Mark Tirta, Panteoni shqiptar
i një etnologu

Mark Tirta, Panteoni shqiptar<br />i një etnologu
Gjëja më e mirë në një përvjetor dijetari është vizita në shtëpinë e tij, që dhe në rastin e profesor Mark Tirtës nuk bën përjashtim, ajo është fund e krye një studio pune. Të gjitha gjerat e tjera të shtëpisë janë tërhequr nëpër qoshe për t’ua lënë vendin librave të pafundëm. Lexuesi nuk do të habitet po t’i bëjmë me dije se profesor Mark Tirta është njeriu që ka në shtëpi 500 blloqe me shënime nga terreni, aq sa pa frikë mund të përhumbësh nëpër to; por nuk ndodh kështu me të zotin e tyre që në çdo kohë orientohet në ato mijëra faqe me të dhëna, që kanë ndihmuar në ngjizjen e qindra faqeve studime shkencore të tij.

Etnologut të mirënjohur Mark Tirta, gjashtë vjet më parë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, iu dha titulli i lartë Akademik, ashtu siç ai mban dhe titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë Rrëshen. Nuk është se kanë qenë të shumta gazmende të tilla në jetën e tij, dhe për faktin se ai qysh në krye të herës zgjodhi të ishte një dijetar i pabujë, ndonëse i përmasave të mëdha. Arriti që me veprën e vet t’i bënte nder vendit, por dhe vetë shkencës së Etnologjisë së Shqiptarëve.

Tashmë për veprën e këtij studiuesi të shquar ka monografi dhe artikuj të thelluar studimorë, ndër të cilët do të veçonim atë të Zymer Ujkan Nezirit (në bashkautorësi me Dr. Begzad Baliun), përfshirë në librin e tij “Studime për folklorin” II, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës (2008), ku rroket veprimtaria e gjerë kërkimore shkencore 60-vjeçare e këtij etnologu të shkëlqyer, që nis nga Mirdita dhe shtrihet në mbarë botën shqiptare, në krahina si Malësia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit, Malësia e Tetovës, Lugina e Vardarit, Malësia e Madhe, Mati, Elbasani, Labëria, Tomorica, krahinat etnografike në Greqi etj.

Mark Tirta vjen nga Oroshi, si për të na kujtuar se ata murgjit e vjetër të Malit të Shenjtë do ta vazhdonin misionin e tyre dhe përmes mendjesh e duarsh të tjera nga ato që lidhnin e zgjidhnin zhgunin priftëror. Dihet që ata ishin punëtorë të shkëlqyer të dijes, kulturës dhe qytetërimit në kuvendet e tyre benediktine, ku kryekrejet Oroshi ishte një mister religjioz dhe etnologjik që duhej zbërthyer deri në fund, për çka i pari që përkushtuar Abat Doçi, kur vendosi ra rimëkëmbte Abacinë e Mirditës në vitin 1888.

Vrojtimet e para në terren të objekteve arkeologjike, etnologjike e të tjerë të dijetarit të ri oroshian, nisin bash aty në Oroshin e tij, në vendlindje, duke u shtrirë më pas në krejt arealin mirditor. Rezultatet e atyre kërkimeve të fillesës së vet kërkimore, Tirta i shpalos në një sesion arkeologjik në Tiranë në vitin 1968, ku nuk kalon pa rënë në sy të elitës dhe autoriteteve shkencore të vendit. Kështu dyzet e pesë vjet më parë ai shihet si një profil i ri dhe i veçantë dijetari që meritonte vëmendje, ndaj ftohet të lërë klasën ku jeptë mësim, apo drejtimin e një shkolle në Mirditë dhe të niste punën si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore në Tiranë.

Tani nuk ishte më Mirdita epiqendra e kërkimeve të tij, por ai ishte përfshirë në një univers-korpus etnologjik, nga i cili nuk do të mund të dilte më. Magjia e shkencës e kishte ngërthyer me të gjithë fuqinë e saj dhe dalëngadalë ai do të identifikohej me etnologjinë dhe panteonin e saj, atë lëmë ende të mangët për nga studimet që vetë ai kishte kërkuar ta përmbushte. Një mbitokë e mbjellë me doke, kode, mite, rite, besime, simbole të një etnokulture autoktone shqiptare, ashtu si dhe një nëntokë po aq e pasur në minerale të çmuara me ngjyra, si bakri, kromi, asbesti etj.

Mark Tirta me durim, përkushtim dhe me parime të pandërruara të një shkencëtari të mirëfilltë, zhytet në këtë botë eksplorimi si rrallëkush në fushë të etnologjisë, si pararendësit e përndritur: Gjeçovi, Palaj, Çabej, Buda, Zojsi, Haxhihasani, që dhe ata kishin shkuar për gjurmë të dijetarëve evropianë: Hahn, Durham, Nopça, Shuflai, Valentini etj.

Mark Tirta është jo vetëm një shkencëtar i kërkuar për dijet dhe studimet e tij në disa fusha, por dhe një stilist i të shkruarit apo shkrimit shkencor, që dhe në këtë anë mund të merret si model, në përdorimet sa më “shqipe” të fjalësit të fushës së tij studimore, termave të etnologjisë, ashtu si përgjithësisht për mënyrën e të shkruarit, me njëlloj “poetike” që kur mundet të depërtojë në konturet e rrepta të stilit shkencor, e bën ligjerimin me të këndshëm dhe tekstin më të lexueshëm, si të thuash e rrit numrin e lexuesve të shkencës.

Autori i ka përzemër trajtat e vjetra të shqipes, si fjalën mbijetojë, që ngjan si një krijim stilistik gjuhësor i tij. Ai ka kryer studime shterruese për migrimet shqiptare, mitet dhe mitologjinë ndër shqiptarë, etnologjinë e shqiptarëve si disiplinë shkencore dhe universitare, doket dhe zakonet, veshjet e shqiptarëve (në bashkautorësi), pa harruar dhe ndonjë monografi të përfunduar prej kohësh për Mirditën antike. Në këtë hulli vjen së fundi dhe libri “Panteoni dhe simbolika” (doke dhe kode në entnokulturën shqiptare), ku qysh në fillim lexuesit i duhet të mendohet thellë, së pari mbi domethënien e titullit, që e gjen shpjegimin në libër nga vetë autori, qoftë terthorazi, qoftë dhe drejtpërdrejt.

Po t’i hedhësh një sy bibliografisë shkencore të akademikut Tirta, vëren se shkrimi i parë i tij daton më 1959, më se pesëdhjetë vjet më parë, kur ai ishte vetëm 22 vjeç. Qysh nga ajo kohë emri i tij nuk ka pushuar së dali në publikime, kumtime apo referime brenda dhe jashtë vendit, apo në auditorët universitare të vendit dhe të rajonit.

Ashtu si në çdo profil tjetër dijetari bashkëkohës edhe te profesori Marku vëren dy “faza”, atë të parën, ku spikat më tepër regjistruesi, përshkruesi, shpjeguesi, krahasuesi, komentuesi, hulumtuesi, gjithsesi profesionist, pastaj vjen ajo faza e dytë, që peshon më shumë në personalitetin e tij, që është e studiuesit kompetent, që jo vetëm analizon shkencërisht dukuritë, por dhe mban qëndrime e arrin në përfundime shkencore të vetat.

Nga informacioni i parë në terren, shpesh i pasigurtë, që dijetari hedh në bllok, te përfundimet shkencore, është një udhë aq e gjatë jo vetëm në kohë, është gjithë hapësira e një shkencëtari bashkëkohor si ai. Veprat e tij më kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), vëllimi i parë (1999) dhe i shtatë (2001), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Mjeshtria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006) etj.

“Panteoni dhe simbolika” (Tiranë, 2007) është në këtë vazhdë, për më tepër që e gjithë vepra e tij është sëndërtuar si një “panteon” kombëtar i etnologjisë. Duke lexuar këtë libër, ndjen harmoninë e botës shqiptare të së kaluarës, atë çka ka qenë esenciale në jetën e gjysh-stërgjyshërvë tanë. Një botë që vjen, ku përmes analizës e ku përmes sintezës, apo ndërthurtas të dyja, ndjen qasjen vetanake te autorit drejt atij humusi të papërsëritshëm ripërtëritës të një bote përherë e më në shuarje, që na vjen përshtat ta përqasnim me një minierë floriri.

Problematikat e rrahura në këtë botim janë: panteoni i hershëm në simbolikë, simboli i së mirës dhe i së keqes, simbolika e dorës, kulti i pjesëve të trupit të njeriut, kulti i të vdekurve, mitologjia në epikën legjendare, Lura në traditë dhe harmoni besimi, panteoni i Tomorit e bektashizmi, rite e besime në Himarë, mbijetoja të panteonit të hershëm vendës ndër shqiptarët e Maqedonisë, besime të hershme në Dibër, Mirdita në mite e besime, Skënderbeu i hyjnizuar në mite, vështrim në të drejtën dokesore shqiptare, Ulqini në traditat e tij të hershme, shtresime të moçme në të drejtën dokësore, Hasi në shekuj e popullsia e tij, harmonia ndërfetare te shqiptarët, prania e kulturës arabe islame në mite, rite e besime në etnokulturën shqiptare, krishtërimi dhe mbijetoja të paganizmit ndër shqiptarë, gjurmë të kishës paleokristiane në Iliri-Arbëri etj.

Temat e sipërthëna shpesh kanë qenë dhe kumtime të autorit në konferenca shkencore të zhvilluara në Tiranë, në ish-trojet shqiptare dhe jashtë vendit. Etnologu i përvutë Mark Tirta, për ato çka trajton, përpiqet të thotë fjalën e fundit, dhe pse dihet se dija shkencore nuk pushon as në prurjen e një dijetari, as në “enciklikën” e të gjithëve së bashku. Falë dijeve të thella dhe skrupulozitetit shkencor që e karakterizon, ai ia ka dalë të mos lërë prapa çështje të pasqaruara, të dyshimta, të ndërdyzta, gjera që mund të keqinterpretohen etj. Në trajtesat e tij has gjithnjë në analiza me karakter përgjithësues për dukuri pak ose aspak të rrahura, si mitet, besimet apo migrimet ndër shqiptarë.

Kështu në këtë libër, krahas të tjerash, na duket se gjejmë një trajtim shterrues të zanës, njërës ndër figurat qëndrore e më të rëndësishme të mitologjisë e të besimeve popullore shqiptare, ku nuk “përzihen” si në eposin e kreshnikëve apo “Lahutën e Malëcis” njerëz dhe zana, pasi shkenca bën detyrën e saj ftilluese shkencore, ndryshe nga letërsia dhe artet që sëndërtohen mbi figurën artistike. Ndërsa duke bërë fjalë për shtresimet e hershme në të drejtën zakonore shqiptare, studiuesi bën fjalë për disa ndryshimësi, që sipas tij jo gjithnjë janë vënë re nga kodifikuesit, duke mos qenë specialistë të fushës: “Shtresime të reja mund të kenë hyrë në veprim disa shekuj më parë, por ato bashkëjetojnë me shtresimet më të vjetra e në raport me to quhen “të reja”.

Ka mandej elemente të ardhur nga kode administrative të pushtuesve të ndryshëm, nga kode krishtere a të islamit.” Përgjegjësia e një autori të këtij kalibri bëhet përherë e më e madhe tash që në botën shkencore ka interes më të madh për lëndën shqiptare mitologjike e të tjerë, kur ka dhe studiues të huaj që bëjnë botime me të, si vitet e fundit Robert Elsie, që në një botim të tijin, ftillon besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore tonat.

Kuptohet që ky artikull yni është i papërfunduar dhe kështu do të jetë gjithnjë, pasi nuk mund të ketë një të tillë që të ngërthejë një vepër si ajo e këtij akademiku punëmadh, i cili ka ditur të lërojë bekueshëm në hullinë e nisur nga Hani, Nopça, Durhami, Jokli, Çabej, Haslluk, Gjergji etj., duke bërë vendin e tij të merituar në atë që mund të quhet pantetoni i etnologjisë shqiptare.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë