Markimi bruto, 10 miliardë në
vit kosto shtesë për qytetarët

Markimi bruto, 10 miliardë në<br />vit kosto shtesë për qytetarët
TIRANE- Markimi i naftës bruto, i cili kërkohet me ngulm nga kompania koncesionare GFI, do t’i kushtojë shqiptarëve 10 miliardë lekë në vit. Kjo pasi në marrëveshjet koncesionare parashikohet që çdo rritje taksash mbi konçesionarët kompensohet plotësisht. Që do të thotë se nëse kompanitë e prodhimit të naftës do detyrohen të paguajnë 1 miliardë lekë tek koncesionari i markimit ato do të ulin pagesën e taksave në buxhet në të njëtën vlerë. Në kontratën e koncesionit të nënshkruar nga qeveria Berisha në vitin 2013 parashikohet që veç karburantit të importit, GFI të markojë edhe naftën bruto.
 
Presioni
Kompania GFI Albania, koncesionarja e markimit të karburantit dhe naftës bruto në Shqipëri bllokoi pak javë më parë furnizimin e brendshëm me karburant në Porto Romano, duke ndërprerë markimin e tyre. Kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj tha në një prononcim për Shqiptarja.com se bllokimi i procesit të markimit u ndërmor në mënyrë të njëanshme nga ana e GFI Albania, për shkak të mosmarrëveshjeve me shtetin shqiptar, pasi GFI kërkon të markojë edhe naftën bruto siç është e shkruar në kontratë.

"Ky koncesionar kërkon të marrë lekë dhe nga markimi i naftës bruto që nuk ndodh në asnjë vend në botës. Edhe kur bëhet, markohet karburanti që përjashtohet nga akciza, jo karburanti që paguan akcisë si ai i joni. Konflikti ka lindur me qeverinë pasi GFI në kontratë ka të drejtë që të markojë dhe naftën bruto," tha Aliaj. Kompania e rinisi markimin e karburanteve vetëm pas negociatave me Ministrin e Financave, ndërkohë që nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare.
 
Markimi
Por sipas Luigj Aliajt, kjo praktikisht është e parealizueshme dhe kështu shteti shqiptar nuk ka arritur t’i detyrojë kompanitë nxjerrëse të naftës që të paguajnë këtë koncesionar. "Kjo sepse nafta bruto që të markohet duhet të vihet në temperaturë vlimi, të shkrihet, e cila në fund e prish dhe naftën bruto dhe eksportuesit nuk e marrin të përzier me një molekulë që këta hedhin," tha Aliaj. Kontrata koncesionare me GFI Albania është 10-vjeçare dhe kushton afërsisht 150 milionë euro. Ajo mori të drejtën mbi koncesionin e markimit të karburanteve në vitin 2011, ndërsa aktiviteti nisi në vitin 2013.

Tarifa që tregtarët e shumicës i paguajnë koncesionarit është 614 lekë plus TVSH-në, për një mijë litra të markuara. Kostot e këtij koncesioni shkarkohen tërësisht mbi konsumatorin shqiptar, të cilët paguajnë një kosto shtesë prej rreth 10 milionë eurosh në vit për këtë taksë. Nga ana tjetër, Shoqata e hidrokarbureve thotë se kompania GFI Albania, që fitoi këtë koncesion në vitin 2013, nuk ka instaluar ende sistemin e injektimit të ngjyrosësit, siç është parashikuar në kontratë.

Ngjyrosja bëhet ende me dorë nga punonjësit e saj, duke bërë që shënjuesi të mos shpërndahet në mënyrë të njëjtrajtëshme. Markimi i karburanteve bëhet me qëllim ndalimin e tregtimit të paligjshëm të tyre. Karburantet e ligjshme, për të cilat është paguar taksa përkatëse, markohen me një markues i cili nuk mund të kopjohet apo hiqet dhe mund të identifikohet vetëm me një analizues të dedikuar. Porto Romano dhe Petrolifera në Vlorë janë dy pikat e furnizimit me naftë në vend.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet