Tirane- Gjykata Kushtetuese i hapi sot dritën jeshile ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët firmosur me Italinë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Giorgia Meloni më 6 nëntor 2023.  

Me shumicë votash Gjykata Kushtetuese vendosi:

" Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” është  në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi"

Vendimi u bë publik sot (29 janar 2024) në orën 16:20 nga Gjykata Kushtetuese e cila mori në shqyrtim në tre seanca plenare resht kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të opozitës e cila kërkoi deklarimin e papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet dy qeverive, ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”

në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik. 

Po kështu në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane.

Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Një përfundimin tjetër është dhe fakti se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Gjykata analizon dhe vlerëson se Qeveria Shqiptare dhe kryeministri Rama kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit.

"Gjykata vlerësoi se traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit" thuhet në njoftimin për shtyp.

Kur e ratifikon kuvendi?
Seancat plenare kur gjykata mori në shqyrtim marrëveshjen mbi bazë të dokumenteve u mbajtën në datat 18 tetor 2024, 24 tetor 2024 dhe 29 tetor 2024. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve. Pasi vendimi i arsyetuar të publikohet në Fletore Zyrtare i hapet rruga ratifikimit në Kuvend të kësaj marrëveshjeje.

Edhe Italia i dha dritën jeshile
Ndërkohë Dhoma e Deputetëve në parlamentin italian i dha dritën jeshile marrëveshjes! Me 155 vota pro dhe 115 kundër deputetët italianë kaluan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa fjala e fundit për ratifikim do t’i takojë Senatit.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:28
Gjykata Kushtetuese dritë jeshile marrëveshjes me Italinë, BBC jehonë vendimit: Pritet të ratifikohet nga Parlamenti

1706560718_edirama.jpg

Prestigjozja britanike BBC, i ka dedikuar një artikull vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila miratoi sot marrëveshjen me Italinë, për emigrantët.

"Sipas marrëveshjes, qeveria italiane do të ndërtojë dy qendra në veri të Shqipërisë për të shqyrtuar 36,000 njerëz që mund të arrijnë në Itali çdo vit. Marrëveshja tani do të duhet të ratifikohet nga parlamenti shqiptar dhe ka gjasa të kalojë lehtësisht pasi kryeministri Edi Rama ka një shumicë të padiskutueshme. Qendrat do të paguheshin nga qeveria italiane dhe do të funksiononin sipas ligjit italian. Stafi italian do të jetë përgjegjës për operacionet dhe do të kishte imunitet nga ligji shqiptar në disa raste", shkruan mes të tjerash BBC.

"Pasi të jenë vlerësuar kërkesat për azil të emigrantëve, Italia do të jetë përgjegjëse ose për zhvendosjen e tyre nga qendrat në Itali ose për dëbimin e tyre. Personeli i sigurisë dhe oficerët e policisë do të sigurohen nga Shqipëria. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe zoti Rama e prezantuan për herë të parë marrëveshjen në Romë në nëntor. Menjëherë pas kësaj, marrëveshja u bllokua përkohësisht pasi opozita shqiptare paraqiti dy ankesa me argumentin se marrëveshja do t’u mohonte azilkërkuesve mbrojtjen e kushtetutës dhe ligjit ndërkombëtar. Por të hënën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën se marrëveshja nuk ishte antikushtetuese. Ata thanë se marrëveshja “nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese, as nuk sjell kufizime shtesë për të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre të parashikuara nga rendi juridik shqiptar”, shtoi ajo.

Gjyqtarët hodhën poshtë "gjithashtu pretendimet se marrëveshja për ngritjen e objekteve të pritjes së azilit do t’i jepte Italisë sovranitet në territorin shqiptar, duke vendosur se marrëveshja “nuk përcakton kufijtë territorialë dhe nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”.

Ora 17:49
Kushtetuesja i hapi dritën jeshile marrëveshjes me Italinë për emigrantët, Bardhi: Gjykata humbi mundësinë për të bërë drejtësi

1705589481_bardhi.jpg

Deputeti Gazment Bardhi reagoi mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hapi dritën jeshile marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë që do strehohen në Shqipëri. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’, Bardhi shkruan se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese humbi mundësinë të bënte drejtësi për këtë çështje.

“Asnjë surprizë nga “Vali Bizhgat në Gjykatën Kushtetuese”! Mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga GJEDNJ janë tregues i qartë që GjK humbi që në nisje mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje.

Marrëveshja me Italinë cenon sigurinë e interesin publik, si dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njëriut dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, siç Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE dhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare janë shprehur!”- shkruan Bardhi.

Ora 16:45
Kushtetuesja miratoi marrëveshjen për emigrantët, disa protestojnë para Gjykatës

1706543198_fottoooo.jpg

Teksa në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohej padia e një grupi deputetësh të opozitës kundër marrëveshjes për emigrantët me Italinë, një grup i vogël nga shoqëria civile protestuan para Gjykatës.

Ata e quajtën antikushtetuese dhe në shkelje të të drejtave të njeriut marrëveshjen për emigrantët.

Në përfundim të vendimit të Kushtetueses, e cila miratoi marrëveshjen, protestuesit vendosën në derë të gjykatës një kurorë mortore me lule.

Ora 16:17
I dha 'dritë jeshile' marrëveshjes për emigrantët me Italinë, 'Kushtetuesja' arsyeton vendimin: Nuk ndryshon integritetin territorial, s’cënohen as të drejtat e njeriut

1706541912_6400gjksd17065344481.jpg

Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar vendimin për aprovimin e marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë të nënshkruar nga dy Kryeministrat Rama-Meloni, duke rrëzuar kërkesën e grupit të deputetëve Bardhi-Berisha. Konceptin e marrëveshjes Gjykata e analizoi në dy aspekte, atë fizik dhe juridiksional të lidhur me sovranitetin.

Së pari, Gjykata vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Njoftimi për shtyp

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare mbi bazë të dokumenteve, në datat 18.01.2024, 24.01.2024 dhe 29.01.2024, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot më 29.01.2024, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, vlerësoi se:

Lidhur me respektimin e procedurës së negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për Migracionin, në drejtim të organit kushtetues që ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë, Gjykata verifikoi natyrën dhe përmbajtjen e Protokollit për Migracionin, i cili është negociuar dhe nënshkruar si një marrëveshje ndërqeveritare, e ratifikueshme në Kuvend sipas nenit 121, pika 2, të Kushtetutës.

Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën e saj, verifikoi nëse Protokolli për Migracionin përbënte marrëveshje ndërkombëtare që lidhej me territorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese e analizoi konceptin “marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin”  në dy aspekte:

(i)                 aspekti fizik; dhe

(ii)               aspekti juridiksional të lidhur me sovranitetin.

Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të parashikuara në shkronjën b) të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Duke patur parasysh që nga njëra anë çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin, dhe nga ana tjetër Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52 dhe 52/a, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

Deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Në bazë të nenit 52/a, pika 2 të ligjit organik vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.