Kryeministri Zoran Zaev u shpreh gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku çelën diskutimet rreth katër ndryshimeve kushtetuese lidhur me marrëveshjen e Prespës, se ky moment është historik për Maqedoninë.

“Ne jemi gjenerata që i mënjanojmë problemet e vjetra. Kemi vendim të çiltër për identitetin maqedonas, për përdorim të përgjithshëm më në fund. Gjuha maqedonase do të flitet lirshëm gjithkund”, u shpreh ai.

Kryeministri Zaev u bëri gjithashtu thirrje deputetëve që të bëhen pjesë e atyre që do ta dërgojnë Maqedoninë në familjen europiane.

“Kemi marrëveshje me pika të qarta për të ardhmen tonë si shtet. Askujt asgjë nuk i kemi falur. Askush asgjë nuk na mori. Zgjidhni në mes të ardhmes europiane dhe izolimit. Bota na sheh dhe pret nga ne përgjegjësi shtetërore”- porosti nga foltorja e Kuvendit kryeministri maqedonas.

Katër ndryshimet kushtetuese që do të merren për marrëveshjen e Prespës, do të futen veçmas për diskutim dhe më pas do të votohen.Sipas Rregullores së Parlamentit, debati për secilën prej ndryshimeve mund të zgjasë deri në tre ditë.

Pasi të përfundojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, procedura në Shkup do të marrë fund për t'u mbyllur më pas në Greqi, aty ku kryeministri Aleksis Tsipras shprehet tepër i bindur se do të arrijë që të ratifikojë marrëveshjen.