Ende nuk ka një marrëveshje mbi programin nuklear mes Iranit dhe 6 fuqive botërore, edhe pas kalimit të afatit përfundimtar që ishte 31 marsi.

Pritet që marrëveshja të përmbyllet në diskutimet e sotme në Losanë të Zvicrës, ku pavarësisht klimës së mosmarrëveshjeve, Ministri i Jashtëm Iranian Javad Zarif është shprehur optimist ndërsa mësohet se është rënë dakord për pikat kyçe.

Nga ana tjetër kryeministri Izraelit vazhdon të ketë dyshime, duke u shprehur se “ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të vendosë për një marrëveshje më të mirë me Iranin, pasi ajo aktuale është një pakt i keq që dëmton Izraelin, Lindjen e Mesme dhe të gjithë botën”.

Ky moment është vendimtar për arritjen e marrëveshjes historike mes Iranit dhe SHBA, Rusisë, Britanisë, Francës, Kinës dhe Gjermanisë, në mënyrë që Teherani në vitet e ardhshme të mos ndërtojë asnjë bombë atomike. Afati i marrëveshjes përfundimtare, është caktuar data 1 korrik.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)