me marrëveshje nga Manchester United do të thotë se arabët nuk do paguajnë asnjë euro për transferimin, ndërsa përfitimi i Ronaldos do jetë kolosal. 200 milionë euro në sezon për 37 vjeçarin, që ka edhe përfitime të tjera në bazë të golave apo ndeshjeve të zhvilluara. Roje private, shofer apo vilë luksoze, këto janë disa nga anekset e kontratës.
Sipas medias spanjolle kjo është kontrata më e madhe e nënshkruar në historinë e futbollit. Al-Nassr është themeluar në vitin 1955. Skuadra luan ndeshjet e saj në shtëpi në "Mrsool Park" dhe ngjyrat që i referohen janë të verdha dhe blu. Aktualisht në stol është trajneri francez Rudi García. Kontrata pritet të firmoset pas Kupës së Botës. Nga ana tjetër Al-Nassr konfirmon interesin për CR7.
Përfitimet e Ronaldos me klubin e ri:
200 milionë euro në sezon
16 milionë euro në muaj
3 milionë e 800 mijë euro në javë
760 mijë euro në ditë
96 mijë euro në orë
1.600 euro në minutë
26 euro në sekondë
Cristiano Ronaldo është i fokusuar në Kupën e Botës por Al-Nassr e dëshiron atë në ekip. Klubi nga Arabia Saudite ofron 500 milionë euro për dy vite e gjysmë, teksa konfirmon dëshirën për ta pasur në ekip. Edhe eksperti i merkatos Fabrizo Romano konfirmon ofertën dhe kontrollin e saj, megjithëse nuk ka asgjë të nënshkruar.
"Ne nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë me Cristiano Ronaldon. Ne jemi admirues të mëdhenj si çdo klub, do të donim ta nënshkruanim me të, por e kuptojmë se fokusi i tij tani është vetëm në Kupën e Botës", thuhet në njoftimin e Al-Nassr.
Ndërkohë nga ana tjetër eksperti i merkatos Fabrizo Romano tregon se oferta është në tryezë. "Propozimi zyrtar i Al-Nassr për Cristiano Ronaldon është në tryezë, siç u njoftua javën e kaluar. 200 milionë euro në vit deri në vitin 2025, por duke përfshirë marrëveshjet e sponsorëve. Dokumentet po kontrollohen. Nuk ka ende asgjë të nënshkruar, rënë dakord apo miratuar nga Cristiano. Fokusi është te Kupa e Botës", thotë gazetari italian.
Marca në Spanjë njoftoi sot se Cristiano Ronaldo do jetë pjesë e Al-Nassr në Arabinë Saudite, me kontratë 500 milionë euro për dy vite e gjysmë. Në lidhje me këtë lajm ka reaguar edhe Piers Morgan, gazetari britanik që intervistoi Ronaldon pak javë më parë dhe që solli largimin e sulmuesit nga United, pas akuzave të portugezit kundër klubit. "Sërish, nuk është e vërtetë", shkruan gazetari Piers Morgan.